
Nga Dashnor Kokonozi-
Shqipëria që vjen duhet të ketë një vijë të qartë ndarjeje me këtë të sotmen. Çdo rend politik që synon të mbijetojë dhe të zhvillohet ka nevojë për një akt themelues të ri, një çast kur shoqëria i thotë vetes: deri këtu. Ky çast ka ardhur!
Në fillimet e pavarsisë, Shqipëria pati një rend republikan, aq sa mundi dhe aq sa ia dhanë rrethanat. Ky rend zgjati deri më 1928, kur Ahmet Zogu, i impresionuar nga fakti se vendi ishte i rrethuar nga monarki, majtas e djathtas, lart e poshtë, vendosi të shpallë edhe ai mbretërinë e tij.
Ai bëri ç’mundi dhe historia e asaj periudhe është e njohur.
Paslufta na solli atë që, pa dyshim, mund të quhet Republika e Dytë: një republikë e çuditshme, ku institucionet nuk ushtronin vullnetin e tyre, por vetëm miratonin vendimet e forumeve politike. Ishte një republikë në emër, por jo në frymë. Mjafton kaq.
Vitet ’90 sollën Republikën e Tretë. Cilësisht e ndryshme, e hapur, e pluralizuar, por jo aq e çliruar sa të mund të shkonte më tej. Reminishencat e Republikës së Dytë ishin të dukshme: centralizim, klientelizëm, partitokraci, mungesë e kontrollit real institucional. U deshën më shumë se tridhjetë vjet që të evidentoheshin mosfunksionime edhe më të rënda. E veçanta është se problemet e saj të vërteta u kuptuan dhe u artikuluan jo nga klasa politike, por nga brezi i ri, nga ata që ishin jashtë politikës, jashtë institucioneve, jashtë parlamentit. Establishmenti politik kapte vetëm problemet e rastit, në kuadër të luftës për pushtet; shpesh bënte kompromise të rënda, dhe duke qenë brenda sistemit, mbetej i papërgjegjshëm për anijen që po mbytej.
Protestat e këtyre ditëve ngritën nevojën ulëritëse për një Republikë të Re, me gjithçka që përfshin kjo fjalë. Të re në rend moral, për t’i ikur mallkimit të së kaluarës, kur të zgjedhurit sillen si pronarë të shtetit; por të re edhe në rend kushtetues. Dhe këtu kam parasysh se, nisur nga veçoritë e vendit, bëhet urgjente rishikimi jo vetëm i rolit të parlamentit dhe i institucioneve, por edhe kalimi i një sërë kompetencash në vartësi të vullnetit popullor, thënë ndryshe, konstitucionalizimi i referendumeve si mjet i drejtpërdrejtë sovraniteti.
Pra, jo një Republikë e Tretë e retushuar nga klasa e vjetër politike, por një Republikë e Katërt, e themeluar mbi parime të reja që t’i përgjigjet kërkesave të brezit më të ri të Shqipërisë!



