Aktualitet/LajmeKryesoreKultureNdodhi

Arti shqiptar nën piramidën e Luvrit

Nga Dashnor Kokonozi-

Dje, në Muzeun e Luvrit u organizua një takim i veçantë përpara një publiku të interesuar ku u fol për ekspozitën “Ikonat e Shqipërisë, thesare të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”.
Një ekspozitë me vlera të jashtëzakonëshme, që është hapur në qytetin e Chambéry-së, të cilën ambasadori D. Tole, një diplomat i veçantë e mjaft aktiv në fushën e kulturës, me të drejtë e sheh edhe si rezultat të frymëzimit të kërkimeve shkencore nga diplomacia ndërkombëtare.
Me këtë rast u bë i pranishëm edhe Katalogu i kësaj ekspozite.
Si përkthyes i këtij katalogu nga frëngjishtja në shqip dhe nga shqipja në frëngjisht (me kërkesën e botueses italiane, “Silvana Editoriale”) dhe si ish administrator i kësaj pasurie dhe konceptues i katalogut të parë të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare, besoj se jam mjaft mirë i pozicionuar për t’i cilësuar studimet e tij si arritjen më të lartë në studimin e ikonografisë shqiptare.
Një rreth 250 faqe sillen zbulimet më të avancuara nga disa prej studiuesve me të njohur të kësaj fushe, ku ndaj veç punimet e Maximilien Durand, specialist i shquar dhe drejtor i Departamentit të Arteve të Bizantit dhe të Krishterimeve të Lindjes në Muzeun e Luvrit, (për të cilin kam folur në një post të mëparshëm).
Kam fjalët më të mira edhe për studime të tjera, por këtu ndaj veç paraqitjen e Ioannis Vitaliotis “Arti fetar midis Bizantit, Venecies dhe Perandorisë osmane”.
Përkthimi paraqiste vështirësi të panumërta, sepse ndryshe nga terminologjia e ritit katolik, ai ortodoks, siç dihet është në “standartizim” e sipër dhe jo mjaftueshëm i stabilizuar. Për më tepër një serë termash nominativë si “Virgjëresha Marie” aq i përdorshëm nga Kisha Katoloke, nuk kanë vend në liturgjinë ortodokse. Dhe të tilla probleme, në dukje të vogla, ka shumë.
Për të mos qenë subjektiv kam kërkuar ndihmën e specialistëve shqiptarë të fushës si Y.Drishti, At F. Cici etj..
Në vazhdim, do të sjell postime të ndryshme për të paraqitur para jush se ku qëndron risia e punimeve të këtij katalogu.
Dhe do të bindeni se janë të shumta.

Artikuj të lidhur

Back to top button