Aktualitet/LajmeKryesoreKultureNdodhiRajoni

“Ditet e Mbretereshes Teuta 2026” mbledhin personalitete nga Kroacia, Kosova, Shqiperia dhe SHBA ne Zagreb

Në Zagreb u mbajtën “Ditët e Mbretëreshës Teuta 2026”, morën pjesë personalitete të njohura nga Kroacia, Kosova, Shqipëria dhe SHBA-ja

ZAGREB – Në Shtëpinë e Gazetarëve në Zagreb u mbajtën “Ditët e Mbretëreshës Teuta 2026”, organizuar nga Klubi i Grave Shqiptare në Kroaci “Mbretëresha Teuta”, me temën “Urat e trashëgimisë diplomatike, shkencore dhe kulturore të shqiptarëve dhe kroatëve – përmes shekujve”. Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të njohura të jetës politike, diplomatike, shkencore dhe kulturore, ndër ta ish-presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesić, diplomatë, ambasadorë, përfaqësues të Selisë së Shenjtë në Vatikan, si dhe të ftuar të veçantë nga Kroacia, Kosova, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktiviteti u organizua nën drejtimin e Shenida Bilallit, kryetare e Klubit të Grave Shqiptare në Kroaci “Mbretëresha Teuta”, e cila ishte edhe pjesë e programit artistik përmes grupit të vallëzimit “Ilirke”, për të cilin realizoi koreografinë. Në fokus të mbrëmjes ishte promovimi i lidhjeve historike dhe miqësore ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve, si dhe rëndësia e forcimit të tyre përmes diplomacisë, shkencës, kulturës dhe artit. Programi artistik u pasurua me performancën e grupit “Ilirke”, ndërsa pjesë e mbrëmjes ishte edhe ansambli nga Kosova “Voice of Kosovo”, i cili u prit me duartrokitje nga publiku. Një moment i veçantë ishte ceremonia e ndarjes së çmimit “Mbretëresha Teuta”. Për kontributin e tyre në ruajtjen e identitetit, zhvillimin e shkencës e kulturës dhe në afrimin e njerëzve, u nderuan Dashamir Uruci, prof. dr. Jahji Kokaj, Rita Saliu, Sanja Pleša, Slavi Božičević dhe Nurija Beadini. Çmimi pas vdekjes iu akordua prof. Milan Šufflay, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në shkencë dhe në studimin e historisë e kulturës shqiptare. Në pjesën përmbyllëse të programit u prezantua një sfilatë mode nga krijuesja kosovare Albina Hashani, e cila i dha mbrëmjes një tjetër dimension artistik dhe estetik. “Ditët e Mbretëreshës Teuta 2026” sollën në një hapësirë të përbashkët figura nga politika, diplomacia, shkenca dhe arti, duke e vënë në qendër trashëgiminë që lidh shqiptarët dhe kroatët dhe duke përcjellë mesazhin e forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet dy popujve.

Artikuj të lidhur

Back to top button