Aktualitet/LajmeKryesore

Dhunohet gazetari, Ersid Karaj/ Reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Ersid Karaj  dhe grupit të xhirimit të emisionit “ Xhadat” nga ana e kryetarit të Njësisë Administrative Dajt, zotit Alfred Brahja. Nëpërmjet një deklarate për shtyp , UGSH teksa e cilëson një akt agresiv , dhunën e ushtruar nga ky zyrtar kërkon dorëheqjen e tij të menjëhershme , si dhe solidarizim me këtë rast.

 

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Dhuna e zyrtarit të Njësisë Administrative Dajt ndaj gazetarit Ersid Karaj, akt agresioni ndaj gazetarit në detyrë
Tiranë më 27.03.2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon me ashpërsinë më të madhe, aktin agresiv të kryetarit të Njësisë Administrative Dajt, zotit Alfred Brahja, ndaj grupit të xhirimit të emisionit “ Xhadat” dhe vecanërisht ndaj cënimit fizik dhe agresionit ndaj gazetarit Ersid Karaj.
Këmbëngulja e gazetarit për të marrë përgjigje specifike,(sikundër transmetohet në emisionin e datës 26 Mars 2025), u përball me arrogancën e zyrtarit, me një gjuhë jo vetëm refuzimi por edhe agresive dhe madje deri në cënim të integritetit fizik të reporterit.
Ndërsa do të duhej që zyrtari Brahja të përgjigjej dhe të jepte zgjidhje për problematikën e denoncuar prej qytetarëve, ai ka “shpërthyer” ndaj gazetarit, ku përpos fjalorit të denjë për një punonjës shteti, e ka tërhequr me forcë përfaqësuesin e medias. Reporteri Karaj duke ndjekur të gjitha procedurat dhe në respekt të ligjit për të drejtën për informim, ka këmbëngulur për zgjidhjen e problemit të qytetarit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e denon ashpër këtë sjellje dhe kërkon nga institucioni i Bashkisë së Tiranës të reagojë menjëherë, duke e konsideruar këtë rast si një precedent të papranueshëm dhe madje të dënueshëm.
UGSH kërkon solidarizim të plotë ndaj këtij rasti, duke këmbëngulur për dorëheqjen e këtij zyrtari, i cili demonstroi modelin më të keq të një zyrtari vendor në komunikim dhe detyrim informues, ndaj një gazetari.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Artikuj të lidhur

Back to top button