
Nga Ilir Krasniqi-
Teatri Antik i Butrintit, një nga monumentet më të vizituara në Shqipëri, që çdo vit mirëpret mijëra vizitorë, javën e kaluar u shfaq në një pamje krejtësisht tjetër. Nën dritat skenike dhe përmes skenografisë teatrore, ai u shndërrua në zemrën e artit dhe kulturës.
Edicioni i 20-të i “Butrinti Summer Festival – Magical Nights in Butrint”, i zhvilluar më 22–25 shtator 2026 në Teatrin Antik të Butrintit, ishte një ngjarje e rëndësishme teatrore dhe kulturore jo vetëm për Bashkinë e Sarandës, por edhe në nivel kombëtar.
Festivali u organizua nga ReissEgnatia, me drejtor Xhimi Vila, në kuadër të projekteve kulturore të vitit 2026, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë Sarandë, Parkut Kombëtar të Butrintit, BMF dhe OtopBank. Aktiviteti u prit me interes të madh nga publiku artdashës.
Për katër net, skena antike e amfiteatrit në Parkun Kombëtar të Butrintit u kthye në një hapësirë të veçantë të artit skenik, duke ndërthurur teatrin bashkëkohor me trashëgiminë historike të një prej monumenteve më të rëndësishme të Shqipërisë.
Festivali ndërkombëtar “Netët Magjike” mblodhi së bashku trupa teatrore vendore dhe ndërkombëtare. Spektatorët shqiptarë dhe të huaj patën mundësinë të përjetojnë akustikën dhe atmosferën e veçantë që ofron Teatri Antik i Butrintit, përmes veprave të autorëve të mëdhenj botërorë, si Shekspiri, Lorka dhe Euripidi.
Një ngjarje e munguar prej kohësh, festivali riktheu teatrin në funksionin e tij parësor në këtë monument rreth 2500-vjeçar.
Nga “Shtëpia e Bernarda Albës” te “Romeo dhe Zhulieta”
Festivali u hap me trupën teatrore kazake Kulsar – Noemi Tellabor, e cila solli veprën “Shtëpia e Bernarda Albës” të Federico García Lorcës. Shfaqja u prit me duartrokitje të gjata nga spektatorët.
Performanca krijoi një atmosferë të veçantë, duke i afruar spektatorët me magjinë që përcjell guri antik i Butrintit. Shfaqjet, me kohëzgjatje rreth një orë, e rikthyen teatrin te origjina e tij.
Qindra spektatorë shqiptarë dhe të huaj ndoqën gjithashtu trupën hungareze Kulanszhar, e cila solli përmes gjuhës së trupit veprën e William Shakespeare-it “Romeo dhe Zhulieta”, një nga historitë më të njohura të dashurisë dhe fatit njerëzor.
Koreografi Zoltan Csere e cilësoi përvojën si të bukur dhe të veçantë.
“Kemi punuar shumë për ta realizuar. Ndjesia për të performuar brenda këtyre mureve është e mrekullueshme. Është diçka që nuk është bërë më parë.”
Emocione sollën edhe aktorët e rinj të talentuar të shkollës “Jakov Xoxa” nga Fieri, me tragjedinë antike “Medea” të Euripidit. Vepra, e cila trajton temat e pushtetit, tradhtisë dhe hakmarrjes, u përcoll përmes monologëve, dialogëve dhe korit antik.
“Koriolani” mbyll festivalin
Një nga mbrëmjet kulmore ishte ajo kushtuar veprës “Koriolani” të William Shakespeare-it, të sjellë nga trupa e Teatrit të Bitolës nga Maqedonia e Veriut, me regji të regjisorit amerikan John Blondell.
Kostumografia, karakteret e shumta dhe interpretimi skenik u ndërthurën në një produksion profesional, duke i dhënë veprës një dimension bashkëkohor.
Për regjisorin John Blondell, performanca në Butrint ishte një përvojë e veçantë.
“Është një ndjesi e veçantë të performosh në Teatrin e Butrintit. Kemi shfaqur vepra të ndryshme nëpër botë, por të performosh në Butrint do të mbetet një kujtim i paharrueshëm.”
Aleksandër Çipa: Butrinti krijon një atmosferë që e dallon festivalin
Gazetari dhe publicisti Aleksandër Çipa, i cili ishte i pranishëm në festival, veçoi disa nga momentet më të rëndësishme të edicionit të 20-të.
Sipas tij, një nga shfaqjet më të veçanta ishte ajo e trupës hungareze, me kombinimin e baletit, pantomimës dhe aktrimit në “Romeo dhe Zhuljeta”.
“Një koncept substancial ku ndërthurej baleti dhe pantomima me aktrimin plastik. Si i pranishëm në këtë shfaqje, vura re se u prit me emocione të forta nga publiku dhe u dallua për përdorimin e gjuhës së trupit, koreografinë dhe ritmin skenik”, theksoi Çipa.
