
Nga Irena Beqiraj-
Elisa edhe dilema e trashëgimisë politike !
Teksa dëgjoja dje Elisa Spiropalin, m’u kujtua shprehja e Ramës: «Nuk kam një bir politik që të më vrasë». Kjo shprehje m’u duk edhe më domethënëse kur Elisa e konsideroi Ramën atin dhe mentorin e saj politik.
Me sa duket, Rama e sheh politikën përmes një marrëdhënieje atërore, ku lideri është babai, të tjerët janë bijtë dhe trashëgimia politike merr trajtën e një akti simbolik të vrasjes së babait. Një marrëdhënie kjo, ku pavarësia e pasardhësit mund të interpretohet si tradhti, ndërsa bindja si virtyt.
Pavarësisht thjeshtëzimit që sjell barazimi i partisë me “një familje politike”, në filozofinë politike partia nuk është familje dhe kryetari nuk është babai. Partia duhet të jetë një bashkësi njerëzish të lirë, që ndajnë një projekt politik, por nuk heqin dorë nga gjykimi i tyre individual. Të synosh drejtimin e partisë ku aderon është një ambicie njerëzore dhe politikisht legjitime. Nuk ka asgjë të keqe që kushdo në Partinë Socialiste të dëshirojë të zëvendësojë Ramën, aq më tepër njerëz që kanë bërë beteja të forta politike për partinë, kanë investuar karrierën dhe energjinë e tyre në të, dhe kanë kontribuar në fitoret e saj.
Problemi nuk është objektivi, por rrugëtimi për të arritur aty, i cili nuk mund të reduktohet në një seri manovrash politike. Ai është edhe një proces në të cilin zbulohet lidhja organike që individi krijon me të vërtetën.
E vërteta e parë me të cilën duhet përballur është se Rama nuk u bë sot lider personalist. Personalizimi i pushtetit nuk ndërtohet brenda një nate. Ai kërkon kohë, përsëritje, bindje, heshtje dhe, mbi të gjitha, bashkëpunimin e shumë njerëzve që, pavarësisht arsyeve të tyre, pranojnë të bëhen pjesë e tij. Po kështu, modeli Balluku në qeverisje nuk ishte një aksident i papritur. Shenjat kanë qenë aty prej vitesh.
Ishte viti 2018 kur pamë se si një gjeni librash mund të bëhej ministër i Jashtëm, pasi paskësh lexuar “Ana Frankun” në moshën 14-vjeçare. Por jo vetëm kaq: ai u bë edhe sekretar i përgjithshëm i Rinisë Socialiste, megjithëse kjo e fundit as nuk e dinte që një djalë me emrin Gent Cakaj ekzistonte. Po ashtu, pamë se si një vajzë me emrin Edona, duhet thënë një bashkëbiseduese shumë e këndshme përpara një gote vere apo një kafeje, u katapultua në krye të listës, ndërsa partisë i kërkohej të bëhej si Edona.
Nuk po vazhdoj ta rrotulloj thikën në plagën e socialistëve që për vite me radhë u trajtuan si njerëz të dorës së dytë në partinë e tyre. Jo sepse u mungonin aftësitë, përvoja apo kontributi, por sepse në pozicione politike duhej të promovoheshin njerëz, lidhja e vetme reale e të cilëve me partinë ishte lideri apo rrethi i tij i ngushtë.
Në pamje të parë, dukej sikur fati u kishte trokitur në derë Edonës, Gentit, Besës apo Senidës. Mund të ketë edhe emra të tjerë në këtë listë. Por, siç ndodh shpesh, jo çdo e mirë vjen për mirë. Nëse secilin prej tyre do ta pyesje në atë kohë se ku e shihte veten pas pesë vjetësh, përgjigjja ndoshta do të ishte: «Nuk e di as ku do të jem pas pesë ditësh». Sot secili prej tyre jam e sigurt që e ka kuptuar se një pozicion politik pa valencë politike është si një strehë e dhënë me qira, ku askush nuk largohet pa paguar qiranë, shumën e së cilës e mëson vetëm në fund, ose në dyert e drejtësisë varet nga ambicja .
Ky është pikërisht mekanizmi që forcon themelet e pushtetit personalist: ai u jep njerëzve shumë pushtet, pa u dhënë atyre asnjë autonomi; mund t’i bëjë ministra, deputetë, drejtues institucionesh, por jo domosdoshmërisht aktorë politikë me identitetin, autoritetin dhe bazën e tyre. Ata marrin pozicione, por nuk ndërtojnë fuqi të pavarur. Thënë ndryshe, promovohen pa u fuqizuar.
Në këto kushte, përzgjedhja mund të zhbëhet po aq shpejt sa është bërë. Në pushtetin personalist askush nuk shqetësohej veçanërisht për njerëzit që hynin e dilnin nga qeveria apo parlamenti pa lënë pothuajse asnjë gjurmë; nuk shqetësohej as për faktin se si një karrierë politike mund të ndërpritej brenda natës, siç ndodhi me Vilma Bellon apo Elona Gjebrenë. Për sa kohë që secili ruante vendin e vet në hierarkinë e heshtjes, sistemi funksiononte shumë mirë.
Pra, e verteta tjetër është se mungesën e konkurrencës dhe të meritës nuk e prodhoi Balluku. Madje, e kundërta është e vërtetë, mbyllja e syve për një kohë të gjatë ndaj mungesës së konkurrencës dhe meritës, bashkë me heshtjen përballë kulturës së katapultimit, prodhoi fenomenin Balluku.
Balluku nuk është një devijim i papritur nga mënyra se si është qeverisur deri më sot. Ajo nuk është një trup i huaj në modelin e Ramës, por produkt i një kulture pushteti që e ka vendosur besnikërinë personale mbi autonominë politike, afërsinë me liderin mbi autoritetin e fituar dhe kontrollin mbi përgjegjësinë institucionale. Ajo nuk e shpiku këtë mënyrë qeverisjeje, e gjeti të ndërtuar, u bë pjesë e saj dhe, me kalimin e kohës, u shndërrua në një prej aktoreve më të rëndësishëm të saj.
Prandaj, kushdo bijë apo bir politik që dëshiron të vazhdojë të ketë një të ardhme në politikë, duhet të shqyrtojë me paanshmëri, larg emocioneve arkitekturën politike që e bëri të mundur ngritjen dhe fuqizimin e këtij modeli pushteti. Por, nëse këtë shqyrtim e bën me ndershmëri, reflektimi duhet të fillojë nga vetja. Së pari të ketë kurajën të pranojë: ” Edhe unë kam jetuar brenda këtij modeli dhe nuk kam munguar t’i pranoj marrëzitë që imponoi ky model” .
Po aq e rëndësishme është të pranojë se Edi Rama ka qenë arkitekti i këtij sistemi. Përndryshe, çdo deklaratë për distancim nga e kaluara rrezikon të kthehet në një përdorim të panevojshëm të shpatës, e cila mund të presë vetë atë që e përdor.
Uroj që Elisa t’i mirëkuptojë këto radhë. Përndryshe kam frikë , se edhe ajo shumë shpejt do ti duhet të gjej një televizion ku çdo të enjte të organizojë “talk show” e saj !



