
Solli Enver Robelli-
„Por ne kemi ende ëndrra dhe duhet të luftojmë për to“: Një artikull në revistën amerikane “The Atlantic” mbi protestet në Shqipëri
Planet e Jared Kushnerit për të ndërtuar një resort luksoz në një zonë të mbrojtur bregdetare ndezën protesta masive në Shqipëri, të cilat nisën në maj si „Revolucioni i Flamingove“ dhe arritën kulmin me rreth 100’000 qytetarë në qershor, për t’u shndërruar në tetor në „Revolucionin e Shqiponjave“ me përleshje të dhunshme në Tiranë, shkruan “The Atlantic”.
Nën thirrjet „Poshtë patronazhistët“ dhe „Shqipëria nuk është në shitje“, studentët e udhëhequr nga të rinj si Megi Ibrahimi u ngritën kundër korrupsionit, gjendjes në shkolla, kostos së lartë të jetesës dhe sistemit që detyron rreth 40’000 shqiptarë të emigrojnë çdo vit. Teksa tregon se si nëna e saj i lutet çdo ditë të mos dalë në rrugë, Ibrahimi shpreh vendosmërinë e brezit të saj me fjalët: „Por ne kemi ende ëndrra dhe duhet të luftojmë për to“, duke shtuar se dhuna ndaj protestuesve në lagunën e Zvërnecit „u ndje sikur dinjiteti ynë po tërhiqej zvarrë nëpër duna“.
Gazetari i “The Atlantic” përshkruan një skenë prekëse. Ndërsa turma e rraskapitur e studentëve qëndronte mes tymit para Ministrisë së Arsimit, afrohet një grua e moshuar me një karrocë dhe nxjerr nga një qese plastike xhaketa dimri të përdorura për t’ua shpërndarë të rinjve. Ajo u tregon se ato xhaketa u përkisnin fëmijëve të saj që tashmë jetojnë jashtë vendit dhe se „fëmijët e saj kishin dashur që xhaketat t’i merrte brezi i ri“ – një gjest i heshtur dashurie dhe solidariteti mes atyre që u detyruan të ikin dhe atyre që po luftojnë për të qëndruar.
Pas 13 vitesh në pushtet, kryeministri Edi Rama shfaqet si një lider i paprekshëm dhe shpërfillës ndaj revoltes qytetare, i cili pasi miratoi ligje enkas për projektin, deklaroi prerazi se „nuk ka absolutisht asnjë shans që investimi të ndalet sa kohë që unë jam këtu“. Duke u tallur me indinjatën e mijëra protestuesve, ai e cilësoi zemërimin kundër resorit të Kushnerit si „një broçkull të madhe“ (bullshit), të nxitur nga antipatia e mediave ndaj Kushnerit dhe Trumpit. Përballë kërkesave për dorëheqje, ai ia hodhi fajin për dhunën krimit të organizuar dhe kundërshtarëve politikë, duke u mburrur me vetëbesim se opozita kërkon ta rrëzojë në rrugë vetëm sepse „nuk mund të më mposhtë në kutitë e votimit“.
Në një anketë të vitit 2018, vetëm 2,8 për qind e shqiptarëve u pajtuan me pohimin: «Shumicës së njerëzve mund t’u besohet.» Ky ishte rezultati i dytë më i ulët në një anketë ndërkombëtare ku u përfshinë gati 90 vende – dhe më i ulëti në Evropë.



