
Friedrich Merz po përgatitet të betohet si kancelar dhe në Bruksel presin me padurim të zbulojnë se si do të realizojë premtimin që e përsëriste pa ndalë para zgjedhjeve dhe vazhdon ta përmendë edhe në intervistat e tij të fundit.
Kthim me një kthesë
Ky kthim duket se fillon gjithsesi edhe me një “kthesë” të madhe në një çështje kyçe për të ardhmen e BE-së, atë të zgjerimit. Javën e kaluar, dy gazeta konservatore, gjermania Frankfurter Allgemeine dhe zvicerania Neue Zürcher Zeitung, ndaluan pothuajse në të njëjtën kohë në një paragraf të shkurtër prej disa rreshtash në marrëveshjen për programin qeveritar që ka të bëjë me të ardhmen e BE-së dhe arritën në të njëjtin përfundim, padyshim aspak rastësisht: “Refuzim i zgjerimit të BE-së” shkruante FAZ, “BE-ja ka nevojë për aleanca dhe jo për anëtarë të rinj” komentonte NZZ.
Merz: “Zgjerimi i BE-së dhe aftësia e saj për të përthithur anëtarë të rinj duhet të ecin paralelisht. Prandaj, më së voni me zgjerimin e ardhshëm, kemi nevojë për një integrim të brendshëm dhe një reformë të BE-së që ta forcojë atë në mënyrë institucionale.” Dhe më tej: “Parimi i unanimitetit në Këshillin Europian nuk duhet të bëhet pengesë për marrjen e vendimeve. Kjo vlen në parim edhe për vendimet në pritje që kërkojnë unanimitet në Këshillin e BE-së.”
Së pari “shtëpia jonë”
Në thelb, qëndrimi i qeverisë së re në Berlin – e cila, kujtojmë, do të ketë për herë të parë pas disa dekadash një ministër të Jashtëm nga radhët e Kristianodemokratëve – është se procesi i anëtarësimit të vendeve të reja duhet të pezullohet, deri sa të zgjidhet çështja e heqjes së parimit të unanimitetit. Kjo lidhet kryesisht me përvojën nga lufta në Ukrainë, ku shpesh janë përdorur manovra të ndryshme për të kapërcyer veton e vendeve si Hungaria, ose nuk janë marrë fare vendime për shkak të pamundësisë për të arritur njëzëri mes 27 vendeve. Kjo e fundit vlen edhe për Gjermaninë, e cila në vitet e fundit ka preferuar të pezullojë vendimmarrjen, duke adoptuar një qëndrim të veçantë të përmbajtjes.
Ballkani Perëndimor në pritje
Megjithatë, nëse dikush kujton se zgjerimi – veçanërisht drejt Ballkanit Perëndimor – ishte, të paktën në retorikën e tij, një përparësi për Berlinin, në kundërshtim për shembull me kundërshtimet e vazhdueshme të Parisit, atëherë del në pah se po formësohet një ndryshim i rëndësishëm politik nga qeveria e Merz-it. Duke pasur parasysh përvojën që tregon sa e vështirë është të hiqet parimi i unanimitetit, ky propozim gjerman nënkupton në thelb se nuk duhet pritur ndonjë zhvillim i afërt për sa i përket anëtarësimit të vendeve të reja.
Diçka që, si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për rastin e Ukrainës – anëtarësimin e së cilës e mbështet me ngrohtësi Komisioni Europian – mund të ketë pasoja të mëtejshme destabilizuese brenda vendeve përkatëse. Shtete që shpresonin për një anëtarësim në një të ardhme të afërt ishin, për hir të rrethanave, të detyruara të sillen në përputhje me këtë perspektivë dhe të përpiqeshin të zbatonin reforma për të forcuar përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së. Nëse kjo perspektivë largohet, mbetet e paqartë se si do të reagojnë këto vende.
Ky ndryshim i qëndrimit të Berlinit gjen gjithsesi shumë mbështetës, të cilët theksojnë se vendet e vogla ose të mesme përdorin si “armën e fundit” parimin e unanimitetit për të shmangur vendime të pakëndshme, duke e çuar BE-në në bllokim. Dhe kjo është ndoshta edhe një pikë afrimi me Emmanuel Macron-in, i cili ka vite që mbështet diçka të ngjashme.
Në një… Bashkim Europian hipotetik me 35 anëtarë, kjo armë do të kalonte teorikisht edhe në duart e Shqipërisë, Moldavisë, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, ashtu edhe të Ukrainës apo edhe të Turqisë së “përhershme kandidate”, dhe do të vuloste paralizën totale të Unionit, sidomos për çështje ku këto vende mund të kenë mosmarrëveshje historike mes tyre, por edhe për sa i përket marrëdhënies me Rusinë.
Gjeometri të ndryshueshme dhe të tjera
Megjithatë, për të shmangur një valë zhgënjimi që mund të kishte pasoja të paparashikueshme për rajone të ndjeshme, në mos të ndezshme, të Europës, në Berlin po rikthehen idetë për “gjeometri të ndryshueshme”, rrethe paralele, aleanca “à la carte”, kategori të ndryshme anëtarësimi, si dhe marrëveshje të plotë lidhjeje me tregun e përbashkët, në mënyrë që vendet kandidate të qëndrojnë disi të “ngrohta” dhe të mos fillojnë të shikojnë nga drejtime të tjera, si Moska apo Pekini. Natyrisht, për vendet kandidate, ide të tilla nuk shkaktojnë aspak entuziazëm.
Berlini, Parisi dhe Brukseli do të duhet, pra, të gjejnë një mënyrë për ta “ëmbëlsuar këtë pilulë”. Për qeverinë gjermane dhe për Friedrich Merz-in, i cili këmbëngul se vendi i tij do të synojë sërish të udhëheqë politikisht Europën, sfida është të paraqesë recetën që do ta bëjë Bashkimin më fleksibël dhe funksional, pa krijuar rreth tij armiq të rinj apo, të paktën, fqinj të pakënaqur që do të ndihen të mashtruar.
Përshtatur në gjuhën shqipe
@Edmond-Andrea Shallvari