Aktualitet/LajmeKryesoreRajoni

Samiti i OSBE/ Hasani replikon me Lavrov: Evropa e sigurtë vetëm me njohjen e pavarësisë së Kosovës

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në takimin e 30-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Ministri Hasani dënoi agresionin rus në Ukrainë, teksa theksoi se Rusia po kërkon të nxisë telashe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke dobësuar kështu edhe OSBE-në.

“Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, në të vërtetë për të gjithë arkitekturën tonë të sigurisë, duke përfshirë edhe këtë organizatë, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme e agresionit kundër Ukrainës.

Kjo luftë tragjike ka pasur pasoja dramatike për OSBE-në, në të tre dimensionet. Duke keqpërdorur mekanizmin unik të bashkëpunimit tonë – konsensusin – dhe duke e bllokuar atë për të gjitha vendimet e rëndësishme, Rusia ka synuar të dobësojë dhe paralizojë organizatën tonë. Të njëjtin mesazh deformues dëgjuam pak minuta më parë. Të njëjtat fjalë si në vitet 1956, 1968, 2008, 2014, 2022. Pastaj dërgojnë tanket e tyre”, deklaroi Ministri Hasani.

Kryediplomati shqiptar u shpreh se Shqipëria po bën çmos për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve, por sipas tij nevojitet një përpjekje e bashkërenduar nga të gjithë miqtë dhe partnerët për të neutralizuar këto përpjekje.

“Të gjithë duhet ta pranoni se mënyra më e mirë për ta bërë Ballkanin Perëndimor, dhe rrjedhimisht Evropën, më të sigurtë, është njohja e pavarësisë së Kosovës dhe dhënia e vendit që i takon në këtë tryezë dhe në çdo tryezë tjetër ndërkombëtare”, tha ai.

Në përfundim të ditës së parë të Ministerialit të OSBE, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në takimin mbi “Luftën kundër Korrupsionit në Evropën Juglindore përmes Rikuperimit të Aseteve dhe Përdorimi i Dixhitalizimit”, gjatë së cilës u firmos deklarata e përbashkët e miratuar nga përfaqësuesit e Evropës Juglindore gjatë Konferencës Rajonale të OSBE.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button