Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKultureRajoni

Në Ungër (Lungro) një vendbanim ku jetësia arbëreshe merr krah e përhap jehonë

Nga Isuf Ismaili-

Kur nisemi drejt Italisë së Jugut, mendja dhe zemra na shkojnë menjëherë te katundet arbëreshe të Kalabrisë, Sicilisë, Bazilikatës, Molizes e krahinave të tjera, ku prej më shumë se pesë shekujsh jetojnë e veprojnë vëllezërit dhe motrat tona arbëreshe. Ata janë gjindja jonë, pjesë e pandarë e trungut kombëtar shqiptar, përfaqësuesit më të denjë të vazhdimësisë arbëreshe, dega e ndarë nga Arbëria jonë e lashtë, por kurrë e shkëputur nga shpirti, kujtesa dhe rrënjët e saj.
Ata janë pasardhësit e etërve dhe mëmave arbëreshe të Motit të Madh, të atyre burrave e grave që, nën hijen e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, morën rrugën e mërgimit për të ruajtur lirinë, besimin dhe identitetin e tyre. Në tokën italiane ata ngritën shtëpi, ndërtuan katunde, kultivuan gjuhën, zakonet dhe traditat, duke i përcjellë ato brez pas brezi me një përkushtim të rrallë.
Kjo degë e rrënjëve arbëreshe nuk është tharë kurrë. Përkundrazi, ajo ka lulëzuar dhe ka dhënë fryte të çmuara në kulturë, arsim, letërsi, muzikë, art dhe në ruajtjen e kujtesës sonë kombëtare. Arbëreshët nuk e gjetën të shtruar udhën e jetës së tyre; ata e ndërtuan vetë, e mbrojtën vetë dhe vazhdojnë ta mirëmbajnë me dinjitet, duke i dëshmuar botës se identiteti nuk matet me largësinë gjeografike, por me forcën e shpirtit dhe të kujtesës.
Me krenari ata mund t’i thonë botës:
“Rrojmë, o botë, e jemi të fortë, gjak e shpirt arbëreshësh që nuk shuhemi kurrë.”
Kjo krenari, ky përkushtim dhe kjo dashuri e madhe që ata ushqejnë për rrënjët tona të përbashkëta, nuk kanë se si të mos na ngjallin admirim të thellë. Nuk kanë se si të mos na përkëdhelin zemrën dhe ta mbushin atë me hare, respekt dhe dashuri të pamasë vëllazërore.
Arbëreshët janë ura e gjallë që lidh të kaluarën me të tashmen, kujtesa e gjallë e Arbërisë dhe një dëshmi e jashtëzakonshme se një popull mund të ndahet nga trojet e veta, por jo nga gjuha, kultura dhe shpirti i tij. Prandaj, çdo takim me ta është një takim me vetveten, me historinë tonë dhe me një pjesë të çmuar të identitetit shqiptar që vazhdon të jetojë, të marrë krah e të përhapë jehonë nëpër shekuj.
Pak fjalë për katundin Ungër
Në katundin Ungër, çdo vit organizohet një manifestim i madh kulturor e përkujtimor kushtuar jetës dhe veprës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ky aktivitet është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme, ku bashkohen kujtesa historike, krenaria kombëtare dhe dashuria e pashuar për rrënjët arbërore.
Ungërjotët janë vëllezërit dhe motrat tona arbëreshe, të cilët prej shekujsh e ruajnë me përkushtim arbërishten, kulturën, zakonet dhe historinë e të parëve, duke mbajtur gjithmonë të gjallë në zemrat e tyre kujtimin dhe veprën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Ata janë njerëz krenarë e ballëlartë, të cilëve në fytyrë u pasqyrohet dashuria e madhe për Arbërinë, për kombin shqiptar dhe për lavdinë e Motit të Madh, asaj periudhe heroike që u vulos nga qëndresa e Skënderbeut dhe e arbërve trima, të cilët mbrojtën jo vetëm Arbërinë, por edhe qytetërimin europian nga pushtimi i Perandorisë Osmane.
Ungërjotët, janë një shembull i jashtëzakonshëm i qëndresës, i krenarisë dhe i jetësisë së rrënjëve tona arbërore. Ata dëshmojnë se si mbahet identiteti kombëtar, si mbrohen vlerat e trashëguara dhe si përcillen ato brez pas brezi.
Njëkohësisht, ata janë një model frymëzimi edhe për diasporën e re shqiptare, duke treguar se largësia nga atdheu nuk duhet të nënkuptojë largim nga gjuha, kultura, historia dhe përkatësia kombëtare. Përkundrazi, arbëreshët na mësojnë se dashuria për rrënjët bëhet edhe më e fortë kur ushqehet me kujtesë, përkushtim dhe krenari.
Arbëreshët nuk janë thjesht diaspora jonë e vjetër, por një pjesë e pandarë e vetvetes sonë. Ata janë dega e trungut arbëror që u largua nga atdheu, por që kurrë nuk u shkëput nga rrënjët e tij. Ne dhe ata ndajmë të njëjtën prejardhje historike, të njëjtin kujtim kolektiv dhe të njëjtën trashëgimi të lashtë që vjen nga koha e arbërve e që i ka rrënjët në qytetërimin ilir.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button