Nga Ervis Iljazaj
Pavarëisht sulmeve të përditshme nga politika dhe sektorë të tjerë të opinionit publik, duket sikur SPAK as nuk e ka ndërmend të ngadalësojë punën e tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Tashmë është e qartë se i vetmi institucion që prodhon ndonjë lajm, është pikërisht kjo prokurori. Çdo gjë tjetër, apo nga ndonjë fushë tjetër e jetës publike duket si e paralizuar.
Vetëm dje kjo prokurori ka lëshuar disa urdhër arreste për një nga grupet kriminale më të rrezikshme të Shqipërisë. Por ajo që bëri më shumë çudi dhe tronditi opionin publik, ishte fakti se këto masa sigurie ishin edhe për gazetarë, madje gazetarë shumë të njohur të mediave shqiptare. Bëhet fjalë për gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxhën.
Nëse këto akuza do të vërtetohen, sepse ata gëzojnë prezumimin e pafajësisë, atëherë kemi prekur fundit. Shqipëria është futur në një situatë ku krimi i organizuar bënë ligjin. Deri më tani ishte vërtetuar se këto organizata kishin njerëzit e tyre në politikë, madje të zgjedhur deri në Parlamentin e Shqipërisë, kishin njerëzit e tyre në pushtetin gjyqësor dhe polici, por deri të gazetaria nuk ishte menduar.
Nëse këto akuza vërtetohen ky është një lajm i keq që na tregon se çfarë derexheje kemi përfunduar.
Shqipëria është bërë, ndoshta edhe me keq se Palermo e viteve 70-‘80 ku organizata mafioze diktonin çdo gjë. Njësoj si në Shqipëri, ato kishin informatorët e tyre në çdo sektor të jetës publike, duke filluar nga politika e deri të drejtësia, por te gazetaria, te ajo më e famshmja dhe më prezente në media italiane nuk kishin arritur kurrë. Sepse kësaj here bëhet fjalë për një nga gazetarët më të famshëm, madje më i famshmi i kronikës së zezë të Shqipërisë. Kjo do të ishte një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë shqiptare se në çfarë nivelesh është ngritur krimi i organizuar shqiptar.
Të kuptohemi, në Shqipëri ka vetëm gazetarë të kronikës dhe jo siç i quajnë rëndomtë gazetarë investigativë. Shqipërai ndoshta ka numrin më të madh të gazetarëve ‘’investigativë’ për banor, por që të tillë nuk janë. Gazetarët investigativë në vendet e tjera bëjnë investigime që çojnë politikanë apo kriminelë prapa hekurave. Në Itali, për shembull, gazetarët investigativë jetojnë me eskorta sigurie nga kërcënimet e grupeve mafioze pikërisht për investigimet që bëjnë.
Ndërsa në Shqipëri, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, me ndonjë përjashtimi të vogël në 34 vite tranzicion. Tek ne janë thjesht gazetarë të kronikës, që plasin ‘’bomba’’ nëpër studio televizive. Jo vetëm kaq, por ata janë kthyer në yjet e televizioneve shqiptare. Si në asnjë vend tjetër, i gjen kudo si njerëzit kryesorë të mediave në debatet më të rëndësishme të vendit.
Por edhe pse janë kaq shumë edhe pse janë njerëzit kryesorë të mediave shqiptare, nuk ka ndodhur asnjëherë që falë tyre të vijë ndonjë aksion policior apo hetim i rëndësishëm kundër krimit të organizuar. Kjo që ndodh me gazetarët ‘’investigativë’’ në Shqipëri është një anomali padyshim. Sigurisht, shumë prej tyre janë për t’u respektuar për punën që bëjnë, por fama që kanë në Shqipëri, tregon një anomali të Shoqërisë shqiptare.
Gjithsesi, me shpresën që në këtë hetim, ata që janë të implikuar në këto dosje, të jenë të pafajshëm, duhet thënë që nëse do të ishte e kundërta, dhe nësë vërtetë janë të përfshrirë siç pretendon prokuroria, atëherë Shqipëria është bërë vërtetë një vend i llahtarshëm për të punuar për të ndërtuar familje apo për të menduar për të bërë karrierë me ndershmëri.