BlogEditorialKryesoreOpinions

Bravo për Enrique dhe gazetaren!

Nga Bahri Cani-

Disa prej jush (pra disa, e jo të gjithë) po na shani neve gazetarëve përditë, memzi pritni me ja fut ndonjë gazetare e gazetari ndonjë ofendim apo sharje, me i mbajtë ligjërata e me i tregu se qysh duhet me bërë gazetari.
Por mos harroni kurrë: gazetarët janë njerëz si çdo njeri tjetër, me gabime e emocione dhe me një profesion shumë, shumë të rëndë (po flas për gazetarët e jo tuxharët e gazetarisë).
Më kujtohen “një milion” situata kur edhe mua më kanë shkuar lotët duke raportuar – kur kam parë fëmijë të vrarë e të djegur nga forcat serbe, kur kam parë të ikur në male duke jetuar në kushte të tmerrshme, kur pash një grua wë para një nate kishte lindur Malësoren (nuk e harroj kurrë këtë emër) në malet e Nekocit, kur raportoja për plagosjen e dy çikave të Jasharëve, për vdekjet e fatkeqësitë e tmerrshme… Por ne duhet të mbajmë veten, të ruajmë qetësinë, të jemi të fortë… kështu thuhet në teori!
I gjithë inspirimi më erdhi mbrëmë nga reagimi tërësisht normal, njerëzor i kësaj gazetares kur intervistonte trajnerin e PSG Enrique. Edhe në momentet më të mira, kur fitoi titullin e Champions League për herë të parë në historinë e PSG (PSG mbrëmë mundi Interin 5:0 në finale), Enrique nuk harronte çikën e tij të vogël, që ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë…
Më mirë po e ndal me kaq, sepse lotët e kësaj koleges po ma kthejnë një jetë e tërë të raportimeve si gazetar…
Bravo për Enrique, por edhe për këtë zonjën gazetare. Njerëz jemi, emocione kemi…

Artikuj të lidhur

Back to top button