
Nga Çapajev Gjokutaj-
Në këto shënime tregohet se si në shekuj letërsia është përballur me rivalë të ndryshëm, ka humbur funksione por pas çdo ndeshjeje është shfaqur më pranë perfeksionit dhe thelbit estetik. Në fund thuhen edhe pak fjalë për pyetjen: A do ta përballojë letërsia humane sulmin e inteligjencës artificiale?
1.
Për shekuj me radhë, letërsia artistike nuk ka qenë thjesht një gjini arti, por vetë perandoria e fjalës. Brenda kështjellave të saj të larta, strehontethuajse të gjitha nevojat intelektuale e shpirtërore të shoqërisë. Nga Iliada e Homerit te tragjikët e mëdhenj të antikitetit, e deri te Komedia Hyjnore e Dantes dhe më pas Komedia Njerëzore e Balzakut apo Lufta dhe Paqja e Tolstoit, letërsia funksiononte njëkohësisht si kozmologji që shpjegonte origjinën e gjithësisë, si traktat moral që udhëhiqte sjelljen e njerëzve, si arkiv historik, si kabinet i psikologjisë njerëzore dhe si dritare drejt argëtimit apo fluturimit të imagjinatës. Të hapje një ep apo një roman të madh do të thoshte të hyje në të vetmen fortesë ku bota mund të konceptohej si një e tërë.
Prej kohësh kjo pamje ka ndryshuar rrënjësisht. Shkencat natyrore dhe sidomos ato shoqërore kanë marrë pjesën që u takon. Psikologjia ka hyrë e po hyn në të gjitha kthinat e qenies njerëzore. Kështu psikanaliza u përpoq të zbërthejë nënvetëdijen me instrumente klinike, neuroshkenca niset nga truri për të arritur te psikologjia; sociologjia anatomizon strukturat e shoqërisë, ndërsa historiografia dhe shkenca natyrore përvetësuan te rritoret mbi të kaluarën dhe kozmosin. Shkrimtari nuk është më ligjvënësi apo orakulli i vetëm i dijes.
Si të mos mjaftonte sulmi shumëshekullor i shkencave, në ditët tona ‘pushtues’ të rinj janë shfaqur para portave të letërsisë. Kinemaja, televizioni, serialet e platformave moderne dhe, veçanërisht videolojërat narrative, i kanë marrë letërsisë monopolin e argëtimit dhe të krijimit të botëve imagjinare. Spektakli vizual dhe përjetimi ndërveprues, ku lojtari ka rol të drejtpërdrejtë mbi ngjarjen, i japin trillimit online ngarkesë shqisore që ngjan se teksti i shkruar e ka të vështirë ta arrijë.
2.
Në shikim të parë, kjo tërheqje territoriale ngjan me një kapitullim. Nën presionin e shkencës dhe të imazhit lëvizës, letërsia duket e zhveshur nga kompetencat e saj historike. Por kjo tërheqje mban brenda vetes një paradoks të madh: nuk kemi të bëjmë me tragjedinë e një shkatërrimi, por me një çlirim estetik. Duke i dorëzuar funksionet e saj didaktike e utilitare, letërsia është zhvishur nga përgjegjësi që në fakt nuk nuk i përkasin natyrës së saj, ka arritur të ketë më pak didaktikë e më shumë art.
Dorëzimi i këtyre funksionneve nuk e ka varfëruar letërsinë, përkundrazi. Sa kohë që romani apo poezia duhej të bënin edhe punën e kronikanit historik apo të predikuesit moral, liria e tyre e brendshme mbetej e kufizuar nga pesha e këtyre detyrimeve utilitare. Shkrimtari ishte i detyruar të ndërtonte ngrehina të mëdha, shpesh didaktike, për t’u shërbyer nevojave intelektuale.
Duke u çliruar nga kjo barrë prej shkencave të specializuara dhe mediumeve të reja, letërsia fitoi autonomi më të madhe estetike, u tërhoq nga gjerësia e sipërfaqes për t’i hyrë thellësisë së artit. Me një fjalë specializimi i dijes e shtyu letërsinë drejt zbulimit të territorit të saj më ekskluziv e të paasgjësueshëm:
Pa këtë çlirim, pa laboratorin e psikanalizës apo kërkimet gjuhësore, do të ishte e pamundur të imagjinohej guximi i shkrimtarëve të shekullit XX si James Joyce, Marcel Proust, Franz Kafka, Virginia Woolf, William Faulkner etj për të shpërbërë format klasike. Letërsia pushoi së qeni një pasqyrë e thjeshtë që shëtit përgjatë rrugës së madhe dhe u bë një mikroskop që regjistron luhatjet më të imëta të vetdijes dhe të nënvetëdijes, monologun e brendshëm, kohën e thyer psikologjike dhe fragmentarizmin e ekzistencës.
