
Nga Fatbardh Amursi-
Dua t`i pëlqej librat e kolegëve, që t`i lavdëroj pa gënjyer
Salman Rushdie
-mbresë-
Në një sallë të mbushur plot, isha mbrëmë në promovimin e librit të Ben Blushit “Historitë e çmendura të Tiranës”. Interesant bashkëbisedimi i të zotëve të punës, i botuesit Hudhri me autorin e librit. (Paradoksi i titullit, në të s`ka asnjë personazh të çmendur. Letërsia e realizmit socialist e kishte të detyruar, që në qendër të vihej heroi pozitiv. Në kushtet e trysnisë ideologjike heroi u fabrikua dhe humbi bashkë me fabrikat e shkatërruara. I rezistoi kohës ai, që dikur quhej personazh negativ, aventurieri, vagabondi apo hero i krisur. Me të tillë është i mbushur romani i Blushit. Konkretisht: mbeti Rrapo Tabani dhe u harrua komisar Memo. Dhe Enver Hoxha i “Dimrit të madh” mbeti si personazh i realizuar, se autori e pasqyroi si një personazh atipik.) Krahasuar me të pranishmit në sallë kisha privilegjin të dëgjoja autorin të fliste për një libër, që e kisha lexuar në dorëshkrim, sikurse isha dhe i pari që shkrova për romanin, ende i pashtypurë, duke ngjarë me atë, që lajmëron ardhjen e nuses. Ngaqë e përshëndeta librin si “një befasi letrare të Ben Blushit”, letrare dhe jo historike, në një farë mënyre jam i përfshirë në fatin e librit, tek e fundit për të verifikuar shijet e mia.
Rastësisht u ndodha në rreshtin e parë, ku në krahun e majtë kisha Namik Doklen dhe në të djathtin Rudolf Markun. Namiku ishte kthyer nga një promovim mbresëlënës në Prizren të librit “Vallëzim me hënën” të sapobotuar në Sarajevë dhe po më fliste i kënaqur për pritjen, që i kishin bërë. Ndërsa Rudolfit i bie celulari, ku MediaPrint e lajmëronte për botimin e romanit të tij, që del së shpejti. I rrethuar nga autorë, të cilët janë në ditët e tyre të ballafaqimit me lexuesin. Personalisht, s`jam nga ata që përfshihem në garë, krejt i një mendje me Selman Ruzhdien, i cili thotë: “Dua t`i pëlqej librat e kolegëve, që t`i lavdëroj pa gënjyer.” Librat e suksesshëm na shpëtojnë nga sikleti, nga një lloj hipokrizie, ku të vërtetën s`e do askush.
Në fund të promovimit, tavolinat ku rrinin librat ishin boshatisur. Dhe s`ishin pak. (Nëse autorëve do u kërkohej t`i matnin forcat, duke nxjerr në shesh lexuesit e tyre, sikurse bëjnë politikanët: Ben Blushi do nxirrte mbi 10 mijë vetë. Vota blihet, ndërsa libri shitet.) Nëse në fizikë, që një trup të dallohet në është në lëvizje, merret me një trup në prehje, ndërsa në letërsi, ndodh ndryshe: duhet të krahasohesh me atë që ecën më shpejtë. Sa përfitim do kishim të gjithë ne, nëse Kadare do merrte Nobelin, ja që, për fatkeq, kjo e mirë llogaritej vetëm si e tija.
U largova nga salla “Mbretëresha Geraldinë” për në shtëpi, ku më pret monografia e Mero Bazes kushtuar Ali bej Këlcyrës, sikurse e quan ai: “besnik i ideve të veta, duke humbur gjithçka”. Bashkë me librin tjetër “Oxhaku i Këlcyrës”, dy libra dinjitozë që nuk i dredhojnë historisë, ku arti i fjalës bënë punën e vetë. Dikush mund t`më thotë: “Ngele duke dhënë sihariqe për të tjerët, po vetë do e shkrepësh?” Natyrisht dhe unë pres, por me t`u bërë fakt i kryer, do ua nxjerr në faqen time. Deri këtu është mundësia ime, të tjerat janë në dorë të lexuesit, dashamirësve, botuesëve dhe fatit…



