
Intervistë me ekspertin e Ballkanit dhe ish-analistin e lartë të CIA-s, Dr. David Kanin, mbi krizën politike në Shqipëri, vendimet e Dhomave të Specializuara dhe politikën e SHBA-së në Ballkan.
Nga Keida Kostreci
Një ekspert i çështjeve të Ballkanit në Uashington dhe ish-analist i lartë i CIA-s, thotë se arrestimi i ish-shefes së Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH), Vlora Hyseni, dëmton rëndë “besueshmërinë e shërbimit informativ shqiptar”. Në një intervistë me Keida Kostrecin, Dr. David Kanin, profesor në Universitetin Johns Hopkins, e vendos përgjegjësinë politike për këtë rast drejtpërdrejt mbi kryeministrin Edi Rama, duke theksuar: “Ai është kryeministri dhe ajo ishte shefja e tij e zbulimit”. Sipas Dr. Kanin ky arrestim veçse “i shton hijet e dyshimit rreth qeverisë”, ashtu si edhe mosbesimin publik në rritje për “marrëveshjet e jotransparente të biznesit” të lidhura me anëtarë të familjes Trump, të cilat nxitën protestat e Revolucionit të Flamingove.
Lidhur me dinamikat rajonale, Dr. Kanin—ish-anëtar i delegacionit të SHBA-së në bisedimet e paqes në Rambuje për Kosovën në vitin 1999—argumenton se pritshmëritë se proceset e gjykatave do të sjellin pajtim në Ballkan janë absurde dhe se nuk ka asnjë provë për “ndonjë pajtim të vërtetë”. Ai i sheh nën këtë dritë, edhe vendimet e Gjykatës Speciale në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre udhëheqësve të tjerë të lartë të UÇK-së. Dr. Kanin shpreh shqetësimin për ndryshimin e angazhimit të Uashingtonit në rajon, që sipas tij po priret drejt marrëveshjeve dypalëshe biznesi të mbështetura tek interesat, si dhe për ndryshime më të thella “strukturore” në angazhimin global të SHBA-së.
Keida Kostreci: Zoti Kanin, fillimisht doja të dija reagimin tuaj lidhur me ngjarjet e fundit në Shqipëri, ku ish-drejtuesja e shërbimit të zbulimit (Vlora Hyseni) u vendos në arrest shtëpie dhe më pas u pezullua nga detyra. Cila është rëndësia e kësaj ngjarjeje?
David Kanin: Sigurisht që kjo ngjarje ka rëndësi në disa aspekte: Së pari, cenon besueshmërinë e shërbimit shqiptar të zbulimit. Fakti që drejtuesja e tij arrestohet me akuza që duket se mbështeten në argumente dhe prova mesa duket të besueshme, është një çështje serioze; jam i sigurt se kjo do të nxisë një proces reflektimi të brendshëm në atë agjenci dhe do të ngrejë pikëpyetje mbi besueshmërinë e atyre që bashkëpunojnë me të. Së dyti, kjo pasqyron sërish natyrën e përhapur gjerësisht të politikës së klientelizmit – atë që ne e quajmë korrupsion, i cili është vetëm maja e ajsbergut të klientelizmit – si dhe forma të tjera të aktiviteteve informale që minojnë institucionet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit dhe më gjerë.
Keida Kostreci: Kryeministri i vendit (Edi Rama) reagoi, duke e shkarkuar zonjën Hyseni nga detyra por edhe duke u distancuar nga ky rast, pasi pothuajse menjëherë diskutimi u përqendrua te përgjegjësia politike e një kryeministri, kur drejtuesja e zbulimit përfshihet në veprime të tilla. Ai deklaroi se bëhet fjalë për përgjegjësi individuale dhe se nuk kishte dijeni për asnjërën prej çështjeve. Por, sipas jush, a ekziston një përgjegjësi politike?
David Kanin: Absolutisht! Ai është kryeministri dhe ajo ishte shefja e tij e zbulimit. Dhe nuk mund të injorohen akuzat e tjera për shkelje nga ana e kryeministrit dhe qeverisë lidhur me një sërë çështjesh, përfshirë sigurisht edhe ato që kanë nxitur protestat e Revolucionit të Flamingove. Nëse është e vërtetë se në atë zonë planifikohet ndërtimi i më shumë se një kompleksi turistik me përfshirjen e familjes Trump, kjo është shumë serioze. Arrestimi i drejtueses së zbulimit shton hijet e dyshimit që rëndojnë mbi qeverinë për një sërë çështjesh. Dhe kjo është diçka shqetësuese.
