Aktualitet/LajmeBotaKryesoreRajoni

Mbi 1,600 gazetarë të vrarë në 20 vite, 86% e rasteve pa drejtësi/ UNESCO ngre alarmin

Sot, më 2 nëntor, shënohet Dita Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve, një ditë e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të tërhequr vëmendjen ndaj dhunës dhe kërcënimeve me të cilat përballen gazetarët në mbarë botën.

Të dhënat e UNESCO-s tregojnë se mes viteve 2006 dhe 2025 janë vrarë mbi 1,600 gazetarë në mbarë botën, ndërsa afro 6 në 7 raste të këtyre vrasjeve mbeten ende të pazbardhura nga drejtësia. Vetëm gjatë viteve 2024 dhe 2025, 189 gazetarë u vranë në sulme të dhunshme, ku 67 për qind e rasteve ndodhën në zona konflikti.

Në raportin e saj më të fundit, UNESCO thekson se pandëshkueshmëria mbetet një nga problemet më shqetësuese për lirinë e medias. Për herë të parë që nga nisja e matjeve në vitin 2012, niveli global i pandëshkueshmërisë është rritur me një pikë përqindjeje, duke arritur në 86 për qind.

Kjo do të thotë se pothuajse nëntë nga dhjetë vrasje të gazetarëve mbeten pa u zgjidhur përmes sistemit gjyqësor. Organizata paralajmëron se mungesa e ndëshkimit jo vetëm që u mohon drejtësinë viktimave dhe familjeve të tyre, por krijon edhe kushte për përsëritjen e sulmeve ndaj gazetarëve.

Tema e këtij viti është “Kërcënimet evoluojnë, pandëshkueshmëria vazhdon”, duke vënë në fokus mënyrat e reja përmes të cilave gazetarët kërcënohen, veçanërisht përdorimin e teknologjive të reja dhe armëve në zonat e konfliktit.

Dita Ndërkombëtare u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2013. Data 2 nëntor u zgjodh në kujtim të dy gazetarëve francezë, Ghislaine Dupont dhe Claude Verlon, të cilët u vranë në Mali më 2 nëntor 2013.

Përmes kësaj dite, OKB-ja dhe UNESCO u bëjnë thirrje shteteve të garantojnë sigurinë e gazetarëve, të hetojnë sulmet ndaj tyre dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e krimeve, duke theksuar se mbrojtja e gazetarëve është thelbësore për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e publikut për informim.

Artikuj të lidhur

Back to top button