Aktualitet/LajmeKryesoreKultureNdodhi

Promovohet libri i prof. asoc. dr. Ethem Çekut: “Lëvizja shqiptare për pavarësi: Politika, kryengritjet dhe diplomacia, 1908–1912”

Instituti i Historisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizoi promovimin e veprës më të re të prof. asoc. dr. Ethem Çekut, “Lëvizja shqiptare për pavarësi: Politika, kryengritjet dhe diplomacia, 1908–1912”.
Veprimtaria u moderua nga drejtori i Institutit të Historisë, akad. Hamit Kaba, i cili nënvizoi se studimi është një shembull i kërkimit serioz shkencor.
Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përshëndeti kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, akad. Gëzim Hoxha. Ai e cilësoi librin e prof. asoc. Ethem Çekut si një kontribut të veçantë për historiografinë shqiptare. Vlera e veçantë e veprës qëndron në trajtimin e nacionalizmit shqiptar jo thjesht si një ide abstrakte, por si një proces të gjallë politik, kulturor dhe diplomatik, që u shfaq në mënyrë të plotë gjatë viteve 1908–1912.
Akad. Hoxha theksoi se libri pasuron debatin akademik me interpretime të reja, duke u dhënë vendin e merituar ngjarjeve të kësaj periudhe në historiografinë kombëtare, dhe shërben si një referencë e domosdoshme për studiuesit e historisë shqiptare, me një jehonë që meriton të shtrihet edhe në gjuhë të huaja.
Në vijim të veprimtarisë promovuese, akad. Pëllumb Xhufi e vlerësoi monografinë e prof. asoc. dr. Ethem Çekut për sintetizimin e plotë të procesit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vitet 1908–1912. Sipas tij, autori ka kapërcyer trajtimet e fragmentuara të mëparshme, duke e paraqitur këtë periudhë si një tërësi politike, kulturore, ideologjike dhe diplomatike, ku kryengritjet, figurat dhe idetë kombëtare ndërthuren në një proces që kulmoi me shpalljen e Pavarësisë.
Sipas tij, autori i ka vendosur kryengritjet e viteve 1909–1912 në kontekstin e gjerë ballkanik dhe europian, si dhe ka trajtuar me objektivitet figurat kryesore të kohës: nga Ismail Qemali e Isa Boletini te Mithat Frashëri e Bajram Curri, duke i paraqitur me kontradiktat e tyre të brendshme, larg mitologjizimit tradicional.
Ai u shpreh se monografia e Çekut është një arritje e rëndësishme për historiografinë shqiptare, sepse jo vetëm dokumenton faktet, por edhe i vendos ato në një kuadër analitik e konceptual, duke e parë pavarësinë e vitit 1912 si rezultat të një procesi kompleks e kontradiktor, të ndikuar nga faktorë të brendshëm dhe ndërkombëtarë.
Akad. Muhamet Mala u shpreh se libri i prof. asoc. Çekut, “Lëvizja shqiptare për pavarësi: Politika, kryengritjet dhe diplomacia, 1908–1912”, është një studim i thelluar kritik e shkencor, që i jep vendin e merituar ngjarjeve të viteve 1908–1912 në historinë shqiptare. Autori ka arritur të paraqesë me qartësi kontinuitetin e lëvizjes shqiptare, duke e lidhur politikën, kryengritjet dhe diplomacinë në një proces të pandarë që kulmoi me shpalljen e Pavarësisë.
Vepra nuk është thjesht një përshkrim kronologjik i ngjarjeve, por një analizë e gjerë kulturore dhe politike, ku trajtohen Kongresi i Manastirit, alfabeti si kufi kulturor e politik, kryengritjet shqiptare dhe roli i figurave si Ismail Qemali, theksoi akad. Mala. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin që sjell libri si referencë e rëndësishme për studiuesit e historisë shqiptare dhe ballkanike.
Gjithashtu, akad. Hamit Kaba e cilësoi veprën e prof. asoc. Ethem Çekut si një monografi të mirëstrukturuar dhe të konceptuar me kujdes, që sjell një qasje kritike ndaj procesit të shtetformimit shqiptar. Sipas tij, periudha e viteve 1908–1912 nuk duhet parë si një përmbyllje e natyrshme e Rilindjes Kombëtare, por si një moment krize të shumëfishtë: të Perandorisë Osmane, të ekuilibrave ballkanikë e europianë, si dhe të elitës politike shqiptare.
Ai theksoi se autori ka arritur të çlirohet nga emocionet patriotike dhe nga tradita viktimizuese, duke analizuar me objektivitet vonesat dhe dilemat e elitës shqiptare në procesin e shkëputjes nga Perandoria Osmane. Libri sjell një trajtim të qartë të kalimit të Rilindjes Kombëtare nga projekti autonomist drejt projektit të pavarësisë, duke e mbështetur këtë analizë në një bazë të gjerë dokumentare dhe në një metodologji shkencore.
Në mbyllje të ligjëratave, prof. asoc. dr. Ethem Çeku falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për mbështetjen institucionale dhe recensentët për vlerësimet e tyre shkencore. Ai theksoi se periudha 1908–1912 përbën etapën vendimtare të formimit të shtetit shqiptar, kur, përmes kryengritjeve, organizimit politik dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, shqiptarët realizuan përpjekjen më të rëndësishme për çlirimin dhe shtetformimin e tyre.
Libri mbështetet në një metodologji të integruar kërkimore, që ndërthur analizën historike me vlerësimin kritik të dokumentacionit dhe qasjen ndërdisiplinore. Ai mbështetet në burime arkivore dhe bibliografi në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, duke ofruar një rishqyrtim të nacionalizmit, shtetformimit dhe transformimeve politike e shoqërore të Perandorisë Osmane në fazën e saj përfundimtare.
Sipas Çekut, vepra mbështetet në burime të verifikueshme dhe në një qasje kritike që ndihmon në kuptimin më të plotë të procesit të pavarësisë dhe të shtetformimit shqiptar.
Në mbyllje të veprimtarisë, të pranishmit shprehën vlerësimet dhe mirënjohjen ndaj autorit për studimin e thelluar të një periudhe me rëndësi të veçantë në historinë e shqiptarëve, e cila i parapriu shpalljes së Pavarësisë.

Artikuj të lidhur

Back to top button