BlogKryesoreKultureNdodhiOpinions

Një rilindas i kohës sonë

Nga Çapajev Gjokutaj-
Rexhep Qosja nuk ishte thjesht një studiues i letërsisë, as vetëm një penë e mprehtë krijuese, por një figurë që e shndërroi kulturën shqiptare në një projekt emancipues. Ai e pa letërsinë jo si arkiv të së shkuarës, por si një forcë gjeneruese të identitetit kombëtar, duke e lidhur me nevojat e kohës dhe me sfidat e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, Qosja është një rilindës modern: një mendimtar që riktheu frymën e rilindjes në kohën tonë si për të na rikujtuar se çështjen kombëtare nuk e kemi zgjidhur akoma përfundimisht.
Qosja e konceptoi letërsinë shqipe si një unitet kulturor, përtej ndarjeve fetare apo gjeografike. Në veprat studimore ai ndërtoi një narrativë ku shkrimtarët e së kaluarës nuk ishin vetëm autorë, por gurë themeli të vetëdijes kombëtare. Ky vizion e bën atë pasues të drejtpërdrejtë të rilindësve, por në një kontekst modern.
Ashtu si rilindësit e shekullit XIX, Qosja nuk ngurroi të polemizonte. Në shumicën e herëve debatet ku merrte pjesë dhe jo rrallë edhe printe, nuk ishin përplasje personale, por përballje paradigmatike e programore. Polemika për Qosen, ishte një formë e mendimit kritik, një mënyrë për të mbajtur gjallë frymën e lirisë së mendimit.
Rexhep Qosja e përdori gjuhën shqipe si armë efikase dhe si instrument të shenjtë. E shkroi me mjeshtëri, e përdori si mjet ndikimi dhe e shndërroi në instrument emancipimi. Për të, gjuha ishte rrënja e identitetit shqiptar, një frymë që ngadhënjen mbi çdo ndarje fetare apo ideologjike. Kjo e lidh drejtpërdrejt me rilindësit, të cilët e panë gjuhën si themel të kombit.
Qosja nuk u kufizua në studime, krijimtari letrare dhe publicistike. Ai ishte pjesë e delegacionit të Rambouillet më 1999, duke e lidhur kështu krijimtarinë intelektuaje me veprimtarinë e mirëfilltë politike në dobi të Kosovës dhe të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Për të kultura dhe politika ishin dy fusha të pandar sepse ishte i bindur që emancipimi kombëtar do të çalonte keqas pa kontributin e të dyjave. Edhe në këtë aspekt ringjalli dhe praroi frymën e rilindasve.
Amaneti i tij për një varrim të thjeshtë, pa fjalime e pa ceremoni shtetërore, është pasqyrë e filozofisë së tij: të jetojë e të veprojë për të mirën e kombit pa bujë, por me principialitet dhe qasje të ashpër kritike “ndaj sundimtarëve dhe pushteteve të tyre”. Ceremonitë vlerësuese dhe monumentet që e lartësojnë dhe e përjetësojnë gjenden në veprat që na la.

Artikuj të lidhur

Back to top button