Keida Kostreci: Kryeministri Rama ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, por gjithashtu ka thënë se protestat janë nxitur nga forca keqdashëse apo algoritme, si edhe nga grupe të ndryshme. Duke vepruar kështu, ai në njëfarë mënyre minimizon peshën e këtyre protestave që vazhdojnë prej disa muajsh. Dhe kjo ndodh menjëherë pas shumë akuzave dhe proceseve të tjera ndaj zyrtarëve të lartë, anëtarëve të kabinetit të tij. Si ta interpretojmë gjithë këtë situatë, kur kryeministri këmbëngul se “drejtësia po bën punën e saj dhe procesi është i drejtë. Ne punuam për të ndërtuar sistemin e ri të drejtësisë kundër korrupsionit”? Pra, po i rikthehem pikës sime të mëparshme: zoti Rama po përpiqet të distancohet nga çdo gjë që po ndodh në Shqipëri dhe që mund të ketë pasoja politike…
David Kanin: Ai flet gjithmonë për procesin dhe thotë se gjithçka po shkon mirë, e më pas bën atë që do vetë. Fakt është se protestuesit kanë të drejtë të jenë të shqetësuar për çështjet ekologjike, politike dhe në fakt, për gjithë sferën e ndikimit të aktorëve informalë – si dhe familjes Trump në bashkëpunim me kryeministrin – lidhur me këto marrëveshje biznesi jotransparente. Pra, arrestimi i kreut të shërbimit sekret është, natyrisht, një turpërim i madh për Ramën, sepse shton dyshimet rreth veprimeve të tjera të tij. Ky incident i fundit, thjesht i shtohet atmosferës së përhapur gjerësisht të shkeljes së ligjit, ose së paku mungesës së transparencës. Ai e di këtë dhe prandaj përpiqet t’i etiketojë të gjithë të tjerët si keqdashës, ndërkohë që po rritet ndjesia se, në fakt, njerëzit përreth tij dhe vetë aktivitetet e qeverisë mund të jenë ato që janë keqdashëse.
Keida Kostreci: Sipas jush si ekspert, cili do të ishte reagimi i duhur, kur këto ndodhin ndërsa është ai në krye të qeverisë dhe kur ai ka qenë në pushtet për kaq shumë vite – mbi një dekadë vetëm si kryeministër?
David Kanin: Hapi i parë është të distancohet nga hetimi ndaj kreut të shërbimit sekret. Ai hetim duhet të kryhet nga njerëz të besueshëm, që të mos jenë absolutisht të lidhur me qeverinë apo me strukturën e pushtetit. Hetimi duhet të gëzojë besueshmëri në sytë e publikut dhe të lejohet të zhvillohet duke ndjekur provat. Ky do të ishte hapi i parë pozitiv. Megjithatë, kjo nuk do ta largojë hijen e dyshimit që rrethon çështjet që kanë lidhje me kryeministrin, veçanërisht marrëveshjet e biznesit me familjen Trump.
Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku po ndodh një gjë e tillë. Duke e parë si amerikan, ekziston një shqetësim i madh në vendin tonë lidhur me aktivitetet e familjes Trump, si brenda ashtu edhe jashtë vendit – fakt që shpjegon pjesërisht interesin e madh për zgjedhjet e mes-mandatit – çka tregon se çështja i kalon kufijtë e Shqipërisë. Por nëse Shqipëria do të ndjekë një luftë ndaj fenomeneve negative, ajo duhet të veprojë në mënyrë ligjore dhe transparente lidhur me çështjen e shefes së shërbimit të zbulimit dhe aktiviteteve të saj, por edhe në lidhje me marrëveshjet e biznesit që kanë shkaktuar kaq shumë protesta.
