Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKultureNdodhiOpinions

Maestro Aleksandër Peçi qofsh jetëgjatë dhe në energjinë e përhershme, si forca dhe unikaliteti i kompozimeve tuaja!

Nga Aleksandër Çipa-

Sot, Maestro Aleksandër Peçi ka përvjetorin e ditëlindjes. Dua ta uroj publikisht sepse në ndërgjegjen time është personaliteti në ngjitje, pamvarësisht nga mosha, i muzikës shqiptare.
– Qofsh jetëgjatë dhe në energjinë e përhershme Maestro!

Në më shumë se gjashtë dekadat e fundit, Maestro Peçi është artisti, kompozitori që imponohet vijueshmërisht, si në skena dhe trupa të rëndësishme operistike, simfonike, koncertale etj., etj, ashtu edhe në shkolla, konservatorë dhe akademi të muzikës dhe kompozicionit.
Maestro ka mbi 963 vepra të realizuara. Është fjala për vepra.(!)…
Në të gjitha gjinitë dhe zhanret muzikore spikat si unik dhe me talent imponues.
Korpusi i krijimtarisë së tij përfshihet në muzikën simfonike, opera, koncertale, vokalo-simfonike, skenike, të dhomës, korale, instrumentale dhe vokale, si edhe në muzikën për teatër dhe film…. , etj., etj.
Janë mbi 500 radio të profilit muzikor dhe jo vetëm në Botë që transmetojnë veprat e kompozitorit tonë të madh. Vijueshmërisht, në dekadën e fundit, është përfaqësuar në interpretime të shumta në Shqipëri, në shumë vende të Europës dhe në vende të Azisë e më tej.
Në shumë festivale ndërkombëtare të muzikës bashkëkohore dhe nga dirigjentë të njohur janë interpretuar dhe kanë konkuruar vepra të tij, të cilat janë vlerësuar gjithashtu me çmime prestigjioze.
Maestro Peçi është pa mëdyshje, personaliteti ynë me kontribut specifik dhe potent në zhvillimin e muzikës sonë bashkëkohore.
Kur koha po na i pakëson kësi personalitetesh dhe kur ndiejmë se në hapësirën tonë zbrazëtia është më triumfuese se prurjet, e kemi shumë më tepër të nevojshme të kthejmë dhe përqëndrojmë më tepër urime dhe shumë më tepër përulje, për të tillët si Mjeshtri i Madh Shqiptar Peçi.
Si askush tjetër, Mjeshtri ynë shquhet për mjeshtërinë dhe talentin e vet, me të cilat në krijimtarinë vetiake, ndërthur gjuhën kompozicionale me elementë të traditës dhe tipologjitë e muzikës shqiptare.
Personaliteti i tij muzikor, imponohet për publikun, kolegët dhe sivëllezërit e vet nëpër botë, si sjellës i një estetike të veçantë muzikore.
Maestro Peçi në kohë të ndryshme “ thatësire” për shpirtin dhe shijet publike të shoqërisë shqiptare, përveçohet si kompozitori-burim i një muzike jo vetëm dëshmuese për një individualitet, por posaçërisht si një personalitet artistik kombëtar dhe dallueshmërisht shqiptar i rrallë.
Muzika e lënë prej tij, si kompozime, në një seri prodhimesh kinematografike shqiptare në 60 vitet e fundit, përbën një krenari jetëgjatë për një talent imponues në kohë të ardhme të pacak.
Muzika e filmave “ Tokë e përgjakur”, “ Monumenti”, “ Gjeneral Gramafoni”, “ Në shtëpinë tonë”, “ Në çdo stinë”, “ Kur po xhirohej një film”, “ Monumenti”, “ Një emër midis njerëzve”, etj,…,etj., apo “ Dasma e Sakos”, etj. (Janë diku 14 filma artistikë dhe qindra produksione të tjera muzikore që e dëshmojnë, të shquar tashmë nëpër botë Maestron tonë Peçi.).
Por për brezin tim dhe për disa të tjerë, para dhe pas nesh, Maestro mbetet i adhurueshëm për këngët.
Ky zotni mendjehollë në muzikën e vet, do të jetojë si talenti ynë që shkëlqimin, dritën dhe meloditë e veta, na i dhuroi edhe në dhjetra këngë të muzikës së lehtë shqiptare.
Tek e fundit e kemi në muzikën tonë edhe një Aleksandër të Madh.
Përulësisht Maestro Peçi, të uroj: Jetofsh gjatë, shumë gjatë, si forca dhe unikaliteti i kompozimeve të tua!!!

Artikuj të lidhur

Back to top button