Kur imazhi kinematografik mori përsipër të shfaqë pamjen e jashtme të botës, teksti letrar u ndërgjegjësua se fuqia e tij nuk qëndron te përshkrimi dekorativ, por te përmasa stilistike. Gjuha nuk është më thjesht një mjet transmetimi i një ngjarjeje, por vetë ngjarja. Ambiguiteti gjuhësor, ironia e hollë, metafora e shtresëzuar dhe muzikaliteti i frazës u bënë ‘territore’ të reja.
Në këtë kuptim, humbja e rolit si “mësuese e popujve” apo “spektakël sinkretik” e ndihmoi letërsinë të bëhet më shumë vetvetja: një hapësirë e pastër e kërkimit estetik, ku rëndësi nuk ka vetëm çfarë tregohet, por edhe si përjetohet bota përmes strukturës së fjalës.
3.
Nëse kështjellat e vjetra ranë dhe letërsia u tërhoq në territorin e saj më të brendshëm, pyetja që shtrohet natyrshëm është: pse ky territor gjithsesi më i vogël por kurrsesi më i gjymtuar, mbetet i papushtueshëm? Pse njeriu modern, i rrethuar nga një oqean imazhesh, algoritmesh dhe stimujsh të shpejtë, vazhdon të ketë nevojë vitale për krijimin letrar?
Mbijetesa e letërsisë nuk mbështetet te nostalgjia kulturore, por te disa atribute unike që asnjë medium tjetër nuk arrin t’i simulojë.
Bota e sotme funksionon mbi parimin e fragmentarizmit, komunikimit të shpejtuar (kultura e SMS-ve, mesazheve me pezullim vëmendjeje) e të kapjes së menjëhershme të syrit. Në këtë mjedis marramendës, leximi i një romani shndërrohet në një akt radikal rezistence. Ai është një ushtrim i ngadalësimit të vetëdijshëm, ku truri detyrohet të braktisë ritmin e shpërqendrimit masiv për t’u harmonizuar me ngadalësinë e thellë të mendimit. Letërsia është një nga të paktat strehë ku vëmendja nuk shpërbëhet, por rindërtohet.
Kamera mund të kapë dridhjen e dorës apo hijen e ankthit në fytyrën e një aktori, por ajo mbetet jashtë e nuk mund të shfaqë sintaksën e thyer të një mendjeje në çastin e zgjedhjes morale, si te polifonia e Dostojevskit apo ambivalencën e ndjenjave të ndërthurura si te Thomas Mann. Me gjasë vetëm fjala e shkruar e posedon çelësin për të hyrë brenda kësaj dhome të mbyllur të subjektivitetit. Imazhi vizual ta ofron botën të përfunduar; gjuha letrare ta zbulon atë në procesin e gjenerimit brenda ndërgjegjes.
Filmi apo videoloja janë produkte me një shkallë të lartë përcaktueshmërie vizuale — ato ta japin fytyrën e personazhit, dritën e dhomës dhe trajtën e peizazhit të gatshëm. Spektatori apo lojtari janë më së shumti konsumatorë pamor. Në letërsi, përkundrazi , qoftë duke udhëtuar në botët fantastike të Gabriel García Márquez-it apo në përshkrimet tejet të kursyera të Heminguejt, teksti jep vetëm pjesët e dukshme të ajsbergut: është imagjinata e lexuesit që duhet të pikturojë dritën, të veshë personazhin dhe të japë ngjyrën e zërit. Ky akt bashkëkrijimi e bën përvojën letrare thellësiaht intime dhe personale.
Prodhimi i një filmi apo i një videoloje narrative kërkon buxhete milionëshe, skuadra teknike dhe pashmangshmërisht nënshtrim ndaj logjikës së tregut, censurës komerciale apo pëlqimit të shumicës. Letërsia mbetet ndër mediumet më të lirë dhe më autonomë: ajo kërkon vetëm një autor dhe një faqe të bardhë. Nga vizionet e George Orwell-it apo Aldous Huxley-t e deri te eksperimentet më hermetike bashkëkohore, kjo kosto thuajse ekzistenciale e prodhimit i jep letërsisë lirinë të jetë radikale, heretike e të flasë pa pasur nevojë të negociojë me pritshmëritë e masës.
4.
