Aktualitet/LajmeInvestigationsInvestigimKronikKryesoreNdodhi

Argatë të Iranit: si po rekrutojnë shërbimet iraniane grupe fetare e kriminale ndër shqiptarë?

Grupet radikale islamiste po bëhen ngadalë por sigurt sprova më e rëndë për sigurinë e shqiptarëve në Ballkan. Siç e dëshmoi rasti me katër të arrestuarit në Shkup e Kumanovë, shërbimet e huaja, sidomos ato të Iranit, po gjejnë bashkëpunëtorë lokalë për të kryer sulme të përgjakshme. Burime të gazetës nga Maqedonia e Veriut kanë bërë me dije se të arrestuarit merreshin me veprimtari aktive kriminale. Rrjeti i shpërndarjes së narkotikëve shkonte gjer në Gjermani, por ata në jetën e përditshme shquheshin për qëndrime radikale fetare.

Të enjten e javës së kaluar, katër shtetas të Maqedonisë së Veriut nga moshat 29 dhe 73 vjeç përfunduan në prangat e policisë.

Një tjetër mbetet ende në arrati.

Arrestimi i tyre u kumtua vetëm pesë ditë më vonë.

Që prej marsit të këtij viti, ky grup kriminal kishte qenë nën llupën e Agjencisë për Siguri Kombëtare të Maqedonisë së Veriut (ANB) dhe Shërbimit Kombëtar Grek të Inteligjencës (EYP).

Skema kriminale iu ngjante filmave.

Shërbimet inteligjente iraniane, duke angazhuar agjentin e rryer Edris Jahangiri Mavaneh, e kishin përgatitur planin që të bënin një eliminim të përgjakshëm brenda Greqisë.

Argatë të Iranit: si po rekrutojnë shërbimet iraniane grupe

Duke vënë në lojë kriminelin e shumëkërkuar iranian dhe dilerin e drogës, Naji Sharifi Zindashti, gjashtë vetë nga Shkupi e Kumanova ishin pajtuar që të bëheshin ‘hitmen’ që të vrisnin ‘sionistë’ brenda Greqisë.

Të përgatitur herë në Iran e herë në Turqi, ky grup nga Maqedonia e Veriut e kishte marrë përsipër të vriste biznesmenin hebre, Abraham-Minos E. Moissis.

Fatmirësisht, ky skenar u dekonspirua me kohë, por rasti në fjalë shpërfaq sfida e rreziqe që po prekin edhe sigurinë kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë.

Megjithë paralajmërimet perëndimore, shërbimet inteligjente të regjimit islamik në Teheran kanë arritur të rekrutojnë jo pak bashkëpunëtorë lokalë.

Më të prirurit për të hyrë në këso skema dalin të jenë individët me qëndrime radikale fetare.

Gjatë viteve të fundit, institucionet e Republikës së Kosovës disa herë janë sfiduar seriozisht nga grupe kriminale që afishohen me islamin ekstremist.

Këto grupe radikale, që zhyten edhe në botën e krimit dhe trafikut të drogës, po shfrytëzohen edhe nga shërbimet fqinje në rajon të cilat para Perëndimit po e portretojnë botën shqiptare si inkubator ekstremizmi.

Pse Irani është kryeproblem?

Inteligjencat perëndimore kanë vërejtur se shërbimet e sigurisë në Iran më së shumti i vënë në përdorim rrjetet kriminale dhe ato me trafikantë për t’i përdorur për të goditur caqe.

Sipas një studimi që mban siglën e Parlamentit Evropian, Irani ka namin e dorasit më të mirë në botë kur vjen puna për të kryer represion ndërshtetëror (transnational repression).

Vetëm nga 2014-a, shërbimet sekrete iraniane kanë kryer 47 atentante ose përpjekje për atentate, 14 prej të cilave në vende të BE-së dhe 25 të tjera në vende jashtëevropiane, më së shumti në Turqi.

