BlogKryesoreOpinions

Një përvjetor i Lubonjës

Nga Dashnor Kokonozi-

Duke i uruar 75 vjetorin Fatos Lubonjës, kujtoj se ato ditë që doli nga burgu, përshtypja ime kjo, ai gjeti një mjedis më toksik se sa i viteve më parë. Më saktë e gjeti të mbushur me të gjithë mizerabilitetin ideologjik që ishte mbjellë e kishte lulëzuar gjatë viteve të diktaturës.
Për mua, bisedat me të kishin qe gjithnjë një kënaqësi e veçantë, përpara por edhe pas burgut, kur e takoja në shoqëri të një miku të përbashkët, Ilir Kullës, që nuk jeton më.
Po punonim për platformën e një gazete për Sindikatat e reja dhe gjithmonë i kisha shprehur mendimin se do të doja të kishim midis nesh.
Kështu ndodhi që një ditë, pak kohë pasi kishte dalë nga burgu, ai erdhi te një farë zyre që na kishin dhënë aty te Bar Sahati i dikurshëm, që edhe atë na e dogjën pak ditë më pas.
Për herë të fundit (para se të arrestohej) e kisha parë gjatë procesit gjyqësor të të atit, Todit. Po përpiqeshim te dera e gjykatës që të hynim në sallë, por qe e pamundur. Kishte të tjerë që e kishin mbushur me kohë. Ndërkohë po sillesha aty përpara, me një mikun tim Z.K., kur në trotuarin përballë pashë Fatosin. Përpara shtynte një karrocë bebeje. E bija, e sapolindur, me siguri. Dukej haptas se ishte i shqetësuar dhe vështronte rrotull, me dëshpërim. Mbase kishte ardhur me shpresën se do të gjente ndonjë mundësi të ishte i pranishëm në gjyqin e të atij. Qe e pamundur. Ishte shumë e dhimbshme tek e shihje se nuk dinte si të bënte, të gjithë i rrinin larg, kishin frikë t’i flisnin.
Kishte fjalë se ishte edhe ai në listën e arrestimeve.
Pastaj erdhi “makina e burgut” dhe ne dolëm në anën tjetër, me shpresë se dera anësore e gjykatës do të lihej ca e hapur. Më pas Fatosi u largua, me sa kuptova.
Është një imazh që më ka ndjekur gjatë. I dhimbshëm e revoltues!
Kjo ishte arsyeja, që kur e pashë atë ditë që erdhi te Sindikatat, nxitova ta takoj e falënderoj.
Por çfarë ndodhi?
Një nga krerët e sindikatës së minierave, që ishte dalluar ato ditë me intervistat e tij, na pa nga larg dhe më bëri shenjë t’i afrohesha.
– Çfarë do ai këtu? – më pyet, duke treguar Fatosin.
I thashë se shpresoj se do të pranojë të punojë me gazetën tonë.
– I thërret mendjes ti, apo jo!- bërtiti ai. Kërkon të na sjellësh në gazetë djalin e armikut të Partisë?
Nuk u besoja dot veshëve. Kishte punuar dhe e kishin shfrytëzuar si skllav gjithë jetën nëpër galeri dhe fliste për armiq partie!? Vërtet që nuk kuptoja asgjë. Skllavi ngrihej në mbrojte të pastërtisë ideologjike të skllavopronarit! Bota qe kthyer përmbys!
Problemi ishte se Fatosi e dëgjoi të gjithë atë bisedë dhe mori të ikë, i revoltuar dhe me nxitim, siç e kishte zakon. Por jo i habitur, me sa kuptova.
I fola nga pas, i thashë se ishim ne që kishim nevojë për të, por hiç. Vetëm se ndaloi një çast dhe më pyeti mua nëse vërtet kisha ndërmend të rrija aty.
Ky ishte pak a shumë niveli i mjedisit “proletar” kur ai doli nga burgu. Isha i sigurt se aty brenda ai kishte njohur mjedis mjaft më të lartë e më të ngritur, por këtë do ta kuptoja më pas, kur do të lexoja librat e tij.
………
PS. Po lexoj këto ditë edhe një libër që është botuar me ketë rast. Më ndonjë përjashtim, duke lënë mënjanë edhe shkrimet që nuk kishin të bënin fare me të ose që e përmendnin kalimthi sa për të përligjur praninë aty, m’u duk si një përpjekje e një të majte të moderuar, veçanërisht i asaj që shkon në takime mondane me një gotë verë në dorë të financuar nga ONG-të, i asaj të majte për të cilin çdo regjim mund të jetojë, siç po jeton, edhe 100 vjet pa e prishur fare terezinë, që po bën përpjekje të rikuperojë një njeri që pikërisht ide të tilla i kishte tejkaluar gjysmë shekulli më parë.
Me gjasa, do të flas më gjerë një herë tjetër

Artikuj të lidhur

Back to top button