BotaKryesoreNdodhi

Një jetë nën dhunë,… Rrëfen gazetari shqiptar që jetoi në Siri

 

Nga Nehat Islami_

Si një vëzhgues mbi gjysmëshekullor i këtij regjioni, ende nuk mund të parashikoj se kush do ta mbajë premtimin e kush do t’i gëlltisë fjalët e veta. Zemra ma thotë se Siria nuk është Afganistan, por shtet i njerëzve të qëndrueshëm që synojnë të mbeten edhe më tej në vargun e popujve të civilizuar, ashtu siç ishin qe dy mijë vjet e këndej, sa frymon edhe Damasku, qyteti më i vjetër në botë

Në Siri kam shkelur për herë të parë në vjeshtën e vitit 1974. Isha korrespondent i përhershëm i gazetës “Rilindja” për Lindjen e Mesme, me seli në Bejrut. Damaskun nuk e kisha larg as një orë e gjysmë me veturë. Udhëtimi dukej shumë më i shkurtër dhe më i këndshëm, sepse me familjen kalonim mbi autostradën e gjerë dhe ndër vise shumë të bukura. Mbi të gjitha gëzoheshim që do ta shtronim samovarin e çajit në oborrin e shtëpisë së Abdyl Latif Arnautit, shkrimtar dhe përkthyes, do të pinim uiski dhe do të dëgjonim barsoleta në atelienë e Abdyl Kadër Arnautit, piktorit dhe intelektualit të rrallë, dhe do të hanim pemë të freskëta në kopshtin e motrës së tyre, Ajshes, të gjithë nipër dhe mbesa të Dobërllukës së Vushtrrisë. Prindërit e tyre i kishte dëbuar mbreti serb më 1938, por as këta e sa shumica e arnautëve të dy mëhallëve të mëdha shqiptare të Damaskut nuk e kishin harruar gjuhën e të parëve, falë prindërve, refugjatë që në fëmijërinë e tyre.

Ajo që më ra në sy, me të hyrë në Damask, ishin uniformat. Të gjithë nxënësit me uniforma të yrnekut ushtarak, thuaja se çdo i treti burrë me uniformë, në rrugë plot kamionë ushtarakë, ndërsa lufta arabo-izraelite kishte përfunduar një vit më parë, luftë kjo ku Siria dhe shumica e shteteve arabe kishin bërë luftë disaditore, por pa sukses. Siria kishte luftuar për ta kthyer Rrafshnaltën e Golanit, të okupuar nga Izraeli në 1967, por kishte arritur ta rikthente vetëm një fshat, të quajtur Kuneitra. Megjithatë, vendi vazhdonte të jetonte në atmosferë të gatishmërisë. Kjo atmosferë i pëlqente Hafez el Asadit, baba i Basharit, atëherë president i mbushur vrer për humbjet në luftë, gjeneral-pilot i shkolluar në BRSS. Edhe pse e dinte se luftërat me Izraelin kishin përfunduar për një kohë relativisht të gjatë, ai vazhdonte të armatosej ekskluzivisht në Moskë, sepse Perëndimin e konsideronte armik “natyror” të arabëve. Si babai ashtu edhe i biri, nënë e babë e kishin Moskën.

Njëherë, duke kaluar përmes sheshit kryesor të Damaskut, hyra në hotelin tim të preferuar “Semiramis”, ku bënin kafe të mirë arabe, në atë foajeun e gjerë përplot me orendi të qëndisura  me copëza sedefi, ku kamerierët e sjellshëm të prisnin e përcillnin me xhentilesë. Aty vinin klientë që njiheshin si ajka e Damaskut, duke filluar nga diplomatët e pensionuar, gazetarët dhe damat e Sirisë, që me shije veshjesh e sjelljesh nuk dalloheshin nga evropianet.

Por atë ditë pranvere të vitit 1976, ndryshe nga herët e tjera, në “Semiramis” kishin ardhur mysafirë me mjekra. I kishin shtrirë edhe sixhadetë dhe po faleshin. Askush nuk kishte ngelur nga mysafirët e vjetër.

“E kanë blerë iranianët” – më tha kamerieri im i dashur, Uahabi.

