
* Nga Vera Tika
Propozimi për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 e rikthen Shqipërinë përpara një dileme që reforma e vitit 2014 nuk arriti ta zgjidhte: a mjafton riorganizimi i territorit për të prodhuar qeverisje më të mirë, apo harta po ndryshon ndërsa marrëdhënia ndërmjet pushtetit qendror, institucioneve vendore dhe qytetarit mbetet në thelb e njëjtë?
Në pamje të parë, argumentet për një rishikim të ndarjes territoriale janë të kuptueshme. Shqipëria e vitit 2026 është demografikisht dhe ekonomikisht e ndryshme nga vendi mbi të cilin u projektua reforma e një dekade më parë. Censi i vitit 2023 regjistroi një popullsi prej rreth 2.4 milionë banorësh. Emigrimi, migrimi i brendshëm, plakja e popullsisë dhe përqendrimi i aktivitetit ekonomik në një numër të kufizuar qendrash urbane kanë dobësuar bazën njerëzore, fiskale dhe administrative të shumë bashkive.
Këto janë arsye që meritojnë të merren seriozisht. Njësi më të mëdha territoriale mund të mbajnë administrata më të specializuara, të hartojnë politika më të qëndrueshme zhvillimi, të planifikojnë investime komplekse dhe të menaxhojnë më mirë fondet europiane. Zbatimi i një pjese të rëndësishme të legjislacionit të Bashkimit Europian — nga mbrojtja e mjedisit dhe menaxhimi i mbetjeve deri te shërbimet sociale, zhvillimi rajonal dhe prokurimi publik — kërkon institucione vendore me ekspertizë, personel dhe burime të mjaftueshme.
Kjo shpjegon, të paktën pjesërisht, pse reforma ndërmerret tani. Shqipëria po hyn në një fazë më kërkuese të procesit të anëtarësimit dhe pushteti vendor duhet të përgatitet për një model të qeverisjes shumënivelëshe, ku përgjegjësitë shpërndahen ndërmjet institucioneve europiane, qeverisë kombëtare, rajoneve dhe bashkive. Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025 kërkon forcimin e kapaciteteve vendore, qartësimin e funksioneve, shtimin e të ardhurave të veta dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërbashkiak. Në të njëjtën kohë, ai evidenton përparimin e kufizuar në zbatimin e strategjisë së decentralizimit dhe ndërhyrjen e vazhdueshme politike të qendrës në administratat vendore.
Pikërisht këtu fillon problemi. Argumentet funksionale në favor të reformës janë bindëse vetëm nëse ndryshimi i hartës shoqërohet me një ndryshim real të mënyrës se si shpërndahet pushteti. Një bashki më e madhe mund të ketë më shumë kapacitete profesionale, por mundet njëkohësisht ta largojë vendimmarrjen nga qytetari, të dobësojë përfaqësimin e komuniteteve periferike dhe të përqendrojë burimet në qendrën urbane dominuese.
Efikasiteti administrativ dhe cilësia demokratike nuk përputhen vetvetiu. Një njësi më e madhe mund të reduktojë disa kosto dhe të përqendrojë ekspertizën, por mund të rrisë distancën politike dhe institucionale ndërmjet të përfaqësuarit dhe atij që vendos.
Ky tension nuk është veçori shqiptare. Gjatë dekadave të fundit, shumë vende europiane e kanë rishikuar organizimin e pushtetit vendor për t’iu përgjigjur fragmentimit territorial, rënies demografike, plakjes së popullsisë dhe rritjes së kostove të shërbimeve. Reforma të gjera konsolidimi janë zbatuar në Danimarkë, Greqi, Estoni dhe Letoni, ndërsa vende si Franca dhe Finlanda kanë përdorur më gjerësisht bashkëpunimin ndërbashkiak dhe format vullnetare të bashkimit.
Megjithatë, përvoja europiane nuk prodhon një përfundim të vetëm. Njësitë më të mëdha mund të kenë kapacitet më të mirë financiar dhe teknik, por bashkimet nuk garantojnë automatikisht kursime. Në disa raste ato kanë dobësuar pjesëmarrjen politike, kanë përqendruar shërbimet dhe kanë krijuar periferizim të ri brenda vetë bashkive të zgjeruara. Për këtë arsye, bashkëpunimi ndërbashkiak po trajtohet gjithnjë e më shumë si një alternativë elastike: bashkitë bashkojnë burimet për funksione të caktuara pa humbur domosdoshmërisht institucionet dhe përfaqësimin e tyre politik.
