
Nga Jori Vila-
Konferenca “Vlera e Pronës II” mblodhi në një platformë të përbashkët zhvillues, investitorë, ekspertë finance, arkitektë dhe përfaqësues institucionesh për të diskutuar mbi një nga temat më kritike të ekonomisë shqiptare: si krijohet realisht vlera në tregun e pasurive të paluajtshme.
E organizuar nga Oz Marketing përmes një iniciative private dhe e moderuar nga Blendi Salaj, konferenca u zhvillua përmes një serie panelesh tematike që trajtuan zinxhirin e plotë të krijimit të vlerës, nga ndërtimi, materialet dhe financimi, deri tek marketingu, urbanistika dhe arkitektura.
Diskutimet u hapën me fokusin tek cilësia e ndërtimit dhe roli i saj në krijimin e vlerës afatgjatë. Përfaqësues të industrisë theksuan se standardet, materialet dhe proceset e kontrollit nuk janë më opsionale, por thelbësore për qëndrueshmërinë e investimeve.
Në vijim, paneli mbi materialet dhe qëndrueshmërinë solli në vëmendje rëndësinë e përdorimit të materialeve të certifikuara, sigurisë ndaj zjarrit dhe përputhjes me standardet europiane. U nënvizua nevoja për klasifikim më të qartë të materialeve dhe ndërtesave, si dhe për një rol më aktiv të institucioneve në garantimin e standardeve.
Një nga debatet më të forta u zhvillua në panelin e dedikuar për real estate dhe investimet, ku u ngrit pyetja nëse tregu shqiptar reflekton realisht vlerën e pronës apo vijon të ndikohet nga perceptimi. Ekspertët evidentuan mungesën e të dhënave të strukturuara dhe transparencës, duke theksuar se vendimmarrja shpesh mbështetet në pritshmëri dhe jo në analiza të mirëfillta. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e zhvillimit të instrumenteve më të avancuara financiare dhe e një qasjeje më të qartë ndaj raportit risk–kthim.
Paneli mbi tregun, studimet dhe sigurinë juridike vendosi theksin tek rëndësia e sigurisë ligjore dhe analizave profesionale si bazë për investime të qëndrueshme dhe afatgjata.
Një element transversal në të gjitha diskutimet ishte roli i marketingut, i cili u konsiderua një faktor vendimtar jo vetëm për shitjen, por për krijimin e vlerës së perceptuar dhe kthimin e investimit. Projektet moderne po pozicionohen gjithnjë e më shumë si destinacione të integruara, duke ofruar përvojë jetese, shërbime dhe komunitet.
Në panelin mbi urbanistikën dhe arkitekturën, fokusi kaloi tek dimensioni afatgjatë i zhvillimit të qyteteve. Ekspertët theksuan se qytetet nuk mund të ndërtohen më vetëm mbi volum, por duhet të konceptohen si ekosisteme funksionale dhe të qëndrueshme. Elementë si design-i, drita natyrale dhe koncepti urban ndikojnë drejtpërdrejt në vlerën e pronës dhe në cilësinë e jetesës.
Mesazhi që përshkoi gjithë konferencën ishte i qartë: vlera e pronës nuk është vetëm çmimi, por një kombinim i cilësisë, të dhënave, besimit, sigurisë ligjore dhe vizionit afatgjatë.
Konferenca “Vlera e Pronës” synon të konsolidohet si një platformë e përvitshme dialogu për industrinë, duke kontribuar në orientimin dhe zhvillimin e tregut imobiliar në Shqipëri.