Më vonë mora vesh se ata ishin “pararojë” e Hamneit, i cili u kthye nga Franca në Iran më 1979. Pas ardhjes së Hamneit, Siria u vërshua gati 45 vjet, jo vetëm nga mullatë iranianë, por edhe Garda Revolucionare dhe kush jo. Bashari, Irani dhe Rusia e mbytën në gjak “Pranverën arabe” në Siri që nga viti 2011 e deri këtyre ditëve, kur erdhën në pushtet kryengritësit sirianë. Mbi 10 mijë ushtarakë, policë, vullnetarë e kushedi çka tjetër ikën në Iran brenda natës. Ndërsa reagimi i vetëm zyrtar i Hamneit ishte se “kjo çka ngjau në Siri është vepër e SHBA-së, Izraelit dhe një shteti arab”. Të gjitha këto vlerësime do t’i mbysë gjaku i sirianëve, vaji i nënave dhe lotët e një populli të përvuajtur mbi gjysmë shekulli, por ende mbetet enigmë se cili na qenka ai shtet arab që u paska ndihmuar sirianëve për ta shporrur Iranin nga Siria.

Lideri i Revolucionit sirian, Ahmed al Shara, djalë i një familjeje të njohur nga Dera, ku filloi revolta e “Pranverës arabe” siriane, u deklaroi gazetarëve të nesërmen, pas ikjes së Bashar Asadit se “pushteti i ri, të vetmen frikë e ka nga iranianët”, të cilët, së bashku me ushtrinë e Putinit e ndihmuan Bashar al Asadin të vrasë mbi gjysmë milioni shtetas të vet, të shkelë me çizme të përgjakura çdo “syth” që mëtonte liri, të dëbojë mbi gjashtë milionë sirianë jashtë kufirit dhe t’ia humbnin shpresën çdo siriani se një ditë do të “agojë dielli”, siç këndonin dhjetëra mijë të burgosur të ndërgjegjes dhe fjalës para çastit të varjes.

Në Siri kam shkuar nga Bejruti për të përcjellë ngjarje të shumta, si vizitën e Kisingjerit, tubimet palestineze dhe ato arabe, ku Siria funksiononte si bosht i botës arabe, ndonëse realisht nuk kishte as fuqi luftarake e as ekonomike, pos krekosjes ideologjike si themeluese e BAAS-it (socializmi arab), atij “gjarpri” me dy krerë / Siri dhe Irak/, që ndonëse ishin vëllezër, gjithnjë njëra kokë dëshironte ta gëlltiste tjetrën. Kështu që si Hafezi ashtu edhe i biri Bashari, nga njëra anë, dhe Sadam Hyseini, nga ana tjetër, mbetën armiq të përbetuar të njëri-tjetrit, aq sa gjatë luftës irako-iraniane (1980-88), Siria i doli në ndihmë Iranit e jo “vëllait ideologjik”.

Por një nga vizitat në Siri nuk mund ta harroj kurrë, ndonëse po bëhen 45 vjet nga ajo ngjarje. Ishte prilli i vitit 1980, kur Kosova organizoi “Ditët e kulturës” në Siri, Jordani dhe Irak. Kjo u arrit falë përpjekjeve të mëdha të zotit Pajazit Nushi, atëherë nënkryetar i Qeverisë së Kosovës, arnautëve të Sirisë dhe miqve tanë arabë të asaj kohe. Poetë, piktorë, kineastë nga Kosova, si dhe ansambli ‘Shota’ organizuan koncerte, shfaqje, orë letrare, shfaqje filmash tanë, ekspozita pikturash e librash që pastaj iu falën bibliotekave shtetërore të atyre vendeve. Mbi 20 mijë njerëz përcollën atë ngjarje kulturore por, për mua, më e rëndësishme ishte ringjallja e arnautëve të Sirisë, të cilët për herë të parë shijuan në një skenë publike këngën dhe vallen shqipe. Femrat me prejardhje shqiptare në Damask aq shumë u ngazëllyen me muzikën e të parëve të tyre, saqë dilnin në binën e koncerteve, hiqnin zinxhirët e byzylykët e vet dhe ua falnin valltareve të ‘Shotës’. Sa lot e gaz u derdh ato ditë në skenat e Damaskut, ku nuk mbeti arnaut i ri apo i vjetër pa ardhur.

