Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

“‘Partizani’ vetëm maja e ajsbergut për Berishën”, Fatos Klosi: Kanë ndodhur vrasje në qeverisjen e tij

Ish-presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha janë personat me më shumë dosje të hapura në drejtësinë shqiptare. Historikisht ata janë cilësuar si politikanët që kanë “rrjepur” popullin në 30 vite, mirëpo për herë të parë prokurorët specialë shqiptarë nën patronazh nga amerikanët ka gjetur forcën që t’i hetojnë dhe akuzojnë zyrtarisht.

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Fatos Klosi në një intervistë për gazetën SOT, shprehet se afera “Partizani” është vetëm maja e ajsbergut për Berishën, pasi kanë ndodhur ngjarje më të rënda në kohën kur drejtonte shtetin. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme e ka nisur nga kjo dosje pasi janë dokumente të shkruara, dhe natyrisht fillohet nga ajo që është më e lehtë.

Klosi  se gjynahet e Berishës janë të shumta, pasi ka patur vrasje si në “21 Janar” dhe “Gërdec”, ngjarje tragjike që ish-kreu i SHISH beson se do të zbardhen nga SPAK.

Nga ana tjetër, ai paralajmëron tensione të reja në Partinë Demokratike. Sipas tij, ato do të dalin në sipërfaqe kur të shpallen listat për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 2025.

-Zoti Klosi, si e shihni arrestimin e Ilir Metës dhe hetimet që SPAK po kryen ndaj tij? Mendoni se Meta duhet të japë llogari për akuzat e ngritura?

Nuk më takon mua dhe as politikës që të merret me arrestimin e Metës, nëse është mirë apo nuk është mirë. E ka marrë në dorë drejtësia këtë punë. Ne shpresojmë se kemi bërë një reformë të suksesshme në drejtësi dhe, mesa duket, ata po punojnë. Të fusë hundët politika është e gabuar. Unë nuk jam as specialist dhe nuk kam asnjë gjë në dorë për problemet e drejtësisë. Duhet të presim. Mos ngutemi. Deri tani jemi në proces të prokurorisë që po merret me ata njerëz. Ndërkohë që ka një fazë të dytë, që është procesi gjyqësor. Të gjitha provat që ka mbledhur prokuroria do të shkojnë në gjykatë.

Pra, është një institucion tjetër që, nëse gabon i pari, është i dyti që e vendos nëse provat janë të pamjaftueshme, prokuroria ka punuar mirë, etj. Ky është një fenomen i ri për ne dhe, duke qenë një fenomen i ri, njerëzit mund të shpërndahen në opinione politike. T’i dëgjojmë, edhe prokurorinë, edhe gjykatën. Uroj të ketë drejtësi. Nuk do të doja kurrë që njerëzit të dënohen kot. Ata që kanë bërë faje, të mbajnë përgjegjësinë dhe këtë gjë e vendos gjykata.

-SPAK ka hapur hetime për disa çështje që lidhen me korrupsionin dhe abuzimin e pushtetit nga Sali Berisha. A mendoni se Berisha duhet të përballet me drejtësinë?

Të gjithë duhet të përballen me drejtësinë, jo vetëm Sali Berisha. Të gjithë ata që kanë qenë në pozicione të rëndësishme dhe që kanë gabuar, kanë bërë faje dhe më shumë se gabime, duhet të përballen. Ata vetë nuk e pëlqejnë këtë gjë dhe deklarojnë se është politike dhe se “na e kanë me hile”. Këto janë të gjitha broçkulla. Nuk ka si të pranojnë këto në nivelet e larta që “unë jam për në burg”. Askush nuk e pranon këtë gjë. Berisha ka qenë president për 5 vjet dhe pastaj kryeministër për 8 vjet. Ka plot gjynahe, sipas meje. Kanë ndodhur ngjarje të rënda në kohën që qeveriste ai dhe ka qenë një qeveritar absolut. Ai tani ankohet për diktaturë, por nuk ka ndonjë ndryshim; madje ka qenë më i egër qëndrimi i tij kur ishte president në 5 vitet e para.

Tani ai po përpiqet që ta tregojë problemin sikur ia kanë me hile. Me gjithë ato fjalë që ka thënë kundër SPAK, Berisha ndihet se është në një pozitë shumë të vështirë dhe po përpiqet që, nëpërmjet pozicionit si kryetar i PD, pasi ia dhanë vulën, të thotë se SPAK është me orientim politik. Por në këtë mes qëndrojnë gjykatat. Prokuroria mund të orientohet ndonjëherë gabim. Ngutet. Gjykata i vlerëson të tëra. Gjykata e shikon se çfarë paraqet prokuroria dhe dëgjon avokatët e të akuzuarve. Duhet të presim dhe t’i lëmë këta njerëz të punojnë.

