Aktualitet/LajmeKryesoreSociale

Dhoma e Deputetëve në Itali miraton marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët

Dhoma miratoi projektligjin e ratifikimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri, që parashikon hapjen e dy kampeve të refugjatëve në territorin shqiptar, për të pritur 3000 emigrantë.

Mediat italiane raportojnë se ligjvënësit ishin të ndarë, ndërsa pro marrëveshjes votuan 155, 115 ishin kundër dhe dy abstenime.

Pas votimit, shumica e mirëpriti vendimin me duartrokitje. Sakaq, projektligji në fjalë tani kalon në Senat.

QËNDRIMI I BE
Marrëveshja u firmos në fillim të nëntorit në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ndërsa u bë publike disa ditë më vonë.

Rama u angazhua që të vendosë në dispozicion të qeverisë italiane territorin e vet për të ngritur kampe të ngjashme me burgjet si dhe të presë mijëra emigrantë nga vendet e treta për të paktën një periudhë 5-vjeçare.

Por kjo marrëveshje, u kritikua nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe u krahasua me planin e Qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, plan që u vlerësua i jashtëligjshëm nga Gjykata Supreme britanike.

“Vlerësimi fillestar i shërbimit tonë ligjor është se [marrëveshja Shqipëri-Itali] nuk shkel ligjin e BE-së, është jashtë ligjit të BE-së”, tha komisionarja për migrim e BE-së, Ylva Johansson, kur u pyet në një konferencë për media në Bruksel lidhur me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë. Deklaratat e saj sugjerojnë se kjo marrëveshje nuk do të dërgohet për shqyrtim para Gjykatës së Drejtësisë të BE-së. Sipas protokollit të publikuar nga Qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e emigrantëve.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button