Aktualitet/LajmeBlog

Pse nuk ka një opozitë sot në Shqipëri?

Nga Spartak Ngjela-

Një vend apo shtet që drejtohet politikisht dhe pushteti politik vendoset nga vota e lirë, nëse nuk ka opozitë, ky shtet, në thelbin e tij teoriko-praktik, është diktaturë.

Sot në Shqipëri nuk ka opozitë.

Atëherë, pse nuk ka një opozitë dhe ku realisht jemi, në cilën situatë politike po ndodhet sot Shqipëria?

I.

Për këtë çështje, pyetjet që mund të ngrihen janë këto:

Pse sot në Shqipëri nuk ka një opozitë politike me personalitet shoqëror?

Po personsliteti shoqëror, çfarë është?

Pse e ka humbur personalitetin shoqëror sot opozita shqiptare?

Humbja e personalitetit shoqëror të Partisë Demokratike është paaftësi e lidershipit, është një konflikt i brendshëm në luftën për kreun e partisë, apo është një mospranim shoqëror që ia ka bërë PD-së elektorati shqiptar?

Të gjitha këto duhet të trajtohen me objektivitet nga vetë Partia Demokratike, sepse kriza e kësaj partie ka sjellë një impakt negativ dhe dëshpërim në opinionin publik dhe politik në Shqipëri.

II.

Gjendja politike sot në Shqipëri është një staniacion historik, dhe kjo gjendje po e dëmton shumë perspektivën shoqërore të gjithë shoqërisë shqiptare, edhe në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Kjo vjen sepse tani në Shqipëri prej rrethj 10 vitesh po drejton një parti e vetme.

Si pasojë e kësaj…

Zhvillimi i shoqërisë shqiptare ka ngrirë, sepse një parti e vetme që nuk sheh asnjë rrezik për ta humbur pushtetin, psikologjikisht krijon një monotoni në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik kombëtar.

Kjo ndodh, sepse lidershipi i kësa partie nuk i pranon idetë e reja, dhe ekonomia kombëtare hyn në një gjendje që nuk i përgjigjet dot zhvillimit.

Asnjë zhvillim të ri nuk ka sot në Shqipëri, sepse zhvillimi filozofikisht është lufta e të kundërtave, dhe kur të kundërtat nuk janë në luftë, zhvillimi në atë shoqëri ka ngrirë.

Ja, këtu jemi.

II.

Po cila është arsyeja e mpirjes politike të Partisë Demokratike?

Partia Demokratike kuptohet se ka rënë pre e lidershipit të vjetër. Lidership i vjetëruar konceptualisht i një partie është ai lidlrship i cili, pasi ka pasur suksese të mëdha në një shoqëri, vjen një kohë historike që ky lidership, nga një burim suksesi, si pasojë e rënies së tij në opinionin publik, kthehet në një burim regresi.

Partia Demokratike ka humbur tre zgjedhje politike rresht. Eshtë shumë kjo për psikologjinë shoqërore.

Atëherë…

Pikërisht kjo është gjendja që konstatohet në Partinë Demokratike.

Nuk ka zhvillim të brendshëm, por vetëm monotoni.

Kjo që konstatohet është monotoni politike e një partie që lufton për pushtet politik në një proces zgjedhor. Por kjo monotoni reflekton drejtpërsëdrejti në opinionin publik, dhe sigurisht edhe në përkrahjen shoqërore, por, mbi të gjitha, influencon negativisht edhe në funksion të zhvillimit kombëtar.

III.

Po pse ndodh kjo gjendje politike e një partie në zhvillimin e saj të brendshëm?

Ky është një fenomen i njohur në politikën moderne në lidhje me partitë politike. Kurse monotonia politike e një partie të madhe vjen si pasojë e mungesës së ideve të reja, dhe është i njëjti zë individi që flet pareshtur, por duke përsëritur vetveten.

Në thelb fjala monoton ka ardhur nga greqishtja e vjetër ( mono-tonos) për zërin e një këngëtari që nuk ndryshon në tonalitet dhe është gjithmonë i njëjti;  por ky koncept tani shtrihet edhe tek idetë apo fjalimet politike, kur këto janë gjithmonë të njëjtat.

E pra, si pasojë e krizës së liderdhipit të Partisë Demokratike, gjendja shoqërore në Shqipëri është në staniacion. Kjo sepse, për të gjitha ato që thamë, Partia Socialiste e ndien veten të sigurt dhe, për pasojë, ka ndaluar zhvillimin. Sigurisht që kjo historikisht quhet monotoni historike në zhvillimin e një vendi.

Pse?

Sepse PS sot është e sigurt që nuk ka ende një opozitë që ta rrezikojë në pushtetin e saj, edhe në të katër vitet e tjerë që do vijnë nga zgjedhjet politike që po priten.

Ja, kjo është sot deryra histotike e Partisë Demokratike: ajo duhet ta shpëtojë shoqërinë shqiptare nga monotonia socialiste.

Dhe nuk duhet të harrojmë se Partia Socialiste e Shqipërisë vjen drejtpërsëdrejti nga Partia e Punës së Shqipërisë, e cila monotoninë e saj e kishte ngarkesë ideore të drejtimit shoqëror, duke thënë në 45 vite resht të njëjtat ide ekonomike, politike dhe ideologjike njëherësh.

Dhe kjo lloj praktike në politikë dhe në zhvillimin e një shteti, quhet staniacion – domethënë një mbetje në vend.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button