Sa herë ngjarjet tragjike të vrasjeve, përdhunimeve apo dhunës marrin trajtë konkrete, paçka se të paralajmëruara duke qenë prezente gjithmonë si krime në mundësi, rinis kampionati kombëtar i drejtimit të gishtit drejt shkakut. Koloriti i larmishëm që shënjon secili gisht i drejtuar me siguri profetike (njëherësh drejt problemit dhe zgjidhjes) zë fill me dënimin me vdekje; kanunin; patriarkalizmin, librat për Skënderbeun, shoqërinë e hapur, e mandej me një sofistikim të lavdërueshëm derdhet pa kompromis drejt rrjeteve sociale: përgjegjëse për prishjen e shoqërisë sonë “dikur ëngjëllore”.
Nuk është problem rënia e çdo institucioni; që polici të vret në rrugë; që mjeku llogarit sa ditë pushime do bëjë me vdekjen tënde; që pedagogu të kërkon favore seksuale ose një thes patate në këmbim të notës… të paktën jo aq sa tiktoku.
Ky obskurantizëm që anihilon çdo kuant logjike të shëndoshë, ushqehet jo pa qëllim nga qeveria dhe të ashtëquajturit “liderë të opinionit publik”, shprehje kjo që Roberto Bolaño me të drejtë e krahason me: “udhëheqës shpirtërorë të skllevërve” apo “çobanët e dhenve”.
Pra kur Edi Rama me qeverinë e tij (të gjithë përdorues të zellshëm të këtyre rrjeteve) propozon zgjidhjet artificiale të tipit: “Do mbyllim tiktokun” apo “Do mbyllim kompanitë e basteve sportive”, nuk bën tjetër veçse pështjellon në thelb idenë e kontratës sociale. Ne i kemi deleguar shtetit autoritet mbi disa liri dhe të drejta për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e përbashkëta. Dhe në këtë pikë, është qesharake që shteti fjala vjen, për të mbrojtur qytetarët nga shoferët e dehur ndalon me ligj konsumimin e alkoolit për të gjithë. Apo meqë ka rënë lindshmëria, të mbyllë pornhub-in dhe ta bëjë rrymën elektrike me orar që njerëzit të bëjnë fëmijë si dikur…
Epo “Ç’thotë populli bën partia dhe ç’thotë partia bën populli!” Hedhja për diskutim publik i mbylljes ose jo të tiktokut nuk është tjetër veçse implikim i qytetarëve në idenë e zgjedhjes së lirë, njëlloj si “Këshillimi Kombëtar” ku ne supozojmë se e dëgjuam njëri-tjetrin. E kur kjo të mos funksionojë (s’do mend që nuk do funksionojë) jemi të gjithë bashkëfajtorë e bashkëvuajtës…
Sa herë që ndodhin këto krime, kemi një diskurs publik që na e universalizon fajin me klishetë “jemi të gjithë fajtorë”; apo “aksh grua e përdhunuam të gjithë ne me neglizhencën tonë”. Pastaj vjen kiçi, shkrime patetike që tentojnë të estetizojnë krimin me sentimentalizma telenovelash. Me pak fjalë vjen: MOHIMI ABSOLUT I MUTIT! Që është sikur të dalësh nga nevojtorja me pretendimin se ke gatuar ëmbëlsirë.
Fajin, për zbavitje estetike mund ta kërkojmë kudo, si tek vargjet e Varnalisit:
… – Ka faj prejardhja jonë e hidhur!
– Zoti që na shikon si plehra!
– Ka faj kjo koka jonë e krisur!
– por mbi të gjitha faj ka vera!
Kush, de, ka faj? Kush faj, pra, ka?
S’e gjeti kush, askush s’e tha…
Por shteti, të nderuar miq, dhe ju o liderë të opinionit publik, nuk funksion (për fat të keq) në terma estetike dhe nuk ka mision zbavitjen estetike. Krimi i organizuar nuk është lënë i lirë për të frymëzuar filmat e kinostudios: “Spiropali” por për interesa ekonomike dhe politike të pushtetit. Njerëzit e lakmojnë modelin e të fortit, gangsterit, të pasurit sepse e dinë ç’do të thotë të jesh i dobët, qytetar, i varfër.
Por ajo që mësojmë nga historia është se nuk mësojmë nga historia, dhe po anashkalojmë shumë luftëra për të luftuar mullinjtë e erës.