Keida Kostreci: Le të kthehemi te rasti i zonjës Hyseni. Cilat janë pasojat – përsa i takon akuzave për ndarjen e informacionit dhe ndihmën e dhënë ndaj një figure (të akuzuar) për krim të organizuar – tek pozita e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s dhe, që si e tillë, ka kapacitete për shkëmbimin e informacioneve të ndjeshme?
David Kanin: Nuk ka dyshim që këto janë çështje sigurie që do të trajtohen brenda NATO-s dhe nga shërbimet e zbulimit që bashkëpunojnë me shërbimin shqiptar të zbulimit; kjo do të hedhë më tej hije dyshimi mbi besueshmërinë e këtij të fundit. Kjo është padyshim një pjesë e problemit. Por çështja më e gjerë është se gjëra të tilla po ndodhin kudo – me ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë. Kjo është dukuri e zakonshme; nuk ka asgjë të pazakontë. Ky është problemi i vërtetë. Po mësohemi me faktin që kjo ndodh kudo dhe vazhdimisht; kjo është e rrezikshme dhe minon thellësisht çdo koncept të shtetit ligjor dhe çdo besim te institucionet. Dhe duke qenë se ky është thelbi i apelit të Perëndimit ndaj rajonit dhe i kërkesave perëndimore për zhvillim politik në rajon, kjo është çështje shumë serioze.
Keida Kostreci: Megjithatë, kryeministri theksoi se nuk ka pasur shqetësime të shprehura nga partnerët perëndimorë apo ata të NATO-s dhe se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Ju po e analizoni këtë si ekspert i rajonit, por nuk kam parë ndonjë reagim zyrtar nga ana e partnerëve.
David Kanin: Nuk ka arsye për një reagim zyrtar, sepse ky hetim sapo ka filluar dhe nuk ka kuptim që partnerët të bëjnë bujë për diçka që sapo ka nisur të hetohet. Megjithatë, mendoj se ka shqetësime të mëdha lidhur me atë që po ndodh me qeverinë shqiptare. Të gjitha këto zhvillime që po ndodhin atje së fundmi, këto problemet dhe protestat, padyshim që po tërheqin vëmendje – dhe jo në mënyrë pozitive.
Keida Kostreci: Zoti Kanin, si dikush që ka punuar për CIA-n, si mund t’i shpjegoni në mënyrë të kuptueshme implikimet dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje?
David Kanin: Marrëdhëniet e punës midis agjencive të zbulimit nuk dëmtohen gjithmonë rëndë kur dikush në krye të njërës prej këtyre agjencive akuzohet për këtë lloj aktiviteti. Çdo vend ka politikën e vet dhe herë pas here ka pasur hije dyshimi mbi drejtuesit e CIA-s për çështje të ndryshme – jo si në rastin e këtij personi në Shqipëri, por gjëra të tilla ndodhin – ndonjëherë pa ndikuar në marrëdhëniet normale midis agjencive.
Megjithatë, nuk është gjithmonë kështu. Mendoj se kushdo që punon me shërbimin shqiptar të zbulimit – në nivel partnerësh apo kolegësh, apo në nivelin operacional, analist me analist – duhet ta ketë parasysh këtë dhe të tregohet i kujdesshëm për t’u siguruar që asnjë nga aktivitetet për të cilat akuzohet kreu i zbulimit, të mos cenojë besueshmërinë e partnerëve të tyre në Shqipëri apo të ndikojë në marrëdhënien e punës. Sigurisht, kjo do të jetë diçka që ata do ta kenë parasysh.
Nëse kjo do të bëhet çështje parësore për ta, mendoj se do të varet nga ecuria e hetimeve.
Keida Kostreci: Kryeministri Rama, siç e përmenda, ka thënë se partnerët nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim. Megjithatë, si ta vendosim këtë në kontekstin e synimeve të Shqipërisë? Shqipëria kërkon të bëhet anëtare e BE-së. Zoti Rama ka thënë se po bën gjithçka për ta bërë këtë të mundur dhe Ursula von der Leyen, e cila ishte në Shqipëri, e konfirmoi këtë. Pra, a ka një hendek, a ka dallim midis asaj që thonë zyrtarët dhe asaj që tregojnë këto ngjarje për gjendjen e institucioneve dhe demokracisë në vend, pavarësisht objektivave institucionale?