Sipas dëshmive dokumentare, këto atentate janë drejtuar nga udhëheqja më e lartë shtetërore e Teheranit, duke pasur për organizatorë Ministrinë e Inteligjencës dhe Gardën Revolucionare.

Ekspertët e sigurisë janë të një mendje se strategjia e regjimit islamik iranian ndjek të ashtuquajturën doktrinë të Zonës së Hirtë, me ç’rast përdoren grupe kriminale e narkoterroriste për të shenjëstruar caqe të konsideruara si ‘rrezik i lartë’ për shtetin iranian – disidentë iranianë ose izraelitë.

Qysh më 2023, hetuesit në Gjermani e Francë kanë vënë re sesi agjentët iranianë që veprojnë në Evropë i shfrytëzojnë trafikantët e drogës në Iran ashtu sikurse edhe grupe lokale në Evropë.

Mënyra e të vepruarit, modus operandi, i këtyre grupeve kriminale që punojnë për hesap të Iranit është përcjellja e izraelitëve ose bizneseve izraelite që veprojnë në Evropë.

Argatë të Iranit: si po rekrutojnë shërbimet iraniane grupe

Thurja e planit iranian: gjetje bashkëpunëtorësh, lidhje droge dhe atentate

Ky model i shpjegimit është provuar nga rasti më i fundit i arrestimit të një grupi kriminal nga Maqedonia e Veriut.

Nga informacionet që tashmë kanë qarkulluar, biznesmeni 64-vjeçar Avraam-Minos E. Moissis ishte caku të cilin shërbimet iraniane të sigurisë kërkonin ta vrisnin.

Sipas mediave greke, bëhej fjalë për ish-kreun e Bashkësisë Hebreje të Athinës që më tepër njihet si biznesmen me përvojë në sektorin financiar të Greqisë.

Moissis është anëtar joezekutiv në ‘Intracom Defense’, një kompani greke që prodhon teknologji dhe elektronikë ushtarake.

Sipas një shkrimi në të përditshmen To Vima, kjo kompani u ble nga ‘Israel Aerospace Industries’ në qershor 2023.

Kaq kishte mjaftuar që shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh – i identifikuar sipas shërbimeve rajonale si profil i inteligjencës iraniane – të thurte planin për ta eliminuar fizikisht biznesmenin izraelit.

Shërbimet rajonale kanë vënë re se Mavanehu kishte një rrjet të gjërë bashkëpunëtorësh në krye të të cilëve ishte famëkeqi Naji Sharifi Zindashti, dosja e të cilit përfshin lidhje me trafikim droge e krim të organizuar.

Nga ajo që ka qarkulluar deri më tani mësohet se Zindashti përdor grupe kriminale në vende të treta të cilat u shërbejnë interesave të shërbimeve iraniane.

Për më tepër, iraniani Naji Sharifi Zindashti kërkohet nga FBI-ja për planifikimin e një atentati në ShBA.

Më saktë, rasti i tij kishte të bënte me përfshirjen në një komplot për të vrarë dy njerëz në Maryland.

Dileri i drogës që gjente bashkëpunëtorë lokalë për Iranin

Duke u mbështetur në informacionet e vjela nga Agjencia për Siguri Kombëtare e Maqedonisë së Veriut (ANB) dhe Shërbimi Kombëtar Grek i Inteligjencës (EYP), mediat greke kanë shkruar se Zindashti kishte vepruar fillimisht në Turqi e më pas edhe në Greqi.

Në këtë të fundit, ai fitoi nam me organizim dhe financim të bartjes së heroinës.

Të bëmat e tij kriminale përbëhen nga përfshirje në përpjekje për të vrarë kundërshtarë të regjimit iranian.

Gjithmonë ligjshkelës, Zindashti qe arrestuar në Turqi më 2018.

Ndonëse në Iran përpiqej të krijonte imazhin e një bamirësi duke ndërtuar shkolla, dileri iranian bënte çmos që të rekrutonte bashkëpunëtorë lokalë nga nëntoka.