-Si i vlerësoni sulmet e Ilir Metës dhe Sali Berishës ndaj SPAK dhe prokurorëve specialë? A dëmtojnë këto sulme procesin e drejtësisë?

Berisha po përpiqet të mbrohet dhe, fatkeqësisht, e shëmton shumë punën e tij. Po përdor një gjuhë pa asnjë lloj etike, pa asnjë lloj përmbajtjeje. Po përpiqet që të denigrojë deri në shkallën e fundit ata që po merren me aferat e tij. A e pengon? Sigurisht. Influencon, pasi ai nuk është një personazh i vogël. Ai është kryetar i PD-së. Në zgjedhjet e fundit, Partia Demokratike ka marrë 500 mijë vota. Nuk janë pak. Janë këta njerëz që i besojnë Berishës. Ai po përpiqet që të influencojë tek këta njerëz. Nuk influencon ai tek unë, ose tek të njohurit e mi, apo tek të gjithë ata që kanë votuar kundër tij. Kështu, ata që nuk kanë votuar për Berishën, janë kundër tij dhe janë shumica, dhe ai po përpiqet që ta ndryshojë këtë gjë. Po përpiqet, sepse është në një situatë të vështirë.

Ai akuzohet për gjëra të mëdha. Deri tani është vetëm dosja “Partizani”. Për mua është më e vogla. Mbase ka qenë më e lehta për prokurorinë, pasi janë dokumente të shkruara, dhe natyrisht fillohet nga ajo që është më e lehtë. Por natyrisht, ka gjëra edhe më të vështira për Berishën. Kanë ndodhur vrasje. Nuk mbaron me kaq. Berisha nuk bën dot presion ndaj SPAK. Prokuroria e Posaçme ka një mbështetje të madhe nga partnerët tanë, që mesa duket janë goxha të interesuar që Shqipëria të jetë një shtet serioz dhe që shtylla e tretë e drejtësisë të thotë fjalën e saj, sa herë që ka konflikte dhe zullume. Nuk çuditem për qëndrimin e Sali Berishës. Ai po përpiqet që të mbrohet.

-A keni besim se ngjarje si “Gërdeci” dhe “21 Janari” do të zbardhen përfundimisht dhe personat përgjegjës do të japin llogari?

Unë besoj që po. Në fillim shpresoj. Duke parë këto ngjarje që po trajtohen, si historia e privatizimit të Kompleksit “Partizani”, të shikojmë se si do ta trajtojë Prokuroria, çfarë qëndrimi do të mbajë gjykata. Pastaj kemi të drejtën që të kemi më shumë besim se edhe këto raste do të trajtohen. Janë plot raste që ne nuk i dimë fare. Na është dukur sikur gjërat kanë shkuar mirë, por prokuroria ka fakte, ka dokumente dhe rrugë për t’i trajtuar të gjitha ngjarjet e rëndësishme me pasoja negative. Them që ajo që do të shikojmë dhe do të dëgjojmë nga ky proces i parë do të na japë mundësinë të vlerësojmë objektivisht se çfarë do të ndodhë me ngjarjet si “Gërdeci”, “21 Janari” apo dhe “Rruga e Kombit”, ku u trefishuan shpenzimet në krahasim me programin.

-SPAK po heton gjithashtu disa ministra dhe ish-ministra të qeverisë aktuale. Mendoni se në Shqipëri të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara drejtësisë, pavarësisht pozicionit?

Më vjen mirë që SPAK po përballet me njerëz të qeverisë së sotme dhe janë personazhe të rëndësishëm. Kam bindjen që do të ketë edhe ca të tjerë. Me radhë do të merren çështjet. Ka ministra, ka zv/kryeministër dhe kjo është një provë që SPAK nuk ka mbajtur anë deri më tani. Vërtet nga opozita ankohen se nga ana e tyre janë dy personazhet më të rëndësishëm, ish-kryeministra, ish-presidentë, dhe nga ana tjetër janë vetëm ministra. Nuk mund të përdorim këtë argument. Nëse janë dhe të mëdhenjtë fajtorë, avash-avash do ta bëjë punën e vet prokuroria. Nuk bëhet drejtësi me dëshira.

Ajo që po ndodh me figura të rëndësishme të PS tregon që SPAK nuk ka mbajtur anë, por sigurisht ka trajtuar problemet më të thjeshta. Natyrisht, dhe ata nuk kanë shumë eksperiencë. Ata po çajnë një aktivitet të ri, një gjë që nuk ka qenë deri më sot në Shqipëri. Është shumë e vështirë. Tani po merren me rastet që janë shumë të thjeshta, që kanë dokumente dhe dëshmitarë, ndryshe nga ngjarjet e vështira që kanë ndodhur 10 apo 20 vite më parë. Por fakti që po merren me të dy palët tregon se ata janë në rrugë të drejtë.