David Kanin: Absolutisht, ka një hendek të qartë! Kemi këtë retorikë, ose më saktë mungesë prononcimi. Vizita e Von der Leyen-it kishte disa synime dhe njëri prej tyre ishte të mos përfshihej në politikën e Shqipërisë apo në këtë çështje konkrete, sepse po përpiqej të përcillte një mesazh për vendet ku nuk shkoi. Ajo donte t’u përcillte një mesazh Serbisë dhe Bosnjës: “Erdha këtu dhe nuk erdha te ju”. Dhe nëse ajo përfshihej tek ky problem në Shqipëri, do të zbehej ai mesazh.
Nuk më habit fakti që ajo nuk donte të merrej me këtë çështje, ose të përfshihej sa më pak të ishte e mundur gjatë kësaj vizite.
Megjithatë, të gjithë e dinë se Shqipëria ka mbetur pas Malit të Zi, ndërkohë që para pak vitesh Shqipëria ishte në një nivel me Malin e Zi në garën se cili prej vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor do të hynte i pari në Bashkimin Evropian.
Tani nuk ka dyshim se Mali i Zi është në krye dhe Shqipëria ka mbetur prapa – ashtu si edhe Maqedonia e Veriut – dhe sjellja e kryeministrit lidhur me këto marrëveshje biznesi me familjen Trump, si dhe lidhur me sundimin e ligjit e çështjet e medias në përgjithësi në Shqipëri, padyshim që e kanë ngadalësuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Për këtë nuk ka dyshim, pavarësisht se çfarë thonë zyrtarët e lartë në takimet e tyre.
Keida Kostreci: Sipas jush, cili është ndryshimi midis luftës ndaj korrupsionit pasi ai ka ndodhur – dhe zoti Rama ka thënë se është krenar për punën që ka bërë sistemi i drejtësisë dhe struktura antikorrupsion – dhe parandalimit të tij, në mënyrë që të mos ndodhë? Ka analistë në Shqipëri që thonë se pikërisht këtu qëndron dallimi thelbësor: jo thjesht të ndiqen penalisht personat e përfshirë apo të akuzuar për përfshirje në korrupsion, por të ndërtohen mekanizma të shëndetshëm që parandalojnë korrupsionin.
David Kanin: Jam dakord me ata që shprehin shqetësim për situatën aktuale. Por unë do ta formuloja pak ndryshe. Mendoj se çështja është shumë më komplekse se kaq. Nuk bëhet fjalë vetëm për shqyrtimin e korrupsionit para apo pasi ai të ndodhë. Të them të drejtën, disa nga njerëzit që merren me hetimin e korrupsionit, janë vetë të përfshirë në të. Disa nga ata që e denoncojnë ashpër, përfitojnë prej tij ose thjesht e përdorin për të mbijetuar. Është krejtësisht e mundur që të njëjtët njerëz të luftojnë korrupsionin, ta hetojnë atë dhe njëkohësisht të jenë vetë të përfshirë në të. Kjo është një dukuri e njohur. Është një fenomen i kahershëm; e ka zanafillën shumë kohë para periudhës aktuale politike. Dhe sigurisht, në Ballkan, e kemi parë një gjë të tillë prej shekujsh.
Keida Kostreci: Le të ndryshojmë temë dhe të flasim për vendimin e gjykatës speciale në Hagë lidhur me çështjen e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së. Cili ishte mendimi juaj?
David Kanin: Cilido komunitet nga ku vijnë të akuzuarit për krime, e përjeton situatën si në nivel personal, ashtu edhe kolektiv, sa herë që ata shpallen fajtorë. Nga ana tjetër, viktimat ose të mbijetuarit e këtyre krimeve ndiejnë kënaqësi kur autorët shpallen fajtorë.
Në javën para shpalljes së vendimit, në Serbi u varros me nderime të plota ushtarake Ratko Mlladiçi. Serbët po festonin për heroin e tyre të madh – i cili në fakt e humbi luftën, përveçse kreu gjenocid. Por boshnjakët dhe të tjerët ishin të zemëruar, shumë të zemëruar me ato festime.
