
Nga Enver Robelli-
Giuliano da Empoli, shkrimtar dhe këshilltar politik
(pjesë nga një intervistë në gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”)
1.
Abraham Lincoln ka thënë dikur: nëse do të njohësh karakterin e vërtetë të një njeriu, jepi pushtet. Dhe kjo është e vërtetë: krerët e shteteve dhe të ndërmarrjeve ndryshojnë befas. Unë e quaj paradoksin e pushtetit. Për të ardhur në pushtet, duhet t’i kuptosh njerëzit: çfarë duan, çfarë kanë nevojë. Duhet të jesh i mprehtë dhe i ndjeshëm. Por sapo ke arritur në pushtet, e humb këtë dhunti, sepse njerëzit duan të të pëlqejnë ose të të përdorin. Të lajkatojnë, nuk janë më të ndershëm, si në një oborr princëror. Kjo fryn egon. Mendon se ke gjithmonë të drejtë. Prandaj këshilltarët kritikë janë kaq thelbësorë.
2.
Politikanët luajnë një rol në publik, si në një shfaqje teatrale. Ronald Reaganin një herë e pyetën si kishte bërë vaki që një aktor të hynte në Zyrën Ovale. Ai u përgjigj: nuk e kuptoj si mund të bëhet dikush president i Shteteve të Bashkuara pa qenë aktor. Sot politika dhe argëtimi shkrihen gjithnjë e më shumë.
3.
Një grabitqar lëviz në një mjedis ku nuk ka rregulla dhe ku realiteti krijohet përmes veprimit agresiv. Këtë sjellje e shoh sot në politikën botërore. Janë duke vepruar politikanë që nuk kujdesen për të drejtën ndërkombëtare dhe për traktatet në fuqi, ata shkaktojnë kaos, duan të krijojnë fakte të kryera. Një etje për luftë e ka pushtuar planetin, dhe jo vetëm regjimet autoritare. Shpërthimi i dhunës ndjek një logjikë që historianëve ushtarakë u është e njohur prej kohësh.
4.
Por risia radikale është se grabitqarët politikë të kohës sonë mbështeten nga gjigantët teknologjikë të Silicon Valley, nga Musk-ët dhe Zuckerberg-ët, të cilët sillen gjithashtu si grabitqarë. Ata kanë motive të ndryshme, por nuk duan asnjë rregullim, krejt sipas motos së dikurshme të Facebook-ut: “Move fast and break things” (Lëviz shpejt dhe thyej gjërat). Fuqia në rritje e konkuistadorëve (pushtuesve) dixhitalë është frikësuese.
5.
Nuk jam njeri kundër teknologjisë. Por këtu shohim dështimin e kontrollit shtetëror në një fushë vendimtare. Problemi nuk është inteligjenca artificiale, por rregullimi i saj. Jetojmë në një botë të çuditshme që po na del gjithnjë e më shumë nga kontrolli. Shumica prej nesh nuk kanë më kontroll në sferën dixhitale, edhe sepse nuk e kuptojmë vërtet inteligjencën artificiale me algoritmet dhe shpejtësinë e saj. Dhe shumë politikanëve u ndodh e njëjta gjë.
—————————————–
Giuliano da Empoli është autor i romanit bestseller “Magu i Kremlinit”, në shqip botuar nga Buzuku. Libri i tij më i ri mban titullin: Koha e grabitqarëve. Pushteti dhe dhuna e princërve të rinj.
Da Empoli u lind në Paris në vitin 1973 në një familje zvicerano-italiane. Studioi shkenca politike, ishte zëvendëskryetar i bashkisë dhe përgjegjës për kulturën në Firence dhe këshilltar politik i kryeministrit të Italisë Matteo Renzi. Giuliano da Empoli drejton qendrën e studimeve Volta në Milano dhe jeton në Paris.



