
Nga ark. Artan Kacani
Në ndërtesat moderne, problemi rrallë është struktura—betoni i armuar reziston. Problemi shpesh është fasada. Në shumë projekte të viteve të fundit përdoret sistemi termoizolues me polistiren (EPS) ose panele kompozite alumini me bërthamë plastike. Këto materiale, nëse nuk shoqërohen me ndarje kundër zjarrit dhe zbatim rigoroz teknik, krijojnë të ashtuquajturin “efekt oxhaku”, duke përshpejtuar përhapjen vertikale të flakëve.
Kjo nuk është teori. Është praktikë ndërtimi. Dhe është pikërisht zona ku presioni për ulje kostosh bëhet më i dukshëm: fasada është elementi ku ndërthuren estetika, marketingu dhe kursimi.
Ky nuk është një projekt i izoluar, por pjesë e një portofoli më të gjerë zhvillimesh në Tiranë me intensitet të lartë ndërtimi, nga e njejta kompani ndertimi.
Mjafton të shohim disa shifra konkrete:
“United Towers of Tirana” → rreth 72,000 m² ndërtim mbi 4,628 m² truall (koeficient ~10.9)
“Square 21” → zhvillim mbi rreth 30,000 m² truall ish-industrial
“Eyes of Tirana” → rreth 31 kate dhe mbi 60,000 m² ndërtim
Ky është një model i qartë: maksimum ndërtimi mbi minimum toke.
Në të njëjtën kohë, zhvillime të përqendruara pranë Liqenit Artificial kanë sjellë reduktim të hapësirave të gjelbra me 40–45 hektarë në vitet e fundit. Pra, çdo metër katror i ndërtuar ka një kosto urbane konkrete.
Ky model nuk është vetëm çështje volumesh. Ka edhe një histori incidentesh.
I njëjti kompleks pranë QSUT është përfshirë nga flakët edhe më parë, rreth vitit 2021, kur ishte ende në ndërtim. Raportime nga media (shekulli).
Ndërkohë, qyteti paguan kostot.
Këto kosto nuk janë abstrakte:
– Kosto infrastrukturore: rrugë, ujë, energji, shërbime që nuk rriten në të njëjtin ritëm me ndërtimin
– Kosto mjedisore: humbje e hapësirave të gjelbra dhe rritje e ngarkesës urbane
– Kosto sociale: rritje çmimesh dhe mungesë banesash të përballueshme
– Kosto sigurie: rrezik i shtuar për banorët në rast zjarri apo emergjencash
Dhe këtu del kontradikta kryesore: ndërtohet shumë, por siguria, përballueshmëria dhe cilësia nuk rriten në të njëjtën masë.
Kjo nuk është çështje e një kompanie të vetme. Është një model zhvillimi ku:
– toka me vlerë të lartë përdoret me intensitet maksimal
– ndërtimi orientohet drejt segmenteve më fitimprurëse
– kontrolli në zbatim mbetet i dobët
Zjarri i sotëm është një ngjarje konkrete. Por ai na detyron të bëjmë një pyetje më të gjerë:
A po ndërtojmë një qytet më të mirë, apo thjesht më të dendur?
Sepse në fund, kostoja reale e këtij modeli nuk matet vetëm me metra katrorë të ndërtuar, por me sigurinë, cilësinë e jetës dhe besimin që qytetarët kanë te qyteti i tyre.