Debati europian nuk zhvillohet më thjesht rreth kundërvënies ndërmjet bashkive të vogla dhe atyre të mëdha. Pyetja është se në çfarë shkalle duhet të ushtrohet secili funksion publik dhe si mund të rritet kapaciteti institucional pa cenuar afërsinë demokratike. Menaxhimi i mbetjeve, transporti ose infrastruktura mund të kërkojnë bashkëpunim në një territor më të gjerë; shërbimet sociale, pjesëmarrja qytetare dhe përcaktimi i prioriteteve lokale kërkojnë shpesh prani dhe përgjegjësi më pranë komunitetit.
Kjo është edhe logjika e qeverisjes policentrike e zhvilluar nga Elinor Ostrom: jo çdo problem kërkon të njëjtën madhësi institucioni dhe jo çdo dobësi administrative duhet të zgjidhet përmes shkrirjes së njësisë politike.
Në traditën e teorisë demokratike, pushteti vendor nuk është konceptuar thjesht si niveli fundor i administratës shtetërore. Tocqueville e shihte vetëqeverisjen lokale si shkollën e parë të lirisë politike, sepse pikërisht aty qytetari mëson të marrë pjesë, të bashkëpunojë dhe të kërkojë llogari. Robert Dahl e formuloi më vonë dilemën e shkallës si një tension ndërmjet kapacitetit të institucioneve për të vepruar dhe mundësisë së qytetarëve për të marrë pjesë e për t’i kontrolluar ato.
Sa më e madhe bëhet njësia politike, aq më shumë mund të rriten burimet dhe kapacitetet e saj; por njëkohësisht mund të dobësohen marrëdhëniet e drejtpërdrejta të përfaqësimit dhe të llogaridhënies. Pikërisht për këtë arsye, madhësia territoriale duhet të trajtohet si mjet dhe jo si qëllim në vetvete.
Në Shqipëri, kjo dilemë vendoset mbi një trashëgimi historike të centralizimit. Gjatë regjimit komunist, strukturat lokale ishin hallka zbatuese të pushtetit qendror dhe jo institucione autonome të komuniteteve. Pas vitit 1990, ndërtimi i demokracisë vendore kërkonte më shumë sesa organizimin e zgjedhjeve periodike. Ai kërkonte një kulturë të re të shpërndarjes së pushtetit, kompetencave dhe burimeve.
Kushtetuta e vitit 1998 e vendosi decentralizimin dhe autonominë vendore në themelet e rendit kushtetues, ndërsa ratifikimi i Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore në vitin 2000 e lidhi Shqipërinë me standardet europiane të subsidiaritetit dhe vetëqeverisjes. Por transformimi juridik nuk u shoqërua gjithmonë me një transferim po aq të plotë të autoritetit politik, kapaciteteve administrative dhe burimeve financiare.
Reforma e vitit 2014 kishte një arsyetim të fortë. Sistemi i mëparshëm, me 373 njësi të qeverisjes vendore, ishte tepër i fragmentuar. Shumë komuna nuk kishin as të ardhurat, as personelin dhe as kapacitetin institucional për të ofruar shërbime të qëndrueshme. Konsolidimi në 61 bashki synonte të krijonte institucione më funksionale dhe të hapte rrugën për një decentralizim më të thellë.
Një dekadë më vonë, bilanci mbetet i përzier. Bashkitë u zgjeruan, por nuk u bënë domosdoshmërisht më autonome. Atyre iu transferuan përgjegjësi të reja, por financimi, kompetencat dhe kapacitetet nuk u zhvilluan gjithmonë në të njëjtën masë. Në shumë raste u zmadhua territori i administrimit, por nuk u ndryshua logjika vertikale e marrëdhënies me qendrën.
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Europës ka kërkuar ndarje më të qartë të përgjegjësive ndërmjet qeverisë dhe pushtetit vendor, më shumë hapësirë për iniciativën lokale dhe burime më të qëndrueshme financiare e njerëzore. Këto vërejtje shkojnë në zemër të problemit shqiptar: decentralizimi juridik nuk është shndërruar plotësisht në autonomi politike dhe financiare.
Kjo mospërputhje prodhon një deficit të vazhdueshëm llogaridhënieje. Bashkitë mbajnë përgjegjësi për shërbimet, por varen nga transfertat, prioritetet dhe vendimet e pushtetit qendror. Kur shërbimi dështon, qeveria mund t’ia atribuojë përgjegjësinë bashkisë, ndërsa bashkia mund të thirret te mungesa e burimeve ose e autoritetit. Përgjegjësia bëhet e paqartë, ndërsa pushteti real mbetet i përqendruar.
