
Nga Edon Qesari-
Në një intervistë të gjatë që dha nga fundi i jetës së vet, Indro Montanelli, gazetari shekullor italian dhe një nga shëmbëlltyrat më elokuente të parisë borgjeze—pos se një nga figurat më të regjura të konservatorizmit—nisi të tregonte sesi në të ri pati takuar një mikeshën e vet franceze; e sesi kjo i pat rrëfyer se pak kohë më herët kishte zbuluar se i ati, në çastin që kishte dalë në pension, u tregoi familjarëve të vet se jetën e tij prej burokrati spartan në ministrinë e brendshme, në të vërtetë, e kishte kaluar si agjent i shërbimeve inteligjente franceze.
Montanelli ishte ngazëllyer nga ky zbulim i mikeshës së vet, si dhe ia kishte dalë ta takonte të atin.
Dhe përpara habisë së gazetarit, për sesi ia kishte dalë t’ia fshihte familjes së vet punën e tij të vërtet, ish-agjenti ishte përgjigjur: “Monsieur, këtë punë e kam bërë për 35 vjet me radhë; ndaj kuptohet se isha i brumosur me fshehtësi dhe dyshimet më hanin të gjallë”. E krejt serioz, kishte shtuar: “Nga ta dija unë se gruaja ime, fjala që bie, nuk ishte agjente e ndonjë fuqie të huaj?”.
E tërë kjo histori, në kuadër të intervistës, mund të kishte qenë fare mirë një sajesë. Në fakt ajo i duhej Montanelli-t si një ouverture për t’iu përgjigjur intervistuesit të tij, Alain Elkann, i cili sapo e kishte pyetur në lidhje me shërbimet sekrete në historinë bashkëkohore të Italisë—të cilat, siç shumëkush mund ta dijë, kanë qenë të përfshira deri në palcë në pothuajse gjithë andrallat dhe intrigat që vendi pati kaluar në rrethanat aq të pazakonta të Italisë; një vend kufitar në “limes”-in shpërthyes mes dy botëve të Luftës së Ftohtë.
Me ç’rast Montanelli shtonte se kërkesa për transparencë që u bëhet shërbimeve sekrete/inteligjente është një diçka e cila kundërshton veten. “Shërbimet ose do të jenë sekrete, ose do të zhvishen për të gjithë”, pohonte gazetari italian.
Pastaj, duhet të mbahet parasysh, por edhe dihet, se shërbimet punojnë në nëntokë, japin dhe marrin me baltën dhe llumin. Atë llum e fusin brenda dhe e nxjerrin në dritë. Ndaj për Montanelli-n ishte absurde që të pretendoje pastërti prej tyre; të pretendoje se nëntoka do të ishte qelibar.
Sepse si do t’ia bësh që të pastrohen këto shërbime. “Nuk pastrohen”, thoshte Montanelli, duke iu referuar rastit të zotërisë francez. Të qënit të njollosur, pavarësisht se bie në kundërshtim me pretendimin e një demokracie se gjithçka bëhet në dritë të diellit, e shndrin prej pastërtisë, e bën një shërbim sekret të përdorshëm për devijime, për dalje jashtë rregullave dhe normave. Veç në këtë mënyrë një shërbim mund të punojë në ambientin tipik të të gjitha shërbimeve të tjera, të cilat gjithashtu japin dhe marrin me ujërat e ndotura.
Çështja është se Montanelli, si gazetar me përvojë, i quante ato “ujëra të ndotura” gjithsesi një çështje serioze. Në Italinë e tij shërbimet mund t’i konsideroje të implikuara me armiqtë e vendit, me sektorë ekstremistë, me ushtarakë puçistë, me priftërinj bankierë, me agjentë sovjetikë dhe eksponentë mafiozë. Shërbimet kanë qenë në pazare me soj e sorollop figurash të errëta, figurash në dritëhije, figurash ëngjëllore dhe djallëzore (e akoma më shpesh me ata që ishin edhe engjëj edhe djaj). Por kurrë me banalitete.
Montanelli-t as që i shkonte nëpër mend një mundësi e tillë. E akoma më pak që banalitetet do të ishin jo jashtë shërbimeve por në majën e tyre. Se falet armiku, falet devijacionisti, falet madje kush shtetin e vet e sheh si një diktaturë e ndritur e cila duhet mbrojtur me çdo kusht.
Por nuk falet estrada, e akoma më pak aktorët që harrojnë se janë në rol, pra në punë, e jo në mjerimin e banalitetit të tyre vetjak.