Ndërkohë, javën e kaluar, katër anëtarë të lartë të UÇK-së u shpallën fajtorë. Shqiptarët, natyrisht, ishin të indinjuar, duke e konsideruar këtë krejtësisht të padrejtë dhe duke i trajtuar ata si heronj, ndërsa serbët dhe të tjerët – veçanërisht serbët – thonë: “Po, e morën atë që meritonin.” Nuk mund të gjykoj mbi raste të veçanta gjyqësore. Dhe nuk po e krahasoj Mlladiçin me njerëzit e UÇK-së. Nuk ka vend për krahasim mes krimeve që Mlladiçi padyshim i kreu dhe krimeve për të cilat janë shpallur fajtorë komandantët e UÇK-së. Ato nuk janë aspak të krahasueshme, por ndikimi është gjithmonë i njëjtë. Komunitetet e të akuzuarve i mbështesin ata. Komunitetet që kanë pësuar nga krimet janë fuqimisht kundër të akuzuarve. Kjo nuk ndryshon.
Kështu që, çfarëdo tjetër që të ndodhë, ideja se ndonjë prej këtyre proceseve ligjore – që nga tribunali për ish-Jugosllavinë e deri më sot – çon në ndonjë lloj pajtimi mes palëve që dikur ishin në luftë, është thjesht absurde. Nuk ka asnjë provë për këtë. Nuk ka dëshmi për ndonjë pajtim real dhe këto ngjarje të fundit, qoftë ato që lidhen me Mlladiçin apo me njerëzit e UÇK-së, thjesht e nënvizojnë edhe një herë këtë fakt.
Palët vazhdojnë të përplasen me njëra-tjetrën për krenari, apo për pozitë e status, dhe të akuzojnë njëra-tjetrën për gjëra të ndryshme, për të cilat vetë nuk do të donin të akuzoheshin.
Keida Kostreci: Do të doja t’ju kundërshtoja pak këtu, sepse në Afrikën e Jugut pamë pajtim, por nuk dua të hyj në detajet teknike të pajtimeve ndërkombëtare. Dua thjesht ta kthej diskutimin te ky rast; mendoj se ajo që ka ndodhur këtu buron nga fakti se po imponohet një lloj barazie morale mes viktimës dhe autorëve të krimit. Kjo i zemëron njerëzit në Kosovë, sepse duket se ka një pabarazi në lidhje me atë se cilat krime ndiqen penalisht, dhe ka shumë shqiptarë në Kosovë që nuk e kanë gjetur drejtësinë. Nuk po flas më as për pajtim; duket sikur një gjykatë e krijuar mbi baza politike ka funksionuar disi në vakuum. Pa kontekstin përkatës, do të thoja se është e vështirë ta paraqesësh këtë thjesht si një çështje të izoluar që lidhet vetëm me këta njerëz; nga ana tjetër, drejtësia në kuptimin e gjerë nuk është vënë në vend për viktimat.
David Kanin: Mund ta diskutojmë rastin e Afrikës së Jugut. Në fakt, disa nga ato arritje po zhbëhen. Por në Ballkan nuk ka Nelson Mandela. Ajo që kemi në Ballkan është një proces që unë nuk do ta mbroja. Jam dakord me ju lidhur me problemet në procesin ligjor. Që nga tribunali i parë për Jugosllavinë, të gjitha këto gjykata kanë pasur probleme. Të gjithë prokurorët kanë hasur vështirësi dhe kanë bërë gabime gjatë punës së tyre. Të gjitha ato kritika procedurale janë të vlefshme. Megjithatë, ajo që humbet në gjithë këtë është pyetja nëse të dënuarit për krime i kanë kryer vërtet ato krime apo jo. Ajo që humbet këtu është fakti se njëra palë thotë “po” dhe tjetra thotë “jo”. Pavarësisht provave dhe mënyrës se si vepron gjykata, ky bëhet elementi kryesor i reagimit ndaj vendimeve. Nëse i përket një komuniteti, po, ata janë fajtorë. Nëse i përket një komuniteti tjetër, jo, ata nuk janë fajtorë. Dhe sinqerisht, provat e humbin vlerën në këtë lloj diskutimi. Palët u qëndrojnë fort pozicioneve të tyre. Askush nuk pranon asgjë, ose nëse u duhet të pranojnë diçka, pranojnë sa më pak të jetë e mundur. Mjafton të shihni se si reagon Vuçiçi lidhur me Srebrenicën.
