
Nga Enver Robelli-
Natyrisht që ishte krejtësisht e pavend, madje përbuzëse, e neveritshme, e dënueshme gjuha që përdori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundër opozitës me shprehjen “hajvanë”.
Natyrisht që ka qenë përbuzëse, e neveritshme, e dënueshme gjuha e Albin Kurtit kur – para disa viteve – tha se s’ka mbetur gjë tjetër veçse Hashim Thaçi ta martojë djalin me vajzën e Aleksandër Vuçiqit. (Kam protestuar me gjithë çfarë kam mundur ndaj kësaj gjuhe të Kurtit, është e dokumentuar).
A do të kërkojë falje Albin Kurti për gjuhën e tij të përdorur të dielën në mesantë? Nuk e besoj. Edhe ai është shqiptar krenar. Krenar deri në vetëfundosje.
Por do të doja t’i pyesja disa që po i shoh duke u shqetësuar shumë për gjuhën e Kurtit të dielën:
A u shqetësuat dhe a protestuat kur disa politikanë të opozitës thanë se Albin Kurti është spiun i Serbisë?
A u shqetësuat dhe a protestuat kur disa politikanë të opozitës e krahasonin me Aleksandër Rankoviqin, xhelatin e shqiptarëve të Kosovës?
A u shqetësuat dhe a protestuat kur disa politikanë të opozitës (dhe borizanët e tyre) thoshin “më shumë i besoj një ‘shkavi’ të Beogradit se Albin Kurtit”?
A u shqetësuat dhe a protestuat kur nga distanca Albin Kurtit i lexohej diagnoza psikiatrike?
Jo, nuk u shqetësuat për asgjë. Sepse ju nuk shqetësoheni për asgjë! Pos për xhepin tuaj! Hipokritë!
Albin Kurti ka qeverisur kryesisht dobët dhe ka kaluar papritur mirë në këto zgjedhje!
Për qeverisjen e dobët meriton kritikë 24 orë pandërprerë, por të faktuar.
Por ta quash “spiun të Serbisë”, ta përshkruash si “të sëmurë psikik” – kjo është po aq e ndyrë sa të hamendësosh mbi krushqinë mes familjes Thaçi dhe Vuçiq.
Mund të ketë njerëz në rrethin e Kurtit që kanë përlyer duart – i mbetet drejtësisë si detyrë primare t’i ndriçojë këto dyshime e akuza -, por a janë duke gënjyer këto organizata të mëdha e serioze ndërkombëtare të cilat, duke u bazuar në hulumtimet e tyre, kanë arritur në përfundimin se, megjithatë, ka rënie të korrupsionit masiv, sistemik dhe institucional në Kosovë?
Gara politike do të duhej të ishte garë e ideve dhe argumenteve. Jo garë kush po prodhon më shumë helm e dashakeqësi. Kush po i nxjerr titujt më toksikë dhe kush po i përhapë thashethemet më efikase. Kush po e dehumanizon “kundërshtarin” në mënyrë më vrastare dhe kush po arrin t’ia fusë thikën tjetrit vetëm pse ka mendim tjetër.
Sot është e martë, ende nuk kanë dalë rezultatet definitive të zgjedhjeve. Për askënd nuk ka ndodhur kiameti. Kosova është aty ku ishte javën që shkoi. Asnjë parti deri më tani nuk i ka kundërshtuar rezultatet preleminare. Kjo është shenjë e mirë. Kosova është e të gjithëve!
Kosova është sidomos e atyre që për interesa të shtetit kapërcejnë hijen e vet dhe bëjnë kompromise. Kosova më së paku është e pisave! Lini në pisllëkun e tyre, injoroni, kudoqofshin. Le të vegjetojnë në inatin e tyre, në cinizmin e tyre, në mllefin e tyre, në intrigat e tyre.
Ata që u lindën më 1999, sot janë 26 vjeçarë – ata s’kanë kohë për marrëzitë e politikës së bodrumeve, ata kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre. Ata duan ajër të pastër! Shkolla të mira! Vende pune! Ushqim të shëndetshëm! Infrastrukturë moderne! Planifikim hapësinor të mirë! Mbrojtje të ambientit! Ata duan dhe kanë të drejtë të kërkojnë atë që e kanë shumë bashkëmoshatarë të tyre anekënd Europës: të drejtën për të jetuar një jetë të dinjitetshme!