Kam dëgjuar se ajo vizitë e artistëve tanë kishte rilindur diçka që ishte ndryrë në zemrat e kokat e atyre burrave e grave, e që vazhdon të shndrisë edhe sot e kësaj dite edhe tek të rinjtë, që atëherë ishin fëmijë, e sot një pjesë prej tyre kryengritës për lirinë e Sirisë nga Basharët, iranianët, rusët dhe dreqi i zi. Njëri nga ata është edhe Obeida Arnauti, zëdhënës i krahut politik të kryengritësve sirianë dhe shumë të tjerë që luftuan ose u kalbën në burgjet më mizore që kishte Siria, gjer para disa ditësh. Një pjesë e tyre do të jenë pjesë e pushtetit të ri dhe do të vazhdojnë të japin kontribut për demokracinë dhe zhvillimin e shtetit të vet, por pa e harruar prejardhjen dhe ofshamat e gjyshërve e prindërve të tyre për vendin ku “mollët janë shumë të ëmbla dhe përrenjtë e ftohtë”, siç më rrëfente 45 vjet më parë xha Abdurrahman Arnauti, që e kishin dëbuar nga Dobërlluka, kur ishte vetëm 8 vjeç, por asnjëherë nuk e kishte harruar gjuhën e vet. Ai makinist i trenit të hekurudhës së Hixhazit, që edhe fushave e shkretëtirave kah kalonte u fliste shqip, sepse kështu ushtronte për të mos e harruar gjuhën, por edhe i vinte lezet, siç më thoshte vetë ai.

Me ikjen e Bashar al Asadit në Rusi dhe fitoren e kryengritësve, po mbyllet një libër i trashë me kopertina të përgjakura, ku do të mbeten shumë epoka dhune të ushtruar nga brenda dhe nga jashtë, që e kanë sfilitur popullin sirian, siç e tha edhe lideri i ri i vendit: “Populli kërkon të jetojë dhe të harrojë vuajtjet që goditën shumë gjenerata, kërkon të mos ketë ndasi mes njerëzve, etnive dhe feve.” Si do të arrihet përmbushja e kësaj ëndrre siriane, ende askush nuk mund ta thotë. A do ta mbajnë premtimin kryengritësit që tani bëhen edhe shtetarë, që ta udhëheqin Sirinë drejt një shoqërie vërtet demokratike, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe të pakicave, apo do të bëjnë kompromise. Siria sot gjendet nën llupën e botës. Ajo nuk lejohet të gabojë, aq më parë kur ka pas vetes dështimet e disa shteteve që fituan lirinë, por nuk arritën ta ruanin atë për faj të vetin. Bota në përgjithësi, e në veçanti shtetet arabe, do të ndihmojnë rekonstruktimin e vendit të shkatërruar nga lufta civile 13-vjeçare, por a do të harxhohen ato ndihma për rimëkëmbje, apo për xhepat e burokracisë së re, nëse e lejojnë të nxjerrë krye aty. Sirianët i kanë borxh ”pranverës së vet arabe” të dështuar për shkak të Basharit, që t’i realizojnë ëndrrat e atyre djemve dhe vajzave që ranë nën zinxhirët e tankeve të Basharit.

Një gjë e di, se Siria është shumë e lodhur nga pesë luftërat e pasuksesshme me Izraelin, luftës kundër palestinezeve në Liban (1974-2005), kur shkoi për të ndihmuar ndërprerjen, por u bë palë e falangistëve dhe uniformave. Është lodhur duke qenë vegël e interesave iraniane për të dominuar regjionin mbi bazat e iluzioneve meskine të të “madhit”, që e ka dërguar perëndia për të përzier çdo gjë, si dhe të interesave ruse për të ruajtur bazën e vetme në ujërat e ngrohta, në Tarsus dhe bazën ajrore afër Latakies. Si një vëzhgues mbi gjysmëshekullor i këtij regjioni, ende nuk mund të parashikoj se kush do ta mbajë premtimin e kush do t’i gëlltisë fjalët e veta. Zemra ma thotë se Siria nuk është Afganistan, por shtet i njerëzve të qëndrueshëm që synojnë të mbeten edhe më tej në vargun e popujve të civilizuar, ashtu siç ishin qe dy mijë vjet e këndej, sa frymon edhe Damasku, qyteti më i vjetër në botë.

Artikuj të lidhur

Back to top button