
Kryeministri Edi Rama pritet t’u drejtohet shqiptarëve me një mesazh menjëherë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet për vizitën në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ajo që duket e pazakontë është vendi i zgjedhur për këtë komunikim.
Sipas njoftimit nga zyra e shtypit të kryeministrit, Rama do të flasë nga salla e shtypit në aeroportin “Nënë Tereza”, sapo të mbërrijë në Shqipëri.
Sipas njoftimit të bërë nga kabineti i tij, ora e saktë e adresimit do të bëhet e ditur gjatë paradites, pasi nisja nga aeroporti JFK në Nju Jork ende nuk është konfirmuar për shkak të kushteve të motit.
“Nesër sapo të kthehet nga vizita në Kombet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama do t’u drejtohet me një mesazh shqiptarëve nga salla e shtypit të Aeroportit “Nënë Tereza”.
Duke qenë se nisja sot nga aeroporti JFK i Nju Jorkut është ende e pakonfirmuar si rezultat i motit të keq, orën e saktë të adresimit do ta njoftojmë nesër paradite”, thuhet në njoftim.
Kjo dalje e papritur vjen pas zhvillimeve lidhur me skandalin rreth ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet në arrest shtëpie, dhe publikimit të materialeve të përgjimit që kanë nxitur reagime në opinionin publik.
Megjithatë, në njoftimin zyrtar nuk është bërë e ditur tema konkrete për të cilën kryeministri do t’u drejtohet shqiptarëve.



