
Nga Dashnor Kokonozi-
Natyrisht, kur shkel në një vend si Spanja, përballesh edhe me gjurmë të errëta.
Kështu na ndodhi në Galisteo, një qytezë-kala e Extremadurës, e mbështetur mbi brigjet e lumit Jerte. Pas darkes, megjithë raskapitjen, duke respektuar zakonin e
Ishte një mbrëmje e vonë vjeshte. Mbi gurët e vjetër po shuhej drita e fundit e ditës dhe era sillte atë qetësinë e veçantë që kanë vetëm vendet ku koha duket sikur ka mbetur pezull.
Përfytyroja legjionet romake që kishin kaluar nëpër këto anë, ushtarët e kalifateve arabe, kalorësit e rikonkistës, flamujt që ishin ngritur e rrëzuar mbi këto kulla. Historia, aty, dukej sikur ende merrte frymë.
Në një cep të sheshit përballë mureve na ra në sy një ndërtim i çuditshëm prej guri. Ishte një platformë katrore, me atë ngjyrën e verdhë të granitit të vjetër. Në njërën anë një lloj ndenjëseje guri, në mes një trung i shkurtër po prej guri, pjesa e sipërme e të cilit formonte një hark të pazakontë.
Nuk ngjante me asgjë që kisha parë më parë.
Pak më tutje, një çift të moshuarish po kundronin horizontin. I pyeta se çfarë ishte.
Ata buzëqeshën sapo morën vesh se vinim nga Franca.
Kjo është gijotina jonë, – tha burri. – Quhet La Picota.
Pastaj tregoi me dorë drejt harkut prej guri. Aty vendoset qafa e të dënuarit. Pastaj bënte punën e vet xhelati.
Fjalët e tij ranë mbi atë qetësi mbrëmjeje si një copë e ftohtë hekuri sopate. Sa koka kishin rënë aty? Sa njerëz kishin pritur me sytë e ulur goditjen e fundit?
Megjithatë vëmendjen ma tërhoqi edhe diçka tjetër. Ndenjësja prej guri.
Po kjo? – pyeta.
Këtu ulej mbretëresha ose përfaqësuesi i sovranit kur shpallej vendimi dhe kryhej ekzekutimi, na shpjeguan ata.
Pikërisht ky detaj më bëri më shumë përshtypje se vetë trungu i dënimit.
Vendi i ekzekutimit, i ngritur përballë hyrjes së kalasë, jepte një mesazh të qartë për këdo që i afrohej atyre anëve : ligji aty ishte i pranishëm dhe nuk falte. Por froni prej guri fliste për diçka edhe më të thellë. Fliste për përgjegjësinë e pushtetit.
Në atë gur, pushteti pranonte publikisht përgjegjësinë e tij.
Sot, shpesh e paraqesim pushtetin si diçka abstrakte, pa fytyrë. Atëherë ai kishte fytyrë. Kishte emër. Kishte kurorë. Dhe nuk ngurronte ta pranonte se jeta dhe vdekja kalonin përmes vulës së tij.
Ndoshta ishte më mizore. Por ishte edhe më e sinqertë.
Të moshuarit, të argëtuar nga kureshtja jonë, deshën të improvizonin një shfaqje të vogël si kryhej ekzekutimi. Meqë lëviznin me vështirësi, një grua që më shoqëronte në atë udhëtim të paharruar u ofrua menjëherë të luante rolin e të dënuarës. Pa u menduar gjatë, vendosi kokën në harkun e gurit.
Mua më mbeti detyra e pëlqyer e çdo pushtetari të vogël: të shpallja vendimin.
Çifti i të moshuarve mori rolin e publikut.
Për pak çaste, nën dritën e purpurt të mbrëmjes së Extremadurës, historia u kthye në teatër. Të katërt qeshëm me atë skenë absurde, ndërsa muret e Galisteos, që kishin parë luftëra, gjyqe e ndoshta ekzekutime të vërteta, vazhdonin të qëndronin në heshtje.
Ndoshta sepse e dinin më mirë se ne se çdo dramë njerëzore, sado e rëndë të duket në çastin e saj, me kalimin e shekujve përfundon duke u bërë histori. Dhe historia, herë pas here, di (edhe) të buzëqeshë.



