Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

SPAK godet të afërmit e Gëzim Çelës! Bllokohen dyqane, apartamente, 12 makina e miliona lekë nëpër banka

Njësi tregtare, 3 apartamente me vlerë mbi 400 mijë euro, para dhe një numër i konsiderueshëm automjetesh janë vendosur në sekuestro provizore me kërkesë të Prokuorirsë së Posaçme. Bëhet fjalë për pasuri në emër të Gëzim Çelës dhe të afërmve të tij, për të cilat SPAK dyshon se burojnë nga trafiku i drogës.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vijim të veprimeve proceduriale në lidhje me procedimin pasuror Nr.14, të vitit 2023, në kuadër të të cilit me vendimin Nr. 27, datë 09.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka sekuestruar disa pasuri të personave të dyshuar, si të përfshirë në veprimtari kriminale të trafikimit të narkotikëve (njoftimi i mëparshëm https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-10-10-2023/ ), ka vijuar me veprimet hetimore, në lidhje me evidentimin dhe gjurmimin e pasurive të dyshuara me burim të paligjshëm. Në kuadër të veprimeve hetimore e procedurale, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në Ligjin Nr. 10 192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (i ndryshuar), me vendimin Nr. 13, datë 17.03.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke vendosur masën provizore të sekuestros të pasurive si më poshtë:”

“1. Pasurisë së llojit “Njësi Tregtare”, me sipërfaqe 237 m2, në pronësi të shtetases M.Th., e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 321 120 Euro (sipas kontratës së porosisë së datës 18.02.2008);

2. Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 74 m2, në pronësi të shtetases M.Th., e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 42 200 Euro; 

3. Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe totale 77, 2 m2 në pronësi të shtetases M.Th., e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 40 000 Euro; 

4. Automjetit BMW X3 3.0D, në pronësi të shtetasit N.Ç.; 

5. Automjetit furgon i markës Mercedes Benz, Tipi 639, Modeli Vito 109 CDI, në pronësi të subjektit N.Ç.; 

6. Shuma monetare në total prej 4 576 585 Lekë, në llogaritë bankare të shtetasit N.Ç; 

7.  Shuma monetare në total prej 57 219 Euro, përkatësisht në llogarinë bankare të shtetasit N.Ç. dhe e sekuestruar CASH shtetasit G.Ç; 

8. Subjektin “X…….” sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm shtetasin G.Gj, të gjitha asetet e tij, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë dhe pasuritë e luajtshme, automjetet si më poshtë vijon: Volkswagen Golf, prodhim i vitit 2015; B.M.Ë., prodhim i vitit 2011; Volkswagen, prodhim i vitit 2006; Audi, prodhim i vitit 2007; B.M.W., prodhim i vitit 2004; Fiat “Doblo”, prodhim i vitit 2014; Mercedez Benz, prodhim i vitit 2010; Daimler Chrysler, prodhim i vitit 2007; Volkswagen Golf, prodhim vitit 2009; Volkswagen Golf Tdi, prodhim i vitit 2016”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Kujtojmë se Gëzim Çela, i ashtuquajtur “Baroni i drogës”, u ekstradua nga Kosova në fillim të muajit Mars, pas një dekade në arrati. Çela u shpall në kërkim fillimisht nga drejtësia shqiptare në vitin 2014 për ngritjen e një laboratori të përpunimit të kokainës në Fushë Kuqe dhe më pas u dënua në mungesë nga ish-Gjykata për Krime të Rënda. Gjatë kësaj kohë ai qarkulloi i lirë dhe ra në rrjetën e një tjetër hetimi të finalizuar në Gusht të 2023 nga SPAK, për një rast të trafiku të lëndëve narkotike që do të bëhej me shkëmbim në det.

Policia thotë zyrtarisht se 56-vjeçari akuzohet si kreu i një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Europë. Para problemeve të nisura me autoritetet shqiptare, Gëzim Çela kërkohej edhe nga shteti italian, që e akuzonte gjithashtu për trafik të lëndëve narkotike.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button