
Nga Irena Beqiraj-
E mblodha durimin dhe pashë dje Opinion, ku ishin të ftuar përfaqësues të tri partive opozitare, studentë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë.
Ndërsa midis partive të vogla opozitare dhe studentëve ndihej një frymë bashkëpunimi, qëndrimi i përfaqësuesit të Partisë Demokratike, forcës më të madhe opozitare në Parlament, Gazment Bardhi, ishte, në gjykimin tim, i gabuar. Pa dyshim, ai ndodhej në një pozicion të pafavorshëm. Partitë e tjera opozitare distancohen nga PD-ja, jo vetëm për shkak të rivalitetit politik, por edhe sepse lidershipi i saj mbart peshën e së kaluarës, me precedentët e keqqeverisjes, dhunës politike dhe prirjeve autoritariste.
Studentët e shprehën qartë se qëllimi nuk është thjesht rrëzimi i Edi Ramës, por ndryshimi i sistemit personalist që ka asfiksuar demokracinë brenda partive dhe, më pas, në shoqëri.
Gazment Bardhi, elokuent dhe agresiv në sulmin ndaj Adriatik Lapajt, m’u duk si vëllai i Zeqinesë: shumë zell për të sulmuar, pak gatishmëri për të reflektuar.
Kur përfaqëson partinë që ishte në pushtet kur u hodhën themelet e sistemit aktual, mbrojtja përmes sulmit nuk është as politikisht e mençur, as moralisht bindëse. Më politike do të ishte të mbrohej duke pranuar përgjegjësinë.
Po, përgjegjësinë !
Nëse sistemit politik shqiptar, arkitektët e të cilit janë Berisha dhe Rama, do t’i vendosnim një sinonim ekonomik, ai do të ishte fjala industri. Një industri ku aktorët kryesorë, përtej funksionit të tyre publik, prodhojnë dhe shpërndajnë përfitime private, politike e ekonomike. Nga kjo perspektivë, sistemi ynë politik ngjan me një duopol të dominuar nga dy lojtarë kryesorë: PD-ja dhe PS-ja.
Secila parti ka ndërtuar kompleksin e vet industrial politik, ku ndërthuren interesat e grupit partiak, oligarkëve, mediave, konsulentëve, analistëve dhe aktorëve të tjerë që përfitojnë nga funksionimi i sistemit ekzistues.
Por ndërsa,në një treg normal, konkurrenca do të sillte risi dhe përmirësim të ofertës, në tregun politik të mbyllur shqiptar, ajo është kërcënim për interesat e lojtarëve të konsoliduar.Ndaj ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë qenë ndër rastet më domethënëse të bashkëpunimit mes dy partive kryesore, duke krijuar rregulla që kanë vështirësuar hyrjen e alternativave të reja dhe kanë favorizuar ruajtjen e pozitave dominuese.
Prej 13 vitesh, strategjia e PD-së për të ardhur në pushtet mbështetet kryesisht te mobilizimi i pakënaqësisë ndaj qeverisë, duke u përpjekur të bindë votuesit se përfaqëson alternativën më të mirë, ose të paktën të keqen më të vogël.
Por koha tregoi se pakënaqësia ndaj qeverisë nuk prodhon automatikisht besim te opozita.
Protestat po nxjerrin në pah një kërkesë që shkon përtej rotacionit politik: ndryshimin e mënyrës se si organizohet dhe ushtrohet pushteti. Studentët dhe grupimet e reja nuk kërkojnë thjesht zëvendësimin e një kryeministri me një tjetër, por demokraci brenda partive, llogaridhënie dhe konkurrencë reale politike.
Pikërisht këtu qëndron sfida për PD-në.Ajo ose do të pranojë përgjegjësinë e saj historike për konsolidimin e duopolit dhe do të bëhet pjesë e një procesi real ndryshimi, ose do të mbetet peng i së njëjtës logjikë politike që ka prodhuar mosbesim.
Sot, Shqipërisë nuk i duhet thjesht një koalicion për të rrëzuar qeverinë, por një marrëveshje politike për të ndryshuar rregullat e lojës. Një marrëveshje që garanton konkurrencën e ndershme, demokratizimin e partive, pavarësinë e institucioneve dhe kufizimin e ndikimit të interesave private mbi vendimmarrjen publike.
PD-ja ndodhet në një udhëkryq: Ose pranon me përulësi përgjegjësinë e saj për konsolidimin e sistemit duopolistik dhe bashkëpunon me forcat e reja për ndryshimin e rregullave të lojës, ose rrezikon të përjetojë fatin e opozitës tradicionale serbe.
Zhvillimet politike në Serbi kanë dhënë një mesazh që vlen për opozitën shqiptare : Asnjë parti nuk ka monopolin e përjetshëm mbi opozitën. Ajo që sot duket e pazëvendësueshme, nesër mund të bëhet e panevojshme.
Prandaj, sfida e PD-së nuk është më thjesht të rrëzojë Edi Ramën por të dëshmojë se është e gatshme të ndryshojë vetë sistemin që e ka mbajtur atë dhe PS-në në qendër të politikës shqiptare.
Nëse nuk e kupton këtë, PD-ja rrezikon të zbulojë se Edi Rama nuk është kërcënimi i saj më i madh. Kërcënimi i vërtetë është lindja e një opozite që mund të bëjë pa të.
Edhe nuk ka ironi më të madhe sesa të mbetesh jashtë loje, duke këmbëngulur se je lojtari kryesor!
PS. Militantët e PD -së mos të lodhen duke më sharë në komente , sepse jam e trajnuar më së miri nga patronazhistët e PS -së ! Kam fituar imunitet !