-Ka zëra se presidenca Trump mund të rishikojë shpalljen “non-grata” të Sali Berishës. Sa reale janë këto pritshmëri sipas jush?

Unë kam dëgjuar nga goja e amerikanëve të rëndësishëm. Natyrisht, jo personalisht, por në televizion dhe faqet e tyre zyrtare, që kanë thënë se kjo gjë është e pamundur, nuk ka ndodhur ndonjëherë. Edhe sikur Trump ta trajtojë problemin, nuk bën asnjë efekt. Trump, edhe 20 ditë, do që të bëhet president dhe do ta marrim vesh shumë shpejt, por edhe sikur ta bëjë, është një administratë që e njeh më mirë Berishën sesa Biden. Kjo administratë që vjen ka qenë njëherë në pushtet. Vetë ideja që janë marrë me Berishën, kanë gjetur fakte për të. I kanë vënë emra konkretë aktivitetit të dëmshëm të tij. Nuk e akuzojnë pa argumente. Kjo është shumë e rëndësishme.

“Non-grata” e tij nuk hiqet. Administrata nuk futet në këto detaje. Berisha po mban gjallë frymën e PD-së, që është rënduar shumë këto 3 vitet e fundit dhe do rëndohet edhe më shumë kur të shpallet lista e kandidatëve për deputetë. Plot nga këta që ikën njëherë nga një anë tjetër dhe i janë afruar sërish Berishës, duke e quajtur komandant dhe shef të madh, nëse nuk do ta shohin emrin e tyre në listë, do të bëhen edhe më agresivë kundër tij. Nuk ka mbaruar ende problemi në PD. Kur të shpallet lista, do të shohim ngjarje të tjera të shëmtuara në Partinë Demokratike.

-Ambasada e SHBA-së ka deklaruar se nuk bashkëpunon me individë të shpallur “non grata”. Si e shihni këtë qëndrim?

Nëse ata e kanë shpallur “non grata”, është një njeri që ka gabuar rëndë. Ata thonë që Berisha ka cenuar edhe sigurinë e tyre. SHBA është një fuqi botërore që ka interesa në të gjitha vendet, ka dhe në Ballkan dhe Shqipëri. Mesa duket, interesat e tyre në vendin tonë janë cenuar nga Berisha dhe natyrisht ata nuk ka kuptim që të diskutojnë dhe të flasin me një personazh që e kanë shpallur armik, që cenon interesat e tyre. Arsyetimet e tyre, provat që kanë, institucionet që kanë dhe që dinë shumë, kanë dalë në këto përfundime. Ky është stili i tyre. SHBA nuk duan që të kenë bashkëpunim me një person të tillë. Ky mesazh që ata japin duhet të jetë kambanë për ata që e mbështesin Berishën.

-Mendoni se ka prova të mjaftueshme nga amerikanët për të mbështetur shpalljen “non-grata” të Berishës?

Ne nuk e dimë se si janë kriteret për të thënë që janë të mjaftueshme apo jo. Unë them që shtete fuqi botërore, siç është SHBA, kur e bëjnë diçka, nuk e bëjnë me duar në xhepa. Është marrë një vendim shumë i rëndësishëm, pasi Shqipëria konsiderohet një vend aleat shumë i rëndësishëm në rajon, duke përfshirë dhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë. Pra, shqiptarët janë të rëndësishëm për Amerikën. Ne jemi aleatët e tyre. Qëndrimi që ata mbajnë për vendin tonë, këto qëndrime përfaqësojnë politikën amerikane dhe, si e bëjnë amerikanët politikën e tyre, janë problemet e tyre. Fakti që ata e thonë amerikanët me zë të lartë.

Kjo nuk është një lojë e vogël që ta shpallim tani dhe nesër ta ndërrojmë. Politika amerikane është e konsoliduar. Po ta shikojmë të gjithë historinë, jo vetëm të vjetrën, por edhe të renë lidhur me politikën e jashtme, nuk kanë diferenca të mëdha. Pas luftës në Ukrainë, Ballkani është bërë shumë i rëndësishëm për SHBA. Me luftën në Ukrainë, Rusia tregoi se ajo është agresive. E filloi me Ukrainën, pasi aty ka interesa më të mëdha. Por Ballkani ka qenë gjithmonë në interesat ruse. Përplasja sot është shumë e qartë. Perëndim-Rusi.

