Aktualitet/LajmeBotaKryesoreNdodhi

Sulm me thike nga nje afgan ne nje kopesht femije ne Gjermani. Reagime te shumta politike

Nga Bahri Cani-

 

Kush e ka fajin për sulmin e tmerrshëm në Aschaffenburg dhe vrasjen me thikë të një fëmije dy-vjeçar dhe një 41-vjeçari që përpiqej të mbronte fëmijët e një kopshti?
Një afgan me probleme mendore, që dy herë ka qenë në psikiatri, ka sulmuar një grup fëmijësh të vegjël me thikë. Këtij 28 -vjeçari i është refuzuar kërkesa për azil dhe është dashur të largohet nga Gjermania.
Kancelari Scholz tani akuzon autoritetet e landit në Bavari për mosveprimin e duhur. “Ata duhet t’i kryejnë punët e tyre”, tha Scholz. Ndërsa auroritetet në Bavari akuzojnë kancelarin Scholz dhe qeverinë federale “që nuk e kanë rregulluar si duhet me ligj punën e dëbimeve të njerëzve që duhet të largohen”.
Por Scholz thotë se qeveria e tij i ka lehtësuar ligjet për dëbime. Ndërsa Friedrich Merz, kandidati i Unionit CDU/CSU për kancelar thotë se që “ditën e parë pas fitores, do të inicojë ligjet për kontrollet e kufijëve të jashtëm dhe do të parandalojë të gjitha hyrjet ilegale”. Në Gjermani ka të paktën 42.000 persona që duhet të dëbohen, ndërsa rreth 180 mijë me të ashtuquajturin Duldung.
Tani është hapur debati i thellë ku partitë po japin mendimet e tyre për këto vepra të tmerrshme dhe dëbime. Por një është fakt: të gjitha janë për ashpërsimin e rregullave ndaj këtyre grupeve. Ka dhe të tilla që kërkojnë  “dëbime masive”.
Por me debatet e partive mund të merremi ndonjëherë tjetër! Fakt është që janë vrarë e plagosur fëmijë e të rritur, nga një person që nuk është dashur të jetë fare në Gjermani. Po kush e mban fajin?!

Çka dihet deri tani për sulmin e tmerrshëm ndaj fëmijëve?!

Kancelari Scholz, qeveria dhe të gjitha partitë politike në Gjermani paskan reaguar sot për sulmin e tmerrshëm të një afgani 28-vjeçar ndaj fëmijëve të një kopshti në një park në Aschaffenburg.

Ai ka vrarë me thikë një fëmijë dy-vjeçar dhe një burrë 41 vjeç, i cili po përpiqej t’i mbronte fëmijët. Ka plagosur edhe një fëmijë tjetër dy-vjeçar, një grua dhe një burrë. Deri tani nuk dihet motivi, por dihet që ky person ka ardhur në Gjermani në vitin 2022, ka kërkuar azil politik, dihet se azili i është reufzuar, dihet se ka pasur të paktën tri akte të dhunshme në Gjermani dhe se ka pasur probleme mendore, dihet se ka qenë në psikiatri disa herë, por është liruar.

Ai është dashur të dëbohet nga Gjermania, thuhet madje se ka dashur të largohet vullnetarisht, por kjo nuk ka ndodhur. Kancelari Scholz tha se kemi të bëjmë me një “akt terrori”, por deri tani nuk ka të dhëna se ka qenë i radikalizuar. Fridrich Merz (që ka më së shumti shansa të bëhet kancelar) ka kërkuar sqarimin e menjëhershëm të ngjarjes dhe ndërmarrjen e masave. AfD ka kërkuar dëbime masive të personave që nuk kanë të drejtë të mbeten në Gjermani, e shpjegime dhe masa kanë kërkuar edhe shumë politikanë të tjerë. Ka dhe të tillë që fajësojnë kancelarin dhe qeverinë për gjendjen.

Artikuj të lidhur

Back to top button