
Nga Arber Zaimi-
Zgjedhjet në Serbi, Izrael e në Amerikë u mbyllën me JO të madhe ndaj autokracisë, por pa ndonjë po të qartë për të ardhmen.
Opozita serbe ka brenda edhe ata që duan Evropë edhe ata që duan Rusi, edhe ata që shajnë Vuçiqin si “šiptar” edhe ata që fshijnë parrullat shoviniste nga muret.
Opozita izraelite ka brenda edhe përfaqësues të ngulimeve izraelite në tokat e arabëve, edhe përfaqësues të arabëve të shpërngulur nga tokat e veta.
Opozita amerikane ka brenda edhe më shumë larmi. Sot feed-i m’u mbush me video të Abdyl Beut duke thënë inshallah e elhamdylilah, e një mik amerikan kishte shpërndarë një video të senatorit të parë mysliman duke mbajtur fjalim në podium me flamur LGBT në paradën Pride. Pra larmia nuk është veç midis personave të ndryshëm, po edhe brenda një personi të vetëm.
Këto nuk janë gjëra që i përkasin vetëm opozitave të autokratëve protofashistë. I kemi parë edhe politikanët e anës tjetër, si Weidel psh, që është lezbike e martuar me fëmijë të adoptuar dhe njëkohësisht pjesë e një partie që dëshiron ta ndalë këtë të drejtë, apo politikanë si Vance që mbështet politika racialiste teksa gruan e fëmijët i ka mulatë, apo nga ata burrat e gratë politikanë që flasin për moralin biblik teksa mbushin rubrikat e gazetave me skandalet e tyre seksuale a korruptive.
Sigurisht, identitetet nuk janë të papajtueshme apo jo-tolerante. Forma e tyre e politizuar shpesh është.
Prandaj do të duhej një politikë që nuk merret fort me identitetet por i lë ato të jenë pa ua kufizuar të drejtat. Identitetet nuk duhet e as nuk mundet të triumfojnë mbi njëra tjetrën. Idetë po, e historia është edhe përparim i ideve. Do të duhej një politikë racionale, që shtron vizion për ekonominë dhe punësimin, në këtë periudhë transformimesh të paparashikueshme kur njerëzit e sidomos të rinjtë nuk e kanë aspak të qartë se çfarë pune do të bëjnë as pas 10 vitesh. Një politikë që shtron vizionin për paqe në këtë kohë kur armë të reja janë shpikur, që mund ta joshin shumëkënd për t’i testuar ato. Një politikë që shtron vizionin për liri e demokraci në këtë epokë të mbikqyrjes totale të çdo sjelljeje njeriut, me kamera, telefona, rrjete sociale, karta krediti etj. Ndoshta “një Smith e një Marks” i shekullit XXI. Politika me ide e ideale, jo si lojë identitetesh.
Ende nuk jemi aty. Popujt me të drejtë po i thonë jo të shkuarës, pa u shqetësuar për pyetjen idiote “ja iku ky, ama kush do të vijë”. Por nuk e kanë ende të qartë se kujt i duhet thënë po.