Sipas njoftimeve zyrtare nga shërbimet rajonale, hetimi i grupit kriminal të rekrutuar nga Mavanehu dhe Zindashti kishte filluar që nga muaji mars i këtij viti.

Radikalë islamikë dhe kriminelë

Gjatë arrestimit atyre, me ç’rast Policia iu kishte gjetur edhe armë e municione, u sekustruan në cilësinë e provave telefona mobilë, kompjuterë, pajisje USB, shënime me informacione si dhe skica e një lokacioni.

Sipas njoftimeve, grupi përpiqej të hynte në Greqi e të rrinte sa më afër shenjëstrës.

Burime të NACIONALE-s në Shkup mësojnë se disa nga të arrestuarit prej kohësh janë të përfshirë edhe në veprimtari kriminale si trafikimi i drogës.

Këto ishin maskuar pas bizneseve me tregti veshjesh.

Po të njëjtët publikisht e jopublikisht njihen për ideologji radikale fetare.

Të arrestuar të enjten e kaluar, më 12 nëntor, vetëm një shtet do të ngriste zërin për t’i mbrojtur ata.

Para dy dite, ambasada iraniane në Athinë ka mohuar se Teherani ka gisht në këtë plan.

Sipas diplomacisë iraniane, kjo ishte “propagandë e Izraelit dhe lojë psikologjike për ta diskredituar Iranin”.

Ambasada iraniane ka mohuar se të arrestuarit nga Maqedonia e Veriut kanë lidhje me Iranin.

Si ndërthuret ekstremizmi fetar me krimin?

Në prill të vitit të kaluar, gazeta NACIONALE ka shpalosur një hulumtim shterues sesi në Kosovë është i pranishëm fenomeni i grupeve kriminale që afishohen si vahabiste ose anasjelltas.

Një histori ku islamizmi ekstremist bashkëjeton me krimin ishte rasti i Muxhahid Bravës.

I rënë në duart e Policisë në mars të 2023-s, ai ishte pjesë e një grupi kriminal i cili, sipas Prokurorisë, kryente grabitje të armatosura në pika karburantesh e në zyrat e KEDS-it në Shtime.

Transgresioneve të tyre iu shtoheshin edhe vepra të tilla, si armëmbajtje pa leje, kërcënime për përvetësim pasurish e deri te falsifikimi i parave.

Argatë të Iranit: si po rekrutojnë shërbimet iraniane grupe

Fare i ngjashëm ishte edhe një grup kriminal që më 22 nëntor 2023 shenjëstroi argjendarinë ‘Diakos’ në Therandë.

Duke grabitur ari në vlerë prej rreth 250 mijë eurosh, sipas dosjes së Prokurorisë, në mesin e keqbërësve të armatosur me armë të gjata ishte edhe Korab Gashi.

Ky ishte arrestuar gati një muaj më vonë në lagjen ‘Arbëria’ të kryeqytetit ku kishte pasur shkëmbime të rrepta zjarri.

Gashi, asokohe, qe apostrofuar si i dyshuar për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

Në studimet për terrorizmin dhe radikalizmin fetar, bashkëjetesa mes ekstremizmit fetar dhe veprimtarisë kriminale është një dukuri gjithnjë e më e shpeshtë.

Kështu, studiuesit vënë në spikamë raste grabitjesh e zhvatjesh kur të dyshuarit pranojnë se po bëjnë mbledhje parash për xhematin, për besimtarë apo për ‘vëllezër’ që po bëjnë xhihad kundër ‘të pafeve’.

Sipas një studimi, “grupet e organizuara kriminale mund të legjitimojnë më lehtë veprimtarinë e tyre keqbërëse në sytë e shoqërisë dhe po bëhen gjithnjë e më efikase në kryerjen e biznesit e tyre të paligjshme.”

Shkrirja e grupeve kriminale dhe atyre ekstremiste fetare, sipas po këtij studimi, gjen vend sidomos në burgje përmes shpërhapjes së ideve fetare e ekstremiste mes të dënuarve. /NACIONALE/

Artikuj të lidhur

Back to top button