Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Sipas njoftimit, fletarrestimi i lëshuar nga gjykatësja e procedurës paraprake iu dorëzua të pandehurit Hashim Thaçi në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.
Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake në bazë të aktakuzës së konfirmuar për paraqitjen e parë.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 02 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.
Në aktakuzën e konfirmuar, sipas njoftimit, kundër Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas njoftimit, kundër Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt dhe Isni Kilajt është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.
Kundër Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 09.12.2024, në orën 10:00.
Seancat e paraqitjes së parë do të jenë publike dhe mund të ndiqen në gjuhët shqipe, anglisht ose serbisht përmes faqes së transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria për publikun në selinë e Gjykatës.
Aktualisht, Hashim Thaçi është duke u gjykuar në Gjykatën Speciale bashkë me ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.