Në shekuj, letërsia është ndeshur vazhdimisht me “barbarë” që i kanë përshkuar kufijtë e saj, kanë përvetësuar pjesë të territoreve të saj kulturore apo i kanë paralajmëruar edhe rënien. Megjithatë, siç e pamë më lart, ajo ka ditur gjithmonë që këto disfata të pjesëshme t’i kthejë në fitore , duke u rinovuar, duke rishpikur veten dhe duke rigjetur thellësi estetike që më parë nuk i njihte.
Por sot në kufijtë e saj është shfaqur një rival i paparë ndonjëherë: inteligjenca artificiale. Skeptikët dhe teoricienët e alarmuar parashikojnë se këtë herë kështjella e letërsisë humane po bie përfundimisht; sipas tyre, makina do ta zëvendësojë plotësisht krijuesin njerëzor, duke e kthyer shkrimin në një algoritëm statistikish të përsosura, me romane e poezi që ushqejnë konsumin e shpejtë dhe e lënë lexuesin pa zërin e gjallë të autorit. Në këtë vizion të zymtë, arti letrar zhvishet nga misteri dhe shndërrohet në një produkt të gjeneruar me eficiencë industriale.
Në krahun tjetër, zërat që mbrojnë letërsinë humane si një nga kështjellat e fundit të humanizmit, këmbëngulin se shkrimtari i vërtetë nuk mund të zëvendësohet kurrë nga një softuer. Arti letrar, sipas këtyre, nuk është thjesht një kombinim sintaksor apo një mesatare e të gjitha teksteve të shkruara më parë, por produkt i një përvoje të jetuar: i trupit që plaket, i dhimbjes, i vetmisë, i frymëmarrjes dhe i gëzimit të ekzistencës. Sipas këtyre tek teksti i gjeneruar nga makina mungon “mundimi” i krijimit, qëllimshmëria morale dhe zgjedhja e vetëdijshme, sepse një algoritm mund të imitojë formën, por jo konfliktin e brendshëm shpirtëror që lind artin. Për rrjedhojë, letërsia e gjeneruar nuk do të arrijë dot kurrë të zëvendësojë takimin e vërtetë mes dy ndërgjegjeve njerëzore: shkrimtarit dhe lexuesit.
Si në të gjitha diskutimet e këtij lloji, krahas grupeve pro dhe kundra, ka edhe një të ndërmjetëm që parashikon
një ndarje të tregut letrar në dy bashkësi: më njerën anë letërsia e konsumit të shpejtë, prozë e skenarë ( të gjeneruar nga IA ose të bashkëshkruar me redaktim njerëzor) që ushqejnë tregun masiv të argëtimit vizual e digjital. Më anë tjetër vepra ku vlera kryesore nuk do të jetë thjesht intrigat, subjektet dhe argëtimi, por fakti që prapa tekstit qëndron një ndërgjegje tjetër njerëzore me të cilën lexuesi hyn në dialog.
Gjenerimi i veprave komerciale nga IA nuk vihet në dyshim. Shumica e ekspertëve të teknologjisë bien dakord se IA do të arrijë shpejt kapacitetin për të shkruar romane, tregime e drama të plota e teknologjikisht pa të meta. Këtu arritja e nivelit të një “bestseller-i” komercial është çështje kohe. Po kështu IA po dëshmon se është një mekanizëm jashtëzakonisht efektiv i imitimitt: mund të shkruajë një poezi në stilin e Dantes, një monolog në stilin e Shekspirit apo një fragment në stilin e Proust-it, sepse ka përthithur të gjithë korpusin e tyre gjuhësor.
Nëse letërsinë e shohim thjesht si një tekst të shkruar mirë, IA do të arrijë ta shkruajë atë. Por nëse e shohim si një takim mes dy përvojave njerëzore të ekzistencës, IA do të mbetet gjithmonë jashtë këtij tempulli.
Askush sot nuk mund të flasë me siguri absolute për fatin e kësaj ndeshjeje historike mes letërsisë dhe inteligjencës artificiale. Gjithsesi ne, brezi që e patëm letërsinë humane si burimin kryesor të kënaqësive intelektuale, filozofike dhe estetike, e kemi të pamundur ta përfytyrojmë ndërgjegjen njerëzore të mposhtur përfundimisht nga ftohtësia e makinës.
Edhe nëse makina arrin të shkruajë sintaksën më të përsosur, kështjella e vërtetë e letërsisë do të mbetet gjithmonë aty ku lind shpirti, përvojat e papërsosura dhe ajo etje e papërsëritshme njerëzore për të kërkuar kuptim përmes fjalës së shkruar.



