Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKultureNdodhiOpinions

Mesazhi trondites i profesorit per studentin e ikur nga jeta

Nga Gazmend Leka-

Kristi ishte ende student në Universitetin e Arteve kur jeta iu ndërpre në atë periudhë të mallkuar të COVID-it, kur vdekja lëvizte mes nesh si një hije pa emër. Ishte një kohë kur humbëm njerëz të çmuar, njëri pas tjetrit, si në një kronikë të zymtë mesjetare, kur sëmundjet merrnin jetë pa paralajmërim e pa mëshirë. Emra që nuk duhej të mungonin më kurrë, e megjithatë mungojnë, si Besim Tula, Mustafa Arapi, Arben Bajo e Lume Blloshmi.
Babai i Kristit, Nesti, një ditë më kërkoi të shkruaja diçka për të birin. Ndoshta sepse e dinte që Kristi vinte shpesh tek unë, më dëgjonte, më pyeste, kërkonte një fjalë, një drejtim. Ishte nga ata studentë që nuk kërkojnë vetëm dije, por edhe një shenjë besimi.
U ula të shkruaj.
“Është një padrejtësi e madhe që nxënësi të largohet nga jeta përpara profesorit.”
Pastaj… asgjë.
Fleta mbeti e bardhë. Mendja u mbyll si një derë që nuk hapet nga brenda. U përpoqa ditë me radhë të gjeja fjalinë e dytë, një vazhdim, një urë mes meje dhe dhimbjes, por nuk erdhi. Si të më ishte mohuar e drejta për të folur. Si të më ishte tharë gjuha përballë një padrejtësie që nuk pranon shpjegim. E vuaja atë heshtje. Jo vetëm për veten time, por edhe për babanë e tij. Mendoja se ai mund ta lexonte këtë mungesë fjalësh si indiferencë. Dhe kjo më rëndonte më shumë se çdo fjali e pashkruar. E hëngra turpin me bukë, në heshtje, duke e ditur që ndonjëherë dhimbja nuk përkthehet dot në gjuhë.
Ndoshta… ajo fjali e vetme kishte thënë gjithçka.
Kristi ishte 30 vjeç e unë, 68.

Artikuj të lidhur

Back to top button