
Nga Fahri Musliu-
Këto ditë doli nga shtypi libri, apo studimi “EVROPA DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE” (1830-1921), i diplomatit, juristit, politologut, poliglotit dhe studiuesit serb Sreten Drashkiq. Libri është me një vlerë të posaçme historiko dokumentare për qëndrimin e Evropës ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi me theks të veçantë në Shqipërinë: për lojërat politike e diplomatike, kalkulimet, interesat e shteteve evropiane, sidomos duke nisur nga Kongresi i Berlinit deri më 1921, dhe nxjerr në dritë edhe disa fakte deri tani pak ose fare të njohura. Pesha e tij e veçantë është edhe për shkakun se është punuar me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë nga një autor serb i cili me dekada e ka përcjellë çështjen shqiptare si diplomatë në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (SKS) e pastaj edhe të Jugosllavisë Socialiste deri më 1947, por edhe ka shfrytëzuar literaturë historike e publicistike e fakte të ndryshme arkivore që shihen nga referencat e botuara për çka edhe në përgatitjes së dorëshkrimit të librit ia ka kushtuar plotë 15 vjet.
Libri ndahet në katër kaptina:
1..Rilindja Kombëtare e shqiptarëve 1830-1912
II. Nga shpërthimi i Krizës Lindore (1875) deri te dështimi i Lidhjes Shqiptare (1881) III. Nga rënia e Lidhjes Shqiptare (1881) deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912) IV. Historia e Shqipërisë prej shpalljes së Pavarësisë (1912) deri në Konferencën e Ambasadorëve në Paris (1921), kur Shqipëria i fitoi përfundimisht kufijtë e vet
Libri për herë të parë në serbisht është botuar në vitin 2000, kurse në shqip po botohet në kohën e situatës politike në Kosovë, kur edhe pas 26 vitesh nga çlirimi dhe 17 vitesh nga shpallja e pavarësisë, akoma po thyhen shtiza e po bëhen “pazare” rreth përfundimit të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar. E gjithë kjo po ndërlidhet dhe kushtëzohet me përfundimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në Bruksel, të imponuar qysh më 2011 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Për shkak të fazës, do të thosha kritike, në të cilën gjendet shteti i Kosovës, ky libër fiton një dimension më të rëndësishëm dhe mund t’u shërbejë si udhërrëfyes dhe leksion subjekteve politike të pushtetit e opozitës, strukturave të ndryshme profesionale e akademike, elitave kulturore e intelektuale për të pa se e gjithë ajo që ka ndodhur me Shqipërinë dhe kombin shqiptar nga vitit 1910 deri më 1921, veçmas me shtetësinë e shtetit shqiptar të vitit 1912, thua se identik po përsëritet me Kosovës.
Si atëherë edhe sot kemi aleancat dhe interesat e ngjashme me propozime, premtime, kushtëzime, shantazhe, ndëshkime e sanksione të ndryshme nga jashtë; dhe figura tjera politike brenda Kosovës por gjithashtu, para se gjithash, me interesa personale e politike, me mosmarrëveshje, grindje, fyerje, përçarje, polarizime, mosbesim, urrejtje e armiqësi… duke mos treguar aspak interesim dhe përgjegjësi për përfundimin e shtetësisë së Kosovës dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Pa këto zgjidhje nuk mund të ketë as zhvillim të institucioneve demokratike e funksionale shtetërore, as zhvillim të gjithmbarshëm as mirëqenie të qytetarëve. Dhe e gjithë kjo tregon për mungesën e vetëdijes dhe të përgjegjësisë jo vetëm të klasës politike, të elitës kulturore e intelektuale, por edhe të qytetarëve akademik, rinisë studentore e tjetër dhe popullit në përgjithësi. Fjala është për fatin e shtetit të Kosovës, kombit dhe banorëve në përgjithësi.
Libri për momentin gjendet në librarinë Altera në Prizren dhe mund të porositet me postë të shpejtë në mesengerin tim ose në nr e tel/viber
te personit të ngarkuar për marketing
+383 49 644844 . Çmimi 15 euro.