Keida Kostreci: Tradicionalisht, SHBA-ja ka pasur një angazhim të madh lidhur me demokracinë në Ballkan, të natyrave të ndryshme përsa i takon Shqipërisë dhe Kosovës. Në çfarë pike ndodhet ky angazhim, a ka ndryshuar dhe a ka ndikuar tek mënyra se si veprojnë udhëheqësit e këtyre liderët vendeve?
David Kanin: Nuk ka dyshim që ka ndryshuar. Boshnjakët dhe shqiptarët (në Kosovë) ishin klientët tradicionalë të diplomacisë amerikane që nga luftërat e viteve ’90. Kjo natyrisht ka rënë ndjeshëm, pjesërisht për shkak të sjelljes së tyre – të disa prej boshnjakëve dhe kosovarëve – por edhe për shkak të ndryshimeve në Shtetet e Bashkuara.
Administrata Trump ka një qasje shumë transaksionale ndaj rajonit. Isha në një sesion të Iniciativës Pupin para disa ditësh në Uashington. (Shënim i autores: Sipas faqes së saj të internetit, “Pupin Initiative” është një organizatë jopartiake dhe e financuar privatisht, që synon të ngrejë nivelin e diskutimit mbi marrëdhëniet SHBA-Serbi përmes bashkëpunimit në analizat kërkimore dhe të politikave.) Pashë se si funksiononte. Sigurisht që nuk u përmend Mlladiçi, nuk u përmend asnjë nga çështjet që po diskutojmë bashkë. Gjithçka kishte të bënte me marrëveshje individuale biznesi dhe retorikë të tipit: “le të mos e kthejmë kokën pas; le të shohim nga e ardhmja; le të ecim përpara”. Dhe, nga ajo që u diskutua, dukej sikur se në Ballkan nuk ekziston askush tjetër përveç Serbisë. Gjithçka u përqendrua te marrëdhëniet dypalëshe amerikano-serbe dhe te marrëveshjet tregtare me natyrë transaksionale, të cilat shoqëroheshin me lavdata për Trumpin dhe për administratët aktuale në Uashington. Pra, po, gjërat kanë ndryshuar shumë.
Një ndryshim tjetër është se pozicioni i Shteteve të Bashkuara është dobësuar në nivel global dhe vazhdon të dobësohet edhe sot; kjo nuk ndodh vetëm për shkak të grupit aktual në pushtet në Uashington, por sepse, sipas mendimit tim, ne po përjetojmë një rënie strukturore. Ky është thjesht këndvështrimi im.
Pra, kemi një Amerikë më të dobët në një kontekst ku askush tjetër nuk është dukshëm më i fortë: kemi fuqi pak a shumë të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina, ndërsa Bashkimi Evropian ende nuk po arrin të koordinohet siç duhet për çështje gjeostrategjike. BE-ja po e pranon se Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm nuk po funksionon mirë dhe po përpiqet të vendosë se çfarë të bëjë në këtë drejtim. Por kjo është vetëm një simptomë e mosfunksionimit të tyre në rrafshin gjeopolitik.
Pra, kemi një sistem gjeopolitik global shumë të dobët; në këtë kontekst, aktorët lokalë kanë më shumë hapësirë veprimi, por nga ana tjetër, nuk mund të mbështeten te asnjë nga këta aktorë të jashtëm për ndonjë ndihmë të konsiderueshme, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara.
Për të ardhmen, mendoj se të gjithë në rajon – dhe jo vetëm në Ballkan – duhet ta kuptojnë se nuk do të mund të mbështeten më te Shtetet e Bashkuara, të cilat po dobësohen dhe, që ta them hapur, po përballen me probleme të brendshme, pavarësisht se kush do ta zëvendësojë Trumpin. Këto probleme në Shtetet e Bashkuara janë strukturore dhe nuk lidhen vetëm me politikën aktuale. Pra të gjitha këto ndryshime po ndodhin, ndërkohë që pushteti aktual në Uashington po ndjek një qasje gjithnjë e më transaksionale në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë, duke u kushtuar shumë më pak vëmendje vendeve të tjera të rajonit.



