
Nga Klevis Hoxha-
Shtatë gra dhe tre burra vdiqën gjatë të shtënave masive më të rënda në Suedi, tha policia suedeze gjatë javës së kaluar pasi përfundoi identifikimin e viktimave.
Të shtënat u regjistruan në Campus Risbergska, një qendër arsimore për të rinjtë në qytetin e Orebro-s, ku shumë emigrantë regjistrohen në gjuhën suedeze dhe klasa të tjera.
Të gjitha viktimat, të moshës ndërmjet 28 dhe 68 vjeç, jetonin në Orebro, sqaroi policia në një deklaratë.
Forcat e rendit nuk dhanë asnjë detaj mbi kombësinë e viktimave.
Viktimat janë të “kombësive, gjinive dhe moshave të ndryshme”, i tha AFP-së të enjten Anna Bergqvist, e cila drejton hetimin.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Stockholm konfirmoi për Albanian Post se “nuk ka viktima ose të plagosur me origjinë shqiptare”.
“Në vijim të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se autoritetet suedeze kanë konfimuar se nuk ka viktima ose të plagosur me origjinë shqiptare në ngjarjen e Orebro-s në Suedi”, ishte përgjigja zyrtare e pranisë diplomatike në vend.
Sakaq, ambasada siriane në Stockholm shprehu ngushëllimet e saj për dy familjet e viktimave siriane, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Një shtetas boshnjak mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos, deklaroi Ministria e Jashtme e Bosnjës, duke cituar informacionin e ndarë nga banorët e Orebro-s.