Janë probleme që lidhen me një luftë hapur që ka tre vjet. Nuk mund të ndodhë ky ndryshim për Berishën vetëm se u ndërrua administrata. Ju shikoni se çfarë ndodhi në Maqedoni me ish-zv/kryeministrin që u fut në listën e zezë. Ai është zhdukur nga politika. Jo nga frika se do ta arrestonin, se u shpall “non grata”. Dhe Berisha këtu nuk u arrestua se u fut në “listën e zezë”. Kjo nuk shërben si provë. Amerikanët janë seriozë. Nuk është vetëm një institucion që merret me vendime të tilla. Janë shumë institucione. Argumentet e Berishës, që ka ndërhyrë Soros, apo McGonigal, nuk qëndrojnë.

-Si e vlerësoni punën e qeverisë aktuale? A mendoni se ka shenja përmirësimi apo probleme të reja?

Probleme ka plot. Shqipëria është një vend i varfër. Ky është problemi kryesor i këtij vendi. Vendet e varfra kanë pak mundësi që të ecin shpejt. Duan investime të huaja dhe të mëdha që të përparojnë. Këto kanë munguar. Tani po shihet turizmi si një fenomen që mund ta mbështesë ekonominë shqiptare. Këto dy vjet janë të suksesshme. Nëse vazhdon kështu në vijim, është një aktivitet që mund të ndihmojë ekonominë shqiptare, por ekonominë e mban biznesi. Qeveria mund të lehtësojë punën e biznesit, mund ta mbështesë disi, mund t’i krijojë favore.

Nuk investon në ekonomi qeveria. Ajo investon në infrastrukturë, e cila lidhet me ekonominë. Kjo është influenca vetëm. Është kapitali që ka mundësitë që të influencojë efektivisht mbi ekonominë dhe, në vende të vogla dhe të varfra si Shqipëria, janë investimet e huaja që bëjnë peshë. Deri tani nuk po shohim gjë, por shpresojmë që ndryshimi i madh të ndodhë me afrimin me Bashkimin Evropian. Kjo do t’i jepte një shtysë të madhe. Taksat nuk janë rritur. Qeveria vetëm administron fondet. Ekonomia ka ecur. Problemi i vetëm që po del tani janë pensionet, një fenomen social që ka gabimet që në fillim, pra që kur u ndërruan sistemet.

Në këtë fushë, as qeveritë e mëparshme dhe as socialistët nuk kanë marrë hapat dhe po gjendemi në një situatë të vështirë me pensionistët. Po përpiqet qeveria me bonuse, indeksim, por problemi është më i thellë. Këtë do ta quaja që duhet ndryshuar shumë shpejt. Në të tjerat, duhet të them se qeveria po investon në shkolla, shëndetësi, infrastrukturë dhe në mbrojtje. Fakti që ka para nuk është situata që ka qenë. Është dyfishuar buxheti që ka qenë 10 vite më parë.

-Si e vlerësoni performancën e SPAK deri më tani?

Unë them që po. Përveç një gjyqi që është bërë për inceneratorët e Elbasanit, nuk kemi parë ndonjë gjyq tjetër nga këto probleme që ka SPAK nëpër duar. Por fakti që ka guxuar të merret me personazhe shumë të rëndësishëm që deri dje konsideroheshin të paprekshëm, nuk e kam fjalën vetëm për Berishën. Natyrisht që ai është figura më e rëndësishme. Edhe Ilir Meta ka qenë një figurë shumë e rëndësishme. Por këtu përfshijmë edhe kryetarë bashkish. SPAK po përhapet shumë. Po futet në gjithë administratën shqiptare, pasi këtë detyrë ka. Natyrisht ka dhe luftën ndaj krimit të organizuar, por në këtë rast e kemi fjalën këtu për korrupsionin, përpjekjet që po bën për të vendosur drejtësi. Mua më duket pozitiv.

Nuk është se ka shumë kohë. 3-4 vite ka që po punon. Reforma në Drejtësi ka 6 vjet që është krijuar. Në gjithë historinë shqiptare, pas 1912, Reforma në Drejtësi është evenimenti më i rëndësishëm. Nuk ka qenë në gjendje ndonjëherë drejtësia të merret me pushtetarët. Mos flasim për 45 vjetët e socializmit, se atëherë drejtësia ishte pjesë e pushtetit. Është një eksperiencë shumë e re. Të presim 3-4 procese. Të shohim si do t’i trajtojë gjykata këto procese. Materiali që do çojë SPAK për probleme të ndryshme dhe avash-avash do të krijojmë opinionin nëse është efektiv apo po vazhdon me rrugën e drejtësisë së vjetër.

Artikuj të lidhur

Back to top button