Ai veçoi gjithashtu prezantimin e “Koriolanit” të William Shakespeare-it nga Teatri Kombëtar i Manastirit, më 25 shtator. Shfaqja u drejtua nga John Blondell dhe solli një përshtatje bashkëkohore të tragjedisë së Shakespeare-it, duke trajtuar tema si pushteti, përgjegjësia politike, ambicia dhe marrëdhënia mes individit dhe shoqërisë.
Mbrëmja e 24 shtatorit solli gjithashtu dy shfaqje në një natë, me pjesëmarrjen e aktorëve të rinj nga Fieri dhe një trupe nga Maqedonia e Veriut, duke zgjeruar më tej karakterin ndërkombëtar të festivalit.
Historia, arkitektura, natyra dhe arti në një skenë
Çipa thekson se veçantia e festivalit nuk qëndron vetëm te repertori.
“Shfaqjet zhvillohen në një teatër antik, në një mjedis ku historia, arkitektura, natyra dhe arti skenik bashkohen. Kjo krijon një atmosferë që e dallon Butrintin nga festivalet e zakonshme teatrore”, tha ai.
Sipas tij, festivali dëshmoi se Teatri Antik i Butrintit vazhdon të jetë një skenë e rëndësishme për shkëmbimin kulturor rajonal dhe ndërkombëtar.
“Prania e trupave shqiptare, hungareze dhe maqedonase, së bashku me repertorin klasik dhe interpretimet bashkëkohore, i dha festivalit një karakter të larmishëm”, u shpreh Çipa.
Ai shtoi se edicioni i këtij viti e vendosi Butrintin jo vetëm si një monument të historisë, por edhe si një hapësirë të gjallë të artit dhe teatrit bashkëkohor.
“Ky festival teatror mbart vlerën e rastit kur mjedisi antik i jep edhe më tepër modernitet manifestimit teatror”, tha Çipa.
Ksamili, porta hyrëse drejt Butrintit
Zhvillimi i festivalit merr rëndësi të veçantë edhe në raport me Ksamilin, një nga destinacionet më të vizituara turistike të Shqipërisë dhe porta natyrore hyrëse drejt Parkut Kombëtar të Butrintit.
“Netët Magjike” i japin Sarandës dhe gjithë Rivierës një dimension të rëndësishëm të turizmit kulturor, përtej turizmit tradicional bregdetar. Vizitorët që gjatë ditës shijojnë plazhet e Ksamilit, në mbrëmje mund të përjetojnë artin botëror në një teatër antik.
Kjo ndërthurje mes detit, natyrës, historisë dhe kulturës krijon mundësi për zgjatjen e sezonit turistik dhe për forcimin e profilit të Sarandës, Ksamilit dhe Butrintit si destinacione të turizmit kulturor.
Drejtoresha e Turizmit në Sarandë, Erisa Çakalli, e cilësoi festivalin një mundësi të rëndësishme për promovimin e trashëgimisë kulturore.
“Për Bashkinë e Sarandës, të jemi mbështetës të këtij festivali kaq të veçantë është një kënaqësi e rrallë, sepse këto lloj festivalesh promovojnë jo vetëm artin, por mbi të gjitha thesarin më të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore”, tha Çakalli.
Pjesëmarrësit, përveç shkëmbimit të përvojave artistike, patën mundësi të njihen edhe me potencialet turistike të Sarandës dhe Ksamilit. Në fund të festivalit, për pjesëmarrësit u organizua edhe një mbrëmje me anije në det të hapur, e cila vijoi deri në orët e vona.
Një festival me ndikim edhe në turizëm
“Netët Magjike” dëshmuan se Butrinti nuk është vetëm një park arkeologjik për t’u vizituar, por edhe një skenë e gjallë që vazhdon të tregojë histori rreth 2500 vjet më vonë.
Një festival i tillë mund të ndikojë në promovimin e turizmit kulturor, ekonomisë lokale, imazhit kulturor dhe identitetit të zonës. Organizime të këtij karakteri krijojnë mundësi për tërheqjen e audiencave ndërkombëtare, rritjen e interesit të vizitorëve dhe zgjatjen e qëndrimit të tyre në destinacion.
Pjesëmarrja e trupave ndërkombëtare dhe repertori klasik e bashkëkohor krijojnë gjithashtu mundësi për shkëmbim kulturor, mbulim mediatik dhe promovim të destinacionit në platformat digjitale.
Në këtë kuptim, edicioni i 20-të i “Butrinti Summer Festival – Magical Nights in Butrint” e vendosi Teatrin Antik të Butrintit në qendër të një takimi mes trashëgimisë mijëravjeçare dhe artit skenik bashkëkohor, duke i dhënë monumentit një tjetër jetë përmes teatrit.



