
Nga Edmond Arizaj-
Me ritmin aktual, dhe nxitimin që po vërehet në vendime shtetërore për çdo cep të bregdetit shqiptar, me siguri në 2030 kur të hyjmë në BE, nuk do kemi më asnjë pëllëmbë plazh publik. Kemi një shembull, që sado keq të na vijë, duhet të ulim hundën e të hapim sytë e mendjen sa më shpejt, Greqinë, e cila ka një vijë të kuqe: rëra është publike. Grekët, ata të poshtrit, e të liqtë që duan të na marrin origjinën tonë pellazge, kanë vendosur ligje për çdo çadër, metër rërë, pengesë ndaj publikut, teksa ne vazhdojmë ethshëm të bëjmë pazare pas pazaresh me bregdetin. Kjo miq, nuk ka të bëjë me ligje, thjesht me ligje, ka të bëjë me kulturë. E ne, shqiptarët, fatkeqësisht jemi në anën e gabuar të kësaj kulture. Nuk ka asgjë ideale Greqia, ama kur vjen puna tek respekti për qytetarin ajo të tregon qartësisht, vit pas viti, se plazhi nuk është luks sezonal, por e drejta e një populli. Shqipëria nga ana tjetër mezi pret këtë sezon, të të shesë edhe rërën, më vonë edhe ujin e detit.
Është e dhimbshme në fakt ta mendosh se në vendin tonë një shezllon ka më shumë të drejta se një qytetar. E ndërsa në Greqi nuk falesh kollaj, ligji vepron, ndëshkimi egziston, respekti funksionon, për dreq në verë Shqipëria i harron këto. E ja ku vijmë, në muajt e vështirë, kur e drejta për të parë detin, kthehet në privilegj. Le të bëjmë pak krahasime mbi fakte që gjenden kollaj në dokumenta zyrtarë.
1. Kushtetuta e Greqisë, në artikullin 24, shkruhet: Vija bregdetare dhe bregdeti janë pronë publike. Aksesi i lirë i qytetarëve në to është i garantuar dhe nuk mund të pengohet. Kushtetuta e Shqipërisë nuk e përmend vijën bregdetare si të mbrojtur.
2. Ligji grek “Beach Bill” kufizon fort përdorimin privat dhe garanton hapësira publike të detyrueshme. Ligji shqiptar për turizmin dhe VKM-të për plazhet lejojnë dhenien e lejeve për bizneseve, por pa garantuar me forcë hapësirën publike.
3. Në Greqi, përqindja e bregdetit e përdorur nga privatët, maksimumi i mundshëm 50% i çdo plazhi, 30% në zonat e mbrojtura. Shqipëria nuk ka përqindje të përcaktuar me ligj.
4. Shumica dërrmuese e privatëve respektojnë kufijtë e caktuar për shkak të kontrolleve shtëtërore dhe presionit publik e mediatik. Në Shqipëri, në zona si Velipoja, Dhërmiu, Jala etj, pronarët zënë 100% të rërës duke bllokuar totalisht qasjen pa pagesë.
5. Greqia ka të detyrueshme 6 metra korridor publik mes zonave private. Shqipëria nuk ka korridore të detyrueshme.
6. Greqia e ka të detyrueshme që 4 metra larg nga bregu i detit nuk lejohen shezlonë. Shqipëria i lejon shezlonët edhe mbi valë.
7. Greqia e ka me detyrim aksesin për personat me aftësi të kufizuar, ruajtjen e jetës, apo larjen e publikut, duke përfshirë rampa, dushe tabela, roje bregdetare, vendosje kufiri për notim. Në Shqipëri në shumicën e zonave këto shërbime mungojnë totalisht.
8. Greqia zbaton ligjet me rigorozitet duke përdorur dronë, satelitë, aplikacionin “my coast”, raportime nga qytetarët. Shqipëria, ushtron kontrolle krejt sporadike nga pushteti vendor në pak zona, apo inspektoriatet.
9. Greqia në vitin 2024 u vendosën rreth 1 milionë e 150 mijë euro gjoba, si dhe u përjashtuan konçensione të kapura me shkelje. Në Shqipëri rrallë aplikohen gjobat, abuzimet kalojnë pa pasoja. Pavarësisht presionit mediatik, pak herë mund të ketë ndonjë mbyllje të përhershme konçensioni.
10. Greqi, bashkitë sigurojnë dhe bëjnë të mundur parkime falas pranë të gjitha plazheve publikë. Në Shqipëri, nuk ka të dhëna për parkingje publike pranë plazheve, ka vetëm private, madje me pagesë edhe kur shkon në atë plazh që ka dhe parkingun.
11. Greqia ka reagime të fuqishme qytetare, protesta, fushata si “Savemybeach”. Shqipëria ka reagime të fuqishme në rrjete sociale, rrallëherë shkrime të fuqishme mediatike, pothuaj fare protesta qytetare.
12. Në Greqi, transparenca është maksimale, aplikacioni “MyCoast” publikon çdo konçension, sipërfaqe dhe vendosje çadrash në hartë, të çdo plazhi. Shqipëria nuk ka një platformë zyrtare transparente për shfrytëzimin e plazheve.
Ja pra ku jemi në këtë krahasim, jo pa dhimbje. Në një krah një shtet që e konsideron vijën bregdetare pasuri të përbashkët, duke ua lehtësuar qytetarëve të vet qasjen, pushimin dhe shplodhjen dhe në anën tjetër, një shtet që në emër të “turizmit dhe miliona turistëve” po shitet publikja ditë pas dite. Në fakt kjo nuk është thjesht padrejtësi, është fyerje ndaj qytetarëve dhe konceptit të shtetit.
Përqindja e plazheve publikë dhe privatë në disa shtete të Evropës
Spanja-Bregu 100 përqind pronë publike, nuk lejohet privatizim.
Francë-Shumica e plazheve publikë. Konçensione sezonale, më pak se 30% të bregdetit.
Italia-Rreth 50% është private, në zona si Liguria arrin deri në 70-90% privatja, ndërsa në Napoli vetëm 5 % është plotësisht e lirë.
Turqia-Ligjërisht plazhet janë publikë, por realisht në 40-60% janë zënë nga hotelet dhe klubet private që kufizojnë qasjen.
Suedia-Norvegjia-Finlanda-Akses falas për këdo në plazhe, pyje, lumenj, zona bregdetare, me kusht të mbrohet mjedisi.
Irlandë&Mbretëria e Bashkuar-Plazhet janë publike, por në pronat private vendosen tabela kufizimi.
Danimarka-Akses i lirë, por në pronat private vendosen tabela kufizimi.