Nga Aleksandër Çipa-
Takimi i konfirmuar në Pekin, mes dy presidentëve të fuqive më të mëdha të Botës, përkatësisht Presidentit amerikan Trump dhe atij të Kinës, Xi Jinping përbën ngjarjen e pritshme më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij momenti.
Mediat më të rëndësishme botërore njoftojnë se do të ketë “marrëveshje të mëdha me përmasa globale”, ndërkohë që skeptikët dhe vëzhguesit e maturuar nënvizojnë pritmërinë e tyre se takimi do të ketë përqendrim në marrëdhëniet bilaterale, për paqen deh zhvillimin botëror si dhe çështjet strategjike globale.
Protagonistët e këtij takimi ndajnë qëllime të ndryshme specifike dhe do të diskutojnë rreth një game problemesh të cilat konsiderohen nga më komplekset dhe më të vështira. Ngarkesat për secilin prej dy bashkëbiseduesve, janë njëkohësisht specifike dhe asimetria është realitet edhe më kompleks.
Shumica e analistëve ndajnë pikëpamjen se Presidenti Trump vjen në këtë takim në pozicion më të dobët se sa paraprirësi i vitit 2018, kur, duke qenë në mandatin e parë “çështjen e tarifave” e përdori si armë presioni, në kushtet e një statistike tjetër varësie të Kinës nga eksportet drejt SHBA. Tashmë realiteti tregtar dhe ekonomik i Kinës është i ndryshuar. Asetet e produkteve industriale të Kinës, versionet elektrike, shumë teknologji dhe veçanërisht ajo e digjitalizimit, i kanë dhënë tjetër mundësi dhe fuqi ekonomike fuqisë aziatike të diversifikojë tregjet dhe të zotërojë autoritet shumë herë më të fuqishëm. Ndërkohë që SHBA ka ndryshuar inflacionin ndaj tarifave, konfliktet kanë goditur bizneset dhe kryesisht tregtinë amerikane, duke ndryshuar tashmë edhe subjektin e interesave reciproke.
Mediat e rëndësishme të të dy vendeve ofrojnë një qasje të ndryshme për rezultatet e këtij takimi, por kryesisht këndshikime kontrastuese për kontekstet e brendshme të të dy udhëheqësve dhe pritmëritë e tyre nga bisedimi në nivelin më të lartë. Sipas mediave amerikane tarifat dhe tregtia, ulja e mbështetjes amerikane për Tajvanin, njohja e “vijave të kuqe” kineze etj., janë pjesë e vetëbesimit të patundshëm të presidentit kinez Xi, përballë homologut amerikan. Presidenti Xi është në bindjen se dominimi amerikan është dukshëm në konsumim gradual dhe sidomos përballë realitetit për ndërtimin e rendit multipolar.
Nga ana e vet presidenti amerikan synon frenimin e Kinë në Azi. Mirëpo Kina do të ruajë kontrollin mbi teknologjitë strategjike.
Foto nga CMG
Gjithësesi këtu shfaqen pika marrëdhëniesh të rrezikuara pasi ekonomia kërkon përherë intensivisht bashkëpunim, por aktualisht gjeopolitika të shtyn drejt konfliktit, tensioneve dhe mospërputhjeve.
Në takimin Trump-Xi energjia pritet të jetë ndër kryeçështjet. Raportet parathonë se mund të vihen në lëvizje blerje të naftës, LNG amerikane dhe lëndë të tjera të lakmueshme nga tregjet. Presidenti amerikan do të theksojë kërkesën për zgjerim të furnizimeve kineze me minerale të rralla, bashkëpunim kundër prekursorëve të fentanyllit apo diskutime mbi Ai dhe sigurinë teknologjike.
Kriza në Lindjen e Mesme dhe lufta me Iranin e bëjnë edhe më të ngutshme një marrëveshje mes dy të fuqishmëve. Përshkallëzimi i mundshëm i luftës me Iranin sjell ndikime edhe më të rënda si për furnizimet ashtu edhe për çmimet. Logjika se Kinë-SHBA kanë rivalitet strategjik, bashkëjeton me faktin se si nevojë të përbashkët duan stabilitetin ekonomik.
Avantazhi industrial i Kinës sidomos në të ashtuquajturën “arma sekrete e Kinës” për Rare earths, gallium, germanium e materialet kritike, apo industria e avancuar ushatarake me produkte digjitale, makina elektrike, avionë etj., etj., e kanë konfirmuar Kinën si fuqi me leverage të madh ndërkombëtar. Ndërkohë që SHBA-të e kanë arritur tashmë bindjen se vetëm me tarifa nuk mbërrijnë në fitore.
Ky takim i ilustruar sipas mediave të rëndësishme amerikane, karakterizohet nga imazhi se “Xi hyn më i fortë, Trump më i paparashikueshëm”. Ndërkohë që po e njëjta media shprehet se: Xi Jinping hyn me vetëbesim strategjik, ndërsa Trump hyn nën presion politik dhe gjeopolitik. Polarizimi i brendshëm politik i SHBA është një disavantazh i presidentit Trump në raport me çështjet që do të negociojë me homologun e vet kinez.
Në konfigurimin aktual botëror dy presidentët kanë fituar perceptimin ndërkombëtar si dy portrete karakteriale të ndryshme. Ndërsa presidenti Xi hyn në këtë takim me vetëbesim strategjik dhe të durueshëm, por njëkohësisht me vetëndjerjen se Kina e sotme nuk është ajo e gati një dekade më parë. Ndërkohë që presidenti Trump si udhëheqës impulsiv dhe me etjen për fitore të shpejtë politike.
Por cili do të jetë rezultati praktik nga ky takim i shumëpritur botëror?
Analistët shumëpalësh parashohin se edhe nëse nuk arrihet një marrëveshje finale do të mund të shënohet një dakordësi e përkohshme për tarifat, të mund të qetësohen deri diku tensionet, duke u dhënë frymëmarrje tregjeve, ndërkohë që disproporcionalizmi botëror në hapësirën e tregjeve do të vijojë të konfigurohet, sikundër dominimit absolut po i afrohet ora për ta konfirmuar se nuk është më realitet sundonjës.
Brenda këtij konteksti dhe si qëllim substancial vërehet se ky takim konfirmon të vërtetën që kapërcen qëllimin për tregtinë dhe mishëron negociatën për rendin e ardhshëm botëror. Ndoshta ky është testi i parë në këtë nivel bisedimor.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, i dyti djathtas, bisedon me senatorin amerikan Steve Daines, i dyti majtas, gjatë një takimi dypalësh me një delegacion të Kongresit amerikan në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, Kinë, 7 maj 2026. /Foto nga VCG
Në thellësinë e tymit sëmurës të konfliktit me Iranin dhe më gjerë, në situatën e sotme me vatra tensionesh dhe konfliktesh nëpër botë, po ravijëzohet ndarja e blloqeve teknologjike dhe ekonomike në botë. Natyrisht që për shkak të lidhjeve të trashëguara të këtyre ekonomive në sferën globale, ky proces bëhet jo vetëm i vështirë, por edhe me shumë pasoja.
Kush do t’i shkruajë dhe si do të zbatohen rregullat e reja të rendit të ri, kjo mbetet ende për t’u parë. Takimi mes dy presidentëve është paradhoma e përcaktimit të rivalitetit në dekadën e ardhme. Si i pari, në këtë kontekst çështjesh themelore, është i pamjaftueshëm, por si i tillë ka vlerën e një dialogimi mes dy fuqive për një kalibrim të duhur të marrëdhënieve dypalëshe në kohën e parë të hyrjes në një rend tjetër ndërkombëtar.



