Aktualitet/LajmePolitike

Debate në Konferencën e Kryetarëve, Tabaku: Po shkelni rregulloren që miratuat vetë! Gjekmarkaj: Keni ndërtuar realitet fals, i trembeni përgjegjësisë dhe transparencës

Konferenca e Kryetarëve në Kuvend, para seancës plenare që do mbahet, është shoqëruar me debate të forta mes palëve. Opozita ka akuzuar mazhorancën se po shkelte rregulloret që kishte miratuar vetë, duke iu trembur përgjegjësisë dhe transparencës.

Në fillim ishte kryetari i grupit Gazment Bardhi se tha se duhet të kaloheshin në diskutim dhe merreshin parasysh 3 kërkesat e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit, anulimin e seancës ku u votua pa debat qeveria dhe programi i saj dhe ndryshimi i rregullores.

Gazment Bardhi kërkoi thirrjen urgjente të Këshillit të Legjislacionit për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit dhe denoncoi injorimin e mocionit me debat për programin qeveritar.

Kurse Jorida Tabaku kritikoi kalimin e raporteve në komisione të papërshtatshme, duke theksuar se mazhoranca po shkel rregulloren, që vetë ka miratuar.

“Raporti i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk dihet pse duhet të kalojë te Komisioni i Ligjeve. Komisioni përgjegjës për këtë çështje është Komisioni i ri për të Drejtat e Njeriut. Nuk mund të ketë komisione “kryesore” dhe të “dorës së dytë”. Po shkelni vetë rregulloren që e keni miratuar”, tha Tabaku.

Agron Gjekmarkaj akuzoi PS se po manipulon të vërtetën dhe po i shmanget llogaridhënies pas publikimit të raportit të DASH. Sipas tij, mazhoranca i trembet debatit për korrupsionin dhe dështimet e saj.

“Pavarësisht se vini nga zgjedhje farsë, Kuvendi ka zgjedhur një Kryetare dhe nuk është e nevojshme të zgjedhim një tjetër për të kontrolluar atë që kemi zgjedhur. Nuk doja të flisja, por zoti Balla, si gjithmonë, ka krijuar një të vërtetë të tijën, duke folur për “arritje”. Në fakt, dje doli një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit. Kuvendi duhet të krijojë hapësirë për të diskutuar mbi ato çështje themelore që ngrihen në raport: krimi, korrupsioni, një realitet i zymtë. Por ju po i ikni të vërtetës, duke ndërtuar një realitet fals. I shmangeni përgjegjësisë për të diskutuar mbi qeverisjen tuaj, sepse i trembeni transparencës”, u shpreh nënkryetari i Parlamentit.

Kurse kryetari i grupit, Bardhi, tha se nuk mund të raportohet në dy komisione për të njëjtën çështje dhe se mazhoranca nuk kishte rregulluar nenin kryesor të Rregullores.

Ai solli si shembull faktin se Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të raportojë në dy komisione:

“E gjej pa vend dhe ne shkelje te rregullores parashikimin që çështje të ndryshme apo raporte të institucioneve Kushtetuese të kalojnë në dy komisione. Kjo është e pavend pasi nuk mund të raportohet në dy komisione. Nuk ka kuptim fjala vjen që Prokurori i Përgjithshëm të raportojë në dy komisione, e pastaj edhe në Kuvend. I bie të ketë duble-raport për të njëjtën çështje  apo për një institucion. Ju keni bërë ndryshime në disa nene të rregullores, por keni harruar nenin që e rregullon këtë çështje.

 

Artikuj të lidhur

Back to top button