Aktualitet/LajmeKronikKryesoreKultureNdodhi

Thoma Gëllçi fiton në Gjykatën e Lartë kundër SPAK, prishet vendimi i dënimit

Thoma Gëllçi ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme ligjore, pasi Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka vendosur të prishë vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke i hapur rrugë rigjykimit të çështjes. Vendimi përbën një kthesë të rëndësishme në procesin gjyqësor, duke rrëzuar dënimin e dhënë më herët dhe duke e rikthyer çështjen për shqyrtim të ri në Apelin e Posaçëm.

Ky zhvillim vjen pas kërkesës së Gëllçit në Gjykatën e Lartë, ku ai kishte kundërshtuar vendimin e Apelit, duke e konsideruar atë të pabazuar në prova dhe në kundërshtim me ligjin. Me pranimin e kësaj kërkese dhe vendimin për prishjen e dënimit, Gjykata e Lartë ka vlerësuar se çështja kërkon një rivlerësim të plotë në një proces të ri gjyqësor.

Thoma Gëllçi ishte arrestuar me urdhër të SPAK më 8 tetor 2023 dhe ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burg. Çështja lidhej me një shtyrje dyjavore të një kontrate për blerje mallrash për RTSH, e cila sipas mbrojtjes së tij dhe vlerësimeve të paraqitura në proces, konsiderohej një veprim administrativ. Në vijim të shqyrtimit në disa shkallë gjykimi, nuk u evidentua se kjo shtyrje kishte sjellë dëm ekonomik apo pasoja negative për RTSH.

Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Gëllçi ka fituar çështjen edhe në Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në shkurt 2025 kundër shtetit shqiptar. Gjykata e Strasburgut konstatoi se ai ishte mbajtur në paraburgim për më shumë se shtatë muaj pa prova të mjaftueshme ligjore, duke evidentuar shkelje të standardeve të të drejtave të njeriut.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button