Për këtë arsye, reforma e re nuk duhet të fillojë nga pyetja se cilat bashki do të shkrihen. Ajo duhet të nisë nga një përcaktim i qartë i funksioneve, financave dhe mekanizmave të përfaqësimit. Përndryshe, rrezikohet të përsëritet modeli i vitit 2014: miratohet riorganizimi territorial, ndërsa decentralizimi thelbësor shtyhet për një fazë të dytë që mbetet vazhdimisht e papërfunduar.
Ekziston edhe një arsye politike pse koha e reformës ka rëndësi. Harta e re synohet të zbatohet përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Kufijtë territorialë ndikojnë mbi elektoratet, kontrollin e administratës, shpërndarjen e fondeve dhe peshën politike të komuniteteve. Çdo reformë e tillë krijon në mënyrë të pashmangshme fitues dhe humbës institucionalë.
Kjo nuk provon se propozimi është hartuar për qëllime elektorale. Por do të ishte po aq e gabuar të trajtohej një ndryshim i tillë sikur të zhvillohej në një hapësirë tërësisht të shkëputur nga interesi politik. Sa më pranë zgjedhjeve të ndryshohet harta, aq më të larta duhet të jenë kërkesat për transparencë, kritere të njëtrajtshme dhe legjitimitet të gjerë.
Arsyetimi për çdo bashkim duhet të jetë publik dhe i verifikueshëm. Nëse kriteri demografik zbatohet për një bashki, ai nuk mund të anashkalohet për një tjetër pa një shpjegim bindës. E njëjta gjë vlen për qëndrueshmërinë financiare, lidhjet funksionale, traditën historike, gjeografinë dhe aksesin në shërbime. Përjashtimet e negociuara politikisht e dëmtojnë të gjithë reformën, sepse krijojnë dyshimin se harta është rezultat i raportit të forcave dhe jo i një metodologjie institucionale.
Mbyllja pa rezultat të përbashkët e komisionit parlamentar dhe paraqitja e një projektligji nga mazhoranca nuk dëshmojnë vetvetiu manipulim elektoral. Ato e rrisin, megjithatë, barrën e qeverisë dhe të shumicës parlamentare për të provuar se secili ndryshim mbështetet mbi të dhëna, kritere koherente dhe përfitime të matshme për qytetarët.
Reagimet në qytetet e prekura tregojnë ndërkohë se ky debat nuk mund të kufizohet brenda gjuhës teknike të efikasitetit administrativ. Në Poliçan, kundërshtimi mori një ngarkesë të fortë simbolike: qytetarë dogjën publikisht teserat e Partisë Socialiste, ndërsa drejtuesi vendor i kësaj force politike dha dorëheqjen. Reagime, protesta dhe peticione janë shfaqur edhe në bashki të tjera të propozuara për t’u shkrirë, ndër to Dimal, Divjakë, Klos, Memaliaj dhe Përrenjas.
Këto reagime nuk provojnë vetvetiu se çdo bashkim është i gabuar dhe as se të gjitha komunitetet e prekura ndajnë të njëjtin qëndrim. Ato tregojnë, megjithatë, se reforma prek një dimension që hartat administrative e nënvlerësojnë shpesh: marrëdhënien politike, historike dhe emocionale të qytetarit me bashkësinë ku jeton.
Rasti i Poliçanit është veçanërisht domethënës, sepse shfaq një çarje ndërmjet përkatësisë partiake dhe asaj vendore. Kur qytetarë që kanë mbështetur për vite me radhë partinë në pushtet djegin simbolikisht teserat e saj për të kundërshtuar humbjen e statusit të bashkisë, reforma nuk përjetohet më si racionalizim institucional. Ajo perceptohet si prishje e një kontrate politike dhe si humbje e aftësisë së komunitetit për t’u përfaqësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Mazhoranca mund të jetë e tunduar t’i lexojë këto reagime si rezistencë emocionale ndaj ndryshimit. Por identiteti vendor nuk është një pengesë irracionale për modernizimin. Ai është pjesë e vetë realitetit demokratik që Kushtetuta kërkon të merret parasysh kur përmend traditën historike dhe mendimin e popullsisë.
Neni 108 i Kushtetutës përcakton se ndarja administrativo-territoriale duhet të mbështetet mbi nevojat dhe interesat e përbashkëta ekonomike, si edhe mbi traditën historike, dhe se kufijtë nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to.
Referimi te tradita historike nuk është dekorativ. Një bashki nuk është vetëm një territor, një numër banorësh dhe një kosto administrative. Ajo është edhe një bashkësi politike, një hapësirë kujtese, identiteti dhe marrëdhëniesh të krijuara ndër breza. Kjo nuk do të thotë se çdo kufi duhet të jetë i pandryshueshëm, por se demografia dhe financat nuk mund të jenë kriteret e vetme të reformës.
