Aktualitet/LajmeKronikKryesoreNdodhi

Gazetari Curri reagon pas aktit kriminal te djegies se automjetit. UGSH denoncon aktin dhe kerkon hetim te pershpejtuar

Gazetari Sami Curri permes nje sqarimi reagues ne rrjetet sociale shprehet sot se ky rast nuk e ndal ne misioni e tij raportues. Nderkohe qe Unioni i Gazetareve Shqiptare dhe disa organizata gazetaresh kane shpallur solidaritetin e tyre. Po publikojme reagimin e kolegut dhe deklaraten e plote te UGSH.
Nga Sami Curri
Fort të nderuar miq, kolegë dhe komuniteti i gazetarëve,

Së pari, gjej rastin t’ju falënderoj për çdo mesazh kujdesi, mbështetjeje dhe solidariteti! Në situata të tilla, këto fjalë dhe ky qëndrim më ka ndihmuar shumë për ta përballuar më lehtë dhe për të kuptuar se nuk jemi vetëm.

Sot, rreth orës 02:45 të mëngjesit, vetëm pak metra larg banesës sime në Bulqizë, është djegur qëllimisht makina ime. Nga sa kam konstatuar, nuk bëhet fjalë për një zjarr aksidental, por për një akt të pastër dhe të paramenduar.

Prej afro 10 vitesh punoj si gazetar dhe me shumë përkushtim kam themeluar Bulqizaime.al, me synimin për të ndërtuar një media lokale të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarëve. Gjithmonë jam përpjekur t’i qëndroj besnik misionit të gazetarisë: mbrojtjes së interesit publik, raportimit të paanshëm dhe zërit të komunitetit.

Këtë e kam bërë që nga dita e parë dhe do të vazhdoj ta bëj, pavarësisht çdo presioni apo përpjekjeje për të më intimiduar. Fundja, kur zgjedh të jesh i drejtë, i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj profesionit, përballja me vështirësi dhe shqetësime të tilla bëhet pjesë e rrugës që nuk mund ta shmangësh.

Ngjarja e ndodhur është e lidhur drejtpërdrejt me punën time si gazetar. Këtë e kam deklaruar qartë edhe para oficerëve të policisë dhe grupit hetimor.

Ky është një mesazh frikësimi, por dua ta them qartë: ata që e kanë bërë këtë akt nuk do të arrijnë të më kërcënojnë apo të më ndalin. Për mua, gazetaria nuk është thjesht profesion, por mision në shërbim të publikut dhe do të vazhdoj ta ushtroj me të njëjtin përkushtim, me çdo çmim.

Prej javësh kemi qenë përballë përpjekjeve të vazhdueshme për të ndikuar dhe ushtruar presion mbi punën tonë, veçanërisht për temat që kemi trajtuar dhe ato që janë ende në proces raportimi. Megjithatë, çdo shqetësim i qytetarëve, çdo hall i një banori që i preket jeta, prona apo e drejta, do të gjejë gjithmonë derën tonë të hapur dhe hapësirën e nevojshme për t’u dëgjuar.

Mbrojtja e interesit publik, çështjet e mjedisit, problemet e komunitetit dhe protestat që lindin në çdo cep të Dibrës kanë gjetur dhe do të vazhdojnë të gjejnë vend në raportimin tim. Kjo është dhe do të mbetet misioni im kryesore në çdo moment: të jemi në anën e publikut dhe të së vërtetës.

Falënderoj të gjithë kolegët, organizatat e gazetarëve, miqtë dhe qytetarët që kanë reaguar dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!

Besoj dhe kërkoj që institucionet përgjegjëse ta hetojnë me seriozitet maksimal këtë rast, të identifikojnë autorët dhe t’i vendosin përpara drejtësisë! Kjo jo vetëm për të zbardhur këtë ngjarje, por edhe për të mos lejuar që raste të tilla të përsëriten apo të shërbejnë si nxitje për akte të ngjashme ndaj gazetarëve dhe kujtdo që ushtron detyrën në interes të publikut.

As frika, as presioni dhe as sulmet nuk do të më ndalin në detyrën time për të raportuar. Koha do e tregojë më së miri këtë që po them.
…….
Deklaratë e UGSH dhe UGSH qarku Dibër
Të zbardhet sa më parë ngjarja e zjarrvënies së qëllimtë mbi automjetin e gazetarit Sami Curri, Bulqizë
Dibër-Tiranë më 26.04.2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe UGSH Qarku Dibër denoncojnë aktin kriminal të ndodhur ditën e dielë datë 26.04.2026, rreth orës 02.58 ndaj automjetit të gazetarit Sami Curri, banues në Bulqizë. Përfshirja nga flakët në orët e vona të natës, e automjetit të ndodhur pranë banesës së gazetarit, është një akt kriminal i qëllimshëm.
Forcat e policisë lokale, shërbimi zjarrfikës dhe grupi hetimor, sipas njoftimit zyrtar të pilicisë së shtetit, kanë mbërritur në kohë në vendngjarje.
Ky akt, sipas rrethanave kur dhe si ka ndodhur, ka të bëjë një qëllim kërcënimi ndaj gazetarit.
Gazetari Sami Curri është reporter për media kombëtare dhe administron edhe një media online vendore. Shumë raportime të tij prekin persona dhe subjekte që abuzojnë me asetet dhe pasuritë publike të zonës. Në shumë raste ka raportuar për çështje të ndotjes dhe dëmtimit të mjedisit dhe për raportet kompromentuese mes të zgjedhurve dhe korrupsionit. Kolegu ka trajtuar pa kompromis tema delikate, në mbështetje të banorëve të Qarkut Dibër për çështje të ndjeshme si HEC-et, parqet fotovoltaike, apo prokurimet e pushtetit vendor.
UGSH në mbështetje të deklaratës së degës së UGSH Qarku Dibër, kërkon me forcë zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe ndëshkimin ligjor të autorëve apo autorit.
Jemi në solidaritet dhe mbështetje të plotë të kolegut tonë duke e inkurajuar atë për kurajo dhe vendosmëri profesionale.
Kërkojmë nga organet hetimore ta shqyrtojnë me prioritet këtë rast dhe nga drejtësia ndëshkimin ligjor.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Artikuj të lidhur

Back to top button