Aktualitet/LajmePolitike

Shpallja “non grata” – Berisha pranon se e humbi gjyqin me Blinken: Do i zhdukim prokororët e gjykatësit, siç u zhduk prokurori i Trump

Kreu i demokratëve Sali Berisha ka pranuar këtë të premte se e ka humbur gjyqin e hapur në një Gjykatë në Paris kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Berisha tha se gjykatësit vlerësuan se Sekretari i Shtetit ka imunitet dhe se ai nuk është një qytetar i vendeve të BE-së, për të vijuar procesin gjyqësor ndaj Blinken.

“Të jem i sinqertë padia ime ishte një padi për dinjitetin e Sali Berishës dhe dinjitetin e shqiptarit. Nuk ishte një padi që Gjykata do të merrte këtë apo atë vendim.

Por ishte në dinjitetin tim që t’i kërkoja zotërisë që të paraqiste dokumente mbi akuzat. Çështja shkoi në gjyq, por gjykatësit vlerësuan se Sekretari i Shtetit ka imunitet dhe se unë nuk jam qytetar i vendeve të BE-së.

Sipas avokatit tim, këto pretendime ishin relative, sepse shpifja dënohet edhe aty ku del. Imuniteti nuk është për shpifje, shpifja nuk i jep imunitet zyrtarëve”, – tha Berisha në emisionin “Log.” të gazetarit Endri Xhafo në News24.

Berisha shprehu bindjen se administrata e re amerikane do të korrektojë shpalljen e tij “non grata” nga ajo që e konsideroi si një goditje puçistë nga grupet anti-demokratike. Berisha tha se demokratët e vërtetë nuk pranojnë vendime të tilla.

“E vërteta është se Donald Trump ka folur më shumë se askush tjetër për liritë, kundër censurës. Censura po shtrinte vellon e zezë të saj dhe po bëhej gjithnjë e më e trashë në SHBA dhe vendet e tjera”, tha Berisha.

Ai tha se standardet e lirisë do të njohin dimensione të tjera. Në këtë kuadër Berisha tha se kjo administratë nuk mund të pranojë praktikat korruptive ndaj forcave demokratike në Europë dhe në Botë.

Sipas Berishës, reformat e thella që do të ndërmarrë Qeveria e Trump, do të parandalojnë dallgën e ekstremit të majtë, e cila degradoi me segmente drejtësie, si ato të cilat prokurorja bënte fushatë: votoni për mua se do të pjek në hell Donald Trump, apo Gjykatësin që vendoste gjoba 450 mln dollarë.

Berisha tha se këto modele u ekspoertuan edhe në Tiranë. “Këto qenie të shpifura dhanë dorëheqjen njëri pas tjetrit. Ku i ka akuzat Prokurori Smith për Trump? Këto reforma të qeversë Trump do t’i japë përgjigjen e merituar këtyre prokurorëve dhe gjykatësve. Prokurorët e George Soros kanë humbur kundër rivalëve të tyre në distriktet ku kandiduan”, tha Berisha.

Ai tha Partia Demokrate në SHBA do të nxjerrë mësime të mëdha nga kjo situatë, pasi ajo është një parti e madhe, e Rusveltit apo Kennedy.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button