Në këtë proces, konsultimi publik nuk mund të trajtohet si një fazë plotësuese pas hartimit të vendimit. Komunitetet duhet të kenë informacion të plotë mbi pasojat e bashkimit: çfarë ndodh me shërbimet, buxhetin, administratën, asetet, investimet dhe përfaqësimin e tyre politik.
Vlera e konsultimit nuk përcaktohet nga numri i takimeve të zhvilluara, por nga hapësira reale që qytetarëve u jepet për të ndikuar projektin. Një proces që fillon pasi opsionet kryesore janë mbyllur mund ta përmbushë formalisht detyrimin procedural, por e dobëson ndjeshëm përmbajtjen demokratike të konsultimit.
Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore vendos të njëjtin standard. Ndryshimi i kufijve duhet të paraprihet nga konsultimi i komuniteteve, ndërsa përgjegjësitë publike duhet të ushtrohen, sa herë që është e mundur, nga autoritetet më pranë qytetarit. Kjo është përmbajtja e parimit të subsidiaritetit: vendimmarrja nuk duhet të ngjitet drejt qendrës pa u provuar se niveli më i lartë është vërtet më i përshtatshëm.
Pikërisht këtu reforma shqiptare duhet të vendoset brenda debatit europian. Integrimi në Bashkimin Europian nuk kërkon thjesht bashki më të mëdha dhe administrata të afta për të menaxhuar fonde. Ai kërkon qeverisje shumënivelëshe, autonomi financiare, bashkëpunim ndërmjet territoreve, transparencë dhe pjesëmarrje. Një pushtet vendor që fiton sipërfaqe, por jo kompetenca, nuk bëhet më europian; bëhet vetëm administrativisht më i gjerë.
Për çdo bashkim duhen paraqitur rezultate të matshme: cilat shërbime do të përmirësohen, çfarë kursimesh priten, si do të shpërndahen investimet, sa do të ndryshojë largësia nga administrata dhe çfarë mekanizmash do të mbrojnë komunitetet më të vogla. Duhet të shpjegohet gjithashtu se si do të përfaqësohen qytetet që humbasin kryetarin, këshillin dhe buxhetin e tyre.
Ruajtja e emrit të një qyteti nuk është e barasvlershme me ruajtjen e autonomisë së tij. Përfaqësimi proporcional në një këshill më të madh nuk garanton domosdoshmërisht ndikim real, sepse komunitetet më të vogla mund të mbeten pakica të përhershme, ndërsa investimet dhe shërbimet të përqendrohen aty ku ndodhet shumica e popullsisë dhe e votave.
Duhet të shqyrtohen gjithashtu alternativat ndaj shkrirjes. Bashkëpunimi ndërbashkiak, shërbimet e përbashkëta dhe strukturat teknike rajonale përdoren në shumë vende europiane për të rritur kapacitetin pa eliminuar autonominë politike. Për Ballkanin Perëndimor, edhe SIGMA e ka konsideruar bashkëpunimin ndërbashkiak një instrument të rëndësishëm për tejkalimin e mungesës së burimeve dhe kapaciteteve administrative.
Në fund, reforma duhet të gjykohet jo nga numri i bashkive që eliminon, por nga pushteti që u jep institucioneve të mbetura. Nëse bashkitë bëhen më të mëdha, por vazhdojnë të varen nga qeveria qendrore, decentralizimi mbetet formal. Nëse shërbimet përqendrohen në qytetet dominuese, periferitë nuk fitojnë nga ekonomia e shkallës. Nëse komunitetet ruajnë emrin, por humbasin kapacitetin për të ndikuar vendimet, identiteti administrativ nuk e kompenson dobësimin politik.
Shqipëria mund të ketë nevojë për një hartë të re. Por nevoja më e madhe është për një marrëdhënie të re ndërmjet shtetit qendror, pushtetit vendor dhe qytetarit: një marrëdhënie që shpërndan autoritetin dhe burimet, jo vetëm territorin; që e trajton bashkinë si institucion të vetëqeverisjes dhe jo si zyrë periferike të ekzekutivit; dhe që e kupton demokracinë vendore si përvojën më të drejtpërdrejtë të qytetarit me pushtetin.
Në të kundërt, Shqipëria do të ketë një hartë të re mbi të njëjtin model të vjetër qeverisjeje.
* Lektore prane Universitetit Panteion, Athinë



