
Nga Dardan Asimi-
Doli nga shtypi këto ditë në Tiranë botimi i ri i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni me titull “Dorëzimi i armëve-sprovë për një foto të hershme të Kel Marubit”. Libri është shtypur nën kujdesin e entit botues “Arte Graphic”. Zanafilla e librit fillon rreth 25 vite më par, më 2001, kur është botuar së pari analiza për foton “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shalës” (1922) të fotografit të shquar Kel Marubi, në revistën “XXL” që drejtohej atëherë nga publicist i njohur Fatos Baxhaku. Shtojmë se, me këtë artikull autori Qerim Vrioni nisi rrugëtimin në fushën e studimit të fotografisë, jo shumë e lëvruar ato kohë në vend.
Foton me këtë titull autori i analizës e gjeti në botimin e njohur anglez “The Photo Book” (1999) të shtëpisë botuese “Phaidon” midis 500 fotove më të mira në historinë botërore të fotografisë. Në atë artikull u shpërfaq narrativa e fotos që ishte çarmatimi i popullsisë civile, ose më ndryshe dorëzimi i armëve. Mandej, shkrimi për foton u zgjerua duke u botuar në organe të ndryshme shtypi përherë edhe me të dhëna të reja. Në formën përfundimtare shkrimi u botua në dyfaqshin e brendshëm të “Gazeta Shqiptare” në maj 2002.
Prej atëherë, shkrimi botohej kryesisht nën titullin “Dorëzimi i armëve në një foto të Kel Marubit” dhe fotoja me emrin e ri “Dorëzimi i armëve”, madje edhe në median elekronike, albume dhe libra përveç organeve të shtypit të shkruar. Pra, kështu nisi të emërtohej fotoja dhe jo me atë origjinal, “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktarii Shalës”. Kohët e fundit, autori vendosi t’a zgjerojë artikullin me të dhëna të reja të hulumtuara në botime të hershme dhe ta hedhi në qarkullim si libër më vete me titullin “Dorëzimi i armëve-sprovë për një foto të hershme të Kel Marubit”. Bashkëpuntorë të ngushtë të autorit gjatë përgatitjes së librit janë : redaktori, shkrimtari Pandeli Koçi, autorja e ballinës, artistja Merita Toçila, faqosësja Adriana Matraku, fotografi i fotos së autorit, mjeshtri Ernest Baba, botuesja e “Arte Graphic” Artemida Arbri dhe autori i parathënies, shkrimtari dhe publicisti Aleksandër Çipa. Shtojmë se, “Dorëzimi i armëve” përbënë botimin e tetë të autorit në fushën e studimit të fotografisë. Libri paraqitet me lidhje speciale e ballinë të fortë dhe shitet në libraritë “Librari Art’s” dhe “Adrion” në Tiranë.



