Nga Alfons Al Zeneli-
Kam dëgjuar e kam dëgjuar këngë nga këto të tmerrshmet me tekste banalë dhe çdo herë që mendoj se ky është fundi, zhgënjehem dramatikisht. Del gjithmonë një tmerr i ri dhe sa herë ndodh kështu, më kujtohet thënia e Ajnshtajnit të shkretë mbi pafundësinë relative të Universit dhe pafundësinë absolute të budallallëkut, injorancës, meskinitetit. Shpesh kam publikuar nga këto lloj këngësh me tekste banalë. Kam vrarë mendjen me një këmbëngulje të dëshpëruar për t’i gjetur kësaj kategorie këngësh një neologjizmë, një term të ri më përfaqsues se sa “banal, ” neveri”, ” pështirosje “, “lëtyrë”, “shpifësirë” etj, por kam dështuar në mënyrë shembullore. Këngë për personazhe serialesh si ” Këngë për Komisar Katanin” kënduar nga grupi i Zharrzës. Imagjinojeni vetë. Këngë për Trampin kënduar nga një grup i Mokrrës. Imagjinoni prap. Psh, sikur ta dëgjonte Trampi, emrin e cilit, solisti e shqiptonte “Tromp “, në anglishte shekspiriane siduket. Këngë ” E kam burrin menaxher”, ” Djali me toyota”. Këngë me byrek, salcë kosi, bakllava, llokum, kofshë pule, paidhaqe gici, arapash, marmalatë, trileçe, dhallë etj aq sa të ngjan sikur po lexon menunë e ndonjë mejhaneje. Këngë për kanabisin, tritolin, bombat gjithashtu sa të duash. Këngë ku thuhet tekstualisht :
” kush pi verën dhe rakinë
do pushojë mbi trëndelinë.
Kush nuk pi rakinë dhe verën
mos e paftë me sy pranverën “.
Imagjinojeni vetë : këngëtari duke mallkuar. Si puna e një kandidati për kryetar komune që tha në TV : ” kush nuk më voton, i rëntë kanceri në fyt”. Se këto lloj qëniesh janë në një cikël sibiotik.
Pastaj pata “kap” në you tube këngën me titull ” Eko energjia “. Ju këndon paneleve diellorë të një firme. Imagjinoni përsëri dhe më thoni se kush nuk ka fund, Universi apo budallallëku ? Në fakt pasi dëgjova këtë të eko energjisë prita kur të dalë ndonjë për bidetë, telin me gjëmba, pllakat bituminoze apo kripën e Nartës por jo. Kisha kohë që nuk kisha parë gjë dhe po endesha mbi një gëzim të lig duke menduar se Ajnshtajnit nuk i doli llafi. Mirëpo sot u ndesha me fundin e shpresave të mia se budallallëku ka fund. Kënga titullohet ” Unë jam dashnorja e bosit”.
Ja këtu poshtë e keni. Hidhjani “një vesh: https://www.youtube.com/watch?